Një nga ngjarjet më të bujshme, që kur Rusia ia mësyu pushtimit të Ukrainës, ka ndodhur sot. Ra Khersoni, një prej katër rajoneve, që autoritari Putin u mundua ta shpallte triumfalisht, si fitore ruse!
Vetëm disa javë nga shpallja e aneksimit të këtyre territoreve nga Rusia, njëri prej bastioneve të pushtuesve rus ra, bashkë me të duket se përfundimisht ra edhe miti për ushtrinë ruse.
Rusia drejt disfatave të vazhdueshme
Mbase në këtë kuptim, Serbia, Vuçiqi dhe Kremlini kaluan në një skenar tjetër për ta dëmtuar Kosovën, duke ndryshuar strategji rrënjësisht.
Nga strategjia 200 vjeçare e dhunës dhe terrorit ndaj shqiptarëve, kaluan në një dimension pacifist, dhe ku nëpërmjet kësaj sjellje, bojkotimit të institucioneve të Republikës, mundohen t’i shpallin serbët si viktima dhe fajtor institucionet e Kosovës, pasi dështuan në retorikën e tyre, për rreth një vjet, se “serbët në veri po terrorizohen”!
Këtë nuk e gëlltiti Perëndimi, i ndodhur këtu në dhjetëra misione, si në KFOR, EULEX, UNMIK, OSBE, si prani në ambasada, në investime etj.,
Por, rënia e Khersonit, përveç se një lajm shumë i mirë për ukrainasit, ai është një lajm shumë i mirë për tërë botën.
Jo pse shpresat për paqe po rikthehen, por sepse Rusia po shkon drejt një disfate të sigurtë, dhe se regjimit të Putinit po i ngushtohen hapësirat e veprimit.
Një nga kryelajmet sot në mediat botërore, si në CNN, BBC etj., ishte njoftimi publik i Rusisë, se ajo do të tërhiqet nga Khersoni, kryeqytet i vetëm prej katër rajoneve, që Kremlini i mbante të pushtuar, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Njoftimin e dha në televizionin publik rus, Komandanti rus në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, i cili tha se nuk ishte më e mundur të vazhdohej furnizimi në qytet, transmeton BBC.
Sipas strategëve ushtarak tërheqja vlerësohet si një goditje e rëndësishme, pasi Rusia nuk po ia del të përballet me një kundërsulm ukrainas.
Vetë diktatori Putin, e në fund të muajit shtator e pat shpallur aneksimin e Khersonit dhe tri rajoneve të tjera.
Po ashtu sipas këtyre raportimeve ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu ka urdhëruar trupat ruse të tërhiqen në bregun e djathtë të lumit Dnjepër.
Fitorja e Ukrainës në Kherson, një nga objektivat kryesore të ofensivës jugore të Kievit, do të shihet gjerësisht si një goditje e rëndësishme për presidentin rus, Vladimir Putin, vetëm disa javë pas një ceremonie të profilit të lartë në Moskë, në të cilën ai njoftoi aneksimin e Khersonit së bashku me tre rajone të tjera.
Megjithatë Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Ukrainës në Jug është treguar e matur sa i përket kësaj tërheqje, madje duke dyshuar se mund të jetë thjesht një provokim i armikut. "Ne nuk e përjashtojmë provokimin. Shohim që fjalët të mos përkojnë me veprimet. Kërkojmë nga të gjithë të kenë durim që ne të zbulojmë rezultatet e operacionit tonë”, ka thënë ajo, transmeton CNN.
Pavarësisht kësaj NATO-ja, këtë arritje e ka komentuar si meritë të forcave ukrainase, por edhe të ndihmës së ofruar nga Perëndimi.
"Fitimet që po i arrijnë forcat e armatosura ukrainase u përkasin ushtarëve të guximshëm ukrainas, por sigurisht që mbështetja që ata marrin nga Mbretëria e Bashkuar, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s është gjithashtu thelbësore”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me kryeministrin e ri britanik Rishi Sunak, transmeton BBC.
Veriu i Kosovës duhet spastruar nga grupet kriminale të Serbisë
Nëse Ukraina ia ka dalur ta krijojë një kontekst të ri krejtësisht në raport me Rusinë dhe ndihmën e SHBA-ve, NATO-n etj., atëherë pse ne duhet të kemi frikë nga Serbia?
A nuk ia vlen edhe ne ta pyesim vetën, çfarë do të ndodhë pas disa javësh, nëse Serbia i largoi nga puna, nga institucionet e Republikës, të gjithë zyrtarët, drejtuesit dhe nëpunësit e saj?
A mund të jetë ky një skenar, që veçanërisht ata policë që hoqën uniformën dhe që shumë prej tyre, madje në mënyrë absolute, deri më tash kanë vepruar në bazë të urdhrave të Serbisë, që tani e tutje të armatosen?
Ka muaj, bazuar në sulmet ndaj policisë së Kosovës, me bomba e armë zjarri, por tashmë disa ditë po qarkullojnë informacione se po lëvizin njerëz të uniformuar edhe me simbole e shenja ruse.
Por, rreziku për një përshkallëzim është në rritje, pasi tashmë grupet që vepronin brenda Policisë së Kosovës, do të dalin në një “ndërrim të vetëm”, si forca të Serbisë kundër Kosovës!
Futja e armatimit nga andej kufirit, po thuhet se është rritur! Por, a nuk janë shqiptarët të gatshëm ta bëjnë atë që po bëjnë ukrainasit kundër Rusisë? Nëse ra Khersoni, a nuk do të biejnë grupet kriminale në veri, në një tokë, që formalisht e zyrtarisht është nën sovranitetin e Kosovës? A mos ka ardhur koha, ajo që kam shprehur si dëshirë, që e kërkonin shumë vite më parë, zyrtarë të lartë amerikan, për ndryshimin e karakterit të Serbisë?!