​Alarmante, të rinjtë synojnë të largohen nga vendi - nuk shohin të ardhme në Kosovë

Aktuale

​Alarmante, të rinjtë synojnë të largohen nga vendi - nuk shohin të ardhme në Kosovë

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:09
Foto nga vendngjarja

Alarmante, vit pas viti është duke u rritur numri i të rinjve të Kosovës që kanë synim të largohen nga vendi pasi që nuk shohin një të ardhme dhe e gjejnë veten e tyre në shtetin e Kosovës.

Kjo situatë është duke u përkeqësuar vit pas viti, ka thënë këshilltarja për Arsim dhe Aftësim Profesional (AAP), Majlinda Rizvanolli-Bajraktari gjatë panelit të parë në kuadër të Konferencës rajonale, me temën: “Rëndësia e shkollimit dhe aftësimit profesional dhe ndërlidhja me tregun e punës”.

Bajraktari theksoi se Qeveria e ka në prioritet trajtimin e arsimit dhe aftësimit profesional për t’iu dhënë një shpresë të rinjve.

Bajraktari: Të rinjtë nuk e gjejnë vetën në Kosovë

“E dimë që kemi një potencial të madh, rinia e Kosovës përbën një përqindje të madhe, kështu që në një anë e konsiderojmë si potencial, mirëpo si qeveri duhet të bëjmë zgjidhje për këta të rinj, në mënyrë që ta gjejnë veten në treg të punës. Gjendja momentale në Kosovë që është duke u përkeqësuar nga viti në vit, të rinjtë ëndërrojnë të largohen nga vendi ynë dhe nuk e gjejnë veten në shtetin e Kosovës, si dhe nuk e shohin një të ardhme. Si Ministri e Arsimit dhe si qeveri mendojmë që arsimi dhe aftësimi profesional mund të jetë ajo formulë posaçërisht fillimi i pilotimit të arsimit dual, e cila do t’ju jep një premtim dhe shpresë të rinjve të Kosovës që të mund të gjejnë veten në treg të punës. Arsyeja pse e kemi këtë situatë në Kosovë, do të thotë se ka pasur një hezitim nga të dyja palët e bashkëpunimit, nga tregu i punës dhe nga institucionet qeveritare”, tha ajo.

Ajo theksoi se arsimi dhe aftësimi profesional nuk mund të ketë sukses nëse nuk ekziston një bashkëpunim i mirëfilltë edhe midis sektorit privat dhe institucioneve qeveritare.

Ndërsa, Lulzim Aliu, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut tha se kanë akredituar programe për shumë profile për përgatitjen e kuadrove të reja profesional që do t’u shërbejnë kompanive për punëtorë të kualifikuar.

Aliu tha se në krahasim me Kosovën, Maqedonia Veriore është një hap më përpara për arsimin dual.

Aliu: Në krahasim me Kosovën, Maqedonia Veriore është një hap më përpara

“Në krahasim me Kosovën, ne në Maqedoninë Veriore jemi një hap më përpara, jo që e kemi etabluar në gjithë shtetin arsimin dual, por thuajse jemi në një rrugë të duhur dhe kemi bërë një hap të qëlluar për shkak se nëse krahasojmë statistikat e dy viteve të fundit, vitin e kaluar shkollor kemi pasur 90 paralele me mësim dual me 1400 nxënës dhe për këtë sigurisht që është I nevojshëm edhe bashkëpunimi me kompanitë e ndryshme të sektorit privat dhe meritë për këtë janë odat ekonomike. Ndërkaq, në këtë vit shkollor ky numër është rritur dukshëm”, tha ai.

Mladen Peraziq, drejtor i Sektorit të Edukimit në Odën Ekonomike të Malit të Zi, tha se në krahasim me të kaluarën, në Mal të Zi ka kuadro profesionale që iu mundëson kompanive të ketë produkte moderne konkurruese.

Perazic: Kompanitë tani shohin nevojën për kuadro të kualifikuara

“Tash është rritur numri i kompanive që janë vetëdijesuar se do të jenë pjesë e globalizimit dhe shohin nevojën që të ketë kuadro të tilla, për arsye që produktet e tyre të jenë konkurrente. Prandaj, për këtë e shohin nevojën që të kenë në punë profesionist të kualifikuar, si dhe kanë arritur deri diku në krahasim me të kaluarën”, theksoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat