‘Rezistencë ndaj politikave shpopulluese të Vuçiç’/ Berisha thirrje shqiptarëve në Serbi: Regjistrohuni masivisht

Aktuale

‘Rezistencë ndaj politikave shpopulluese të Vuçiç’/ Berisha thirrje shqiptarëve në Serbi: Regjistrohuni masivisht

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 18:38
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, dhe të gjithë shqiptarëve në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Në prononcimin për mediat jashtë sallës së Kuvendit, Berisha theksoi se ‘format e përdorura nga serbo-madhi Vuçiç për të ç’regjistruar banorët e këtyre komunave nga trojet e tyre shekullore janë unikë në botë’.

Berisha: Një thirrje vëllazërore për të gjithë shqiptarë e Luginës së Preshevës, Bujanovcit, Medvegjës, dhe të gjithë shqiptarëve në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po bën kjo republikë, një regjistrim problematik dhe ka bërë gjithçka Vuçiç me politikat që ka ndjekur të zvogëlojë artificialisht popullatën shqiptare në trevat e veta mijëvjeçare në Luginën e Preshevës.

Format e përdorura nga serbo-madhi Vuçiç për të ç’regjistruar banorët e këtyre komunave nga trojet e tyre shekullore janë unikë në botë. Njëra prej të cilave, mjafton që portieri të trokasë në derë dhe të mos e hapë kush, ajo familje ç’regjistrohej. Edhe dhjetëra forma të tjera. Kjo idiosinkrasi që ultranacionalistët serbë dëshmojnë ndaj shqiptarëve, ky racizëm primitiv duhet të marrë vetëm një përgjigje; regjistrimin masiv të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, në Serbi apo në Europë e SHBA, pranë vatrave të tyre familjare si banorë të fshatrave të Luginës së Preshevës. Aty ata kanë  qenë në shekuj dhe aty do të jenë, duke rezistuar natyrisht programeve të egra shpopulluese të serbomadhisë.

Edhe njëherë thirrja ime është të regjistrohet çdo shqiptar, me origjinë, ose i lindur në komunat e Luginës së Preshevës, kudo që ndodhen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat