Pas më shumë se 10 viteve vjen lajmi i mirë nga Brukseli: Procedurat për liberalizimin e vizave nisin formalisht më 13 tetor

Aktuale

Pas më shumë se 10 viteve vjen lajmi i mirë nga Brukseli: Procedurat për liberalizimin e vizave nisin formalisht më 13 tetor

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 10:19
Foto ilustrim

Liberalizimi i vizave për Kosovën ka hyrë në agjendën e grupit punues për viza në takimin e 13 tetorit. Nga kjo datë do të konsiderohet se edhe zyrtarisht kanë filluar procedurat përkatëse legjislative, të cilat do të çojnë në heqjen e regjimit të vizave për Kosovën.

Përfshirjen e pikës së liberalizimit të vizave gjatë muajit tetor e kishte paralajmëruar presidenca ҫeke në një letër të cilën javën e kaluar ua ka dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Kosova ka pritur për këtë moment për më shumë se dhjetë vjet.

Në vitin 2012, Kosova mori Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ndërsa në vitin 2018  Komisioni Evropian konfirmoi se vendi i plotësonte të gjitha kriteret rekomandoi heqjen e regjimit të vizave.

Parlamenti Evropian, një nga dy institucionet që vendos për këtë, disa herë ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Prej vitesh çështja ka ngecur në Këshillin e Ministrave të BE-së, i cili merr vendimin përfundimtar, për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik të shteteve anëtare të BE-së për të ҫuar procesin përapara.

Sipas procedurave në institucionet evropiane, pasi Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për një vend, procesi i vendimmarrjes zhvillohet në dy pista: në nivel të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së.

Vendimi merret me shumicë të cilësuar, që nënkupton votën e 55 për qind të shteteve anëtare, popullsia e të cilave përfaqëson 65 për qind të të gjithë popullsisë së BE-së.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë lëvizjen e lirë në shtetet e Evropës.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë liberalizimin e vizave nga viti 2009 e Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria morrën liberalizimin në vitin 2010.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat