MPJD demanton zyrtarët e Serbisë në raport me anëtarësimin e Kosovës në KiE

Aktuale

MPJD demanton zyrtarët e Serbisë në raport me anëtarësimin e Kosovës në KiE

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë, se ka arritur të heqë nga rendi i ditës anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Lajmi se Serbia ka arritur t’i bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, që kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të mos jetë në agjendën e takimit të sotëm të Komitetit të Ministrave në Strasburg, është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Në përgjigje për Radio Kosovën, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk ka qenë e paraparë në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, në nivel të ambasadorëve.

Ahmeti tha se kjo është dezinformatë e radhës nga Serbia.

Gjatë ditës është raportuar nga media të ndryshme në Serbi, kinse ky vend ka bllokuar përfshirjen e  Kosovës në agjendën e KiE-së.

Megjithatë, nga zyrtarë të KiE-së kanë thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.

Kërkesën zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka dorëzuar me 12 maj të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat