Avokati Koci kritikon ekspozimin e pikturave të Rexhep Selimit në Muzeun e Kosovës: Piktori që e “mujti” Picason

Aktuale

Avokati Koci kritikon ekspozimin e pikturave të Rexhep Selimit në Muzeun e Kosovës: Piktori që e “mujti” Picason

Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 14:48
Foto nga ekspozita

Avokati Arianit Koci është treguar kritik për ekspozimin e pikturave të Rexhep Selimit në Muzeun e Kosovës.

Ai tha se kudo në një “shtet normal”, në Muzeun qendror, apo atë kryesorin, nuk mund të hyjë çfarëdo artisti.

“Në New York, Londër apo Paris, në muzetë e njohura kam parë vepra të artistëve eminentë botërorë.  Seleksionimi është i ashpër.  Kur ekspozohen veprat e dikujt, nënkuptohet që është apo ka qenë artist i madh. Nuk ka kompromis në përzgjedhje: respektohet vizitori, arti, artisti dhe vetë shteti”, ka shkruar Koci.

Ai thotë se ka respekt për veprën e Selimit në luftë, por thotë se pozita e tij nuk përmirësohet në këtë mënyrë: në dëm të artit dhe artistëve.
Sipas Kocit, ekspozita e pikturave do të ishte më e pranueshme të bëhej në Kuvend apo Qeveri.

Statusi i plotë:

Dhjetëshi, piktori që e “mujti” Picason

1.

Mbi njëqind e dhjetë (110) piktura të krijuara për dy vite?

Si është e mundur?

Mona Lisa e Leonardo da Vinci-t, sipas Giorgio Vasarit, biografit të tij, është punuar mbi katër vite.

Është e mundur!

Nëse nuk besoni, vizitojeni ekspozitën në Muzeun e Kosovës – vendin ku ishte dashur të ekspozohen vetëm veprat e artistëve më të spikatur.

Do t’i shihni 110 vepra të nënshkruara  me R 10.

Rexhep Selimi, dhjetëshi i njohur i luftës për liri.

2.

Kudo në një shtet normal, në Muzeun qendror, apo atë kryesorin, nuk mund të hyjë çfarëdo artisti.

Hyn elita botërore apo ajo e vendit.

Shpesh ndodh që mos të ketë fare ekspozitë; mund t’i shohësh vetëm artefaktet dhe veprat e artit që janë të përhershme në muze.

3.

Në Neë York, Londër apo Paris, në muzetë e njohura kam parë vepra të artistëve eminentë botërorë.

Seleksionimi është i ashpër.

Kur ekspozohen veprat e dikujt, nënkuptohet që është apo ka qenë artist i madh.

Nuk ka kompromis në përzgjedhje: respektohet vizitori, arti, artisti dhe vet shteti.

4.

Ekspozita e R10, nuk është e koncipuar kronologjikisht e as nuk shpreh segmente tematike të piktorit.

Në fakt, Rexhen po e kam problem si ta emëroj: piktor apo autor.

Dhjetëshi, ndoshta është mënyra më e mirë.

5.

Dhjetëshja në veprat e tija, një pjesë të madhe ia kushton ambientimit të peisazhit dhe paraqitjes së jetës së përditshme në mënyrë abstrakte.

Çiftelija, plisi, lulet, irisi dhe disa figura abstrakte më zgjuan kureshtjen.

Ma zgjoi kureshtjen edhe piktura që i kishte disa figura në formë të gjarpërinjve.

E kërkoja lidhjen në mes vizatimeve dhe emrit të ekspozitës: Në garë me botën gri.

Nuk e gjeja.

6.

Rexhen e njoh dhe kam respekt për kontributin e tij në luftë.

Po mbahet padrejtësisht në Hagë.

Por, pozita e tij nuk përmirësohet në këtë mënyrë: në dëm të artit dhe artistëve.

Cili artist serioz vjen me ekspozitë apo perfomancë, tash e tutje në Muzeun e Kosovës?

7.

Nëse qeveria dhe politikanët kanë dashur të dërgojnë ndonjë porosi me këtë ekspozitë, në rregull.

Por, ekspozita është dashur të organizohet në hollin e Kuvendit të Kosovës apo Qeverisë.

Madje, edhe në sallën e Kuvendit kishte qenë më e pranueshme të bëhet ekspozita.

8.

Rexha këndon relativisht mirë duke e pasur parasysh që është këngëtar amator.

Më mirë se Ramushi

Pikturat?

Nuk është piktor, do të thoshte dikush, çka ke pritë?

Nëse nuk është piktor, pse ekspozita e tij është organizuar në vendin që konsiderohet Meka e artit në çdo shtet?

Pse në Muzeun e Kosovës?

Si zakonisht, politikanët e padijshëm po bëjnë më shumë dëm se dobi.

Plus, po dalim qesharak!

Sidoqoftë, Rexhës i dëshiroj kthim sa më të shpejtë, dhe chapeau për kontributin dhe heroizmin në luftë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat