Krasniqi: 1 tetori 1997 ishte kambana që lëkundi themelet e Jugosllavisë

Aktuale

Krasniqi: 1 tetori 1997 ishte kambana që lëkundi themelet e Jugosllavisë

Më: 1 tetor 2022 Në ora: 12:25
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një postimi në Facebook ka rikujtuar protestat studentore të 1 tetorit në vitin 1997.

Ai ka shkruar se ishte një protestë gjithëpopullore që ka lëkundur themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

“Në ballë të kësaj proteste të madhe studentore, para 25 vitesh, do të gjendej Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Ejup Statovci dhe personeli akademik, që bashkë me studentët e nën organizimin e UPSUP, shfaqeshin si kurrë më parë, të bashkuar, të vendosur dhe me një zë kundër shtypjes dhe regjimit autoritar të Millosheviçit”, ka shkruar Krasniqi.

Ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, sipas Krasniqit, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari.

“Këmbana që zgjoi vetëdijen liridashëse edhe në Prishtinë me 1 tetor, bëri që shumë studentë e studente të kapnin armët dhe t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – në shërbim të idealit të çlirimit. Nderim i përjetshëm të gjithë kontribuuesve për lirinë e Kosovës!”, tha Krasniqi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat