Mësimdhënësve në 6 Qendrat e Kompetencës u kanë dalë pagat me minus 100 euro

Aktuale

Mësimdhënësve në 6 Qendrat e Kompetencës u kanë dalë pagat me minus 100 euro

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 18:30
Ilustrim

Sot pasdite janë ekzekutuar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit grevistë. E për këtë, Hanife Salihu nga Këshilli Grevist i SBASHK-ut, njoftoi se mësidhënësve në 6 Qendrat e Kompetencës në kuadër të Ministrisë së Arsimit, u kanë dalë pagat me minus 100 euro.

Salihu bëri të ditur se deri më tani ekzekutimi i pagave në komuna tjera është bërë në mënyrë të rregullt.

“Ndoshta shumë shpejt diku pas orës 16:00 ka filluar ekzekutimi i pagave. Mund të ju them që 6 Qendra të Kompetencës të cilat janë në kuadër të Ministrisë së Arsimit, pagat u kanë dalë me minus 100 euro. Mirëpo, dua të besoj që është ndonjë gabim teknik, ngase nuk kanë arsye që atyre t’iu ndalin nga 100 euro. Përndryshe, tek të tjerat komuna, pagat u kanë dalë në mënyrë të rregullt deri më tani”, tha Salihu.

Më tej, Salihu tha se vendimi i Qeverisë Kurti për ekzekutim të pagave është për t’u përshëndetur, pasi sipas saj, qeveritarët më në fund kanë reflektuar që ndalesa e pagave për sektorin e arsimit ka qenë antiligjore.

Nga 25 gushti deri më 1 tetor sektorë të ndryshëm publikë ishin në grevë në kërkim të 100 eurove shtesë në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Qeveria i ndau nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, në kuadër të pakos për përballje të inflacionit, por kjo s’gjeti pajtim te grevistët. Megjithatë, greva u pezullua më 1 tetor pa marrëveshje mes palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat