Shqipëria e Kosova festojnë bashkë / Ngrihet flamuri kombëtar në Vlorë, Begaj: Shqipëria ka detyrim fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon

Aktuale

Shqipëria e Kosova festojnë bashkë / Ngrihet flamuri kombëtar në Vlorë, Begaj: Shqipëria ka detyrim fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon

Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 06:29 Përditësuar në ora: 11:48 më 28.11.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

Ngrihet flamuri kombëtar në Vlorë, Begaj: Shqipëria ka detyrim kushtetues për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon

Në Vlorë, aty ku u ngrit flamuri i Pavarësisë 110 vite më parë, sot festojnë shqiptarë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe kosovar janë bërë bashkë këtë 28 Nëntor dhe kanë ngritur flamurin kuq e zi në sheshin Pavarësia.

Pranë monumentit të Pavarësisë, vendosën kurora me lule edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, drejtues të pushtetit vendor, si dhe qindra qytetarë të Vlorës dhe jo vetëm.

Qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Çamëria, të pranishëm në ceremoni urojnë në këtë vit Jubilar për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Në një fjalim nga sheshi i Flamurit, Presidenti Begaj uroi të gjithë shqipfolësit kudo ndodhen për ngjarjen më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Begaj tha se historia kombëtare e vendit është histori luftërash e sakrificash të paepura për liri, histori përpjekjesh të pafundme për dije e progres dhe histori e një populli që dashurinë për tokën dhe atdheun e ka mbi gjithçka.

Teksa foli për arritjet e Shqipërisë dhe rolin e saj në rajon por jo vetëm, kreu i shtetit tha se vendi ka rrugë të gjata për të bërë, sidomos në rrugëtimin e saj në BE.

“Pavarësia e Shqipërisë ishte dhe mbetet vepër e madhe e kombit shqiptar, e brezave dhe patriotëve të panumërt, që me përgjegjësi historike, në ditët e rrezikut të madh, jetësuan vullnetin shekullor të popullit, me shumë guxim dhe largpamësi”, tha Begaj.

“Ishte trimëria e djelmnisë kosovare dhe asaj mbarëshqiptare, që me heroizmin e qëndresën e kultivuar ndër shekuj, i dolën për zot vatanit dhe i demonstruan mbarë botës shenjtërinë e lirisë, gjuhës, atdheut dhe identitetit tonë kombëtar”, shtoi presidenti.

“110 vjet pas shpalljes së pavarësisë, jemi dëshmitarë të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Ballkan, në Evropë e në mbarë botën”, tha Begaj, duke shtuar se Shqipëria ka detyrimin për fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.

“Kemi detyrim ndaj vëllezërve shqiptarë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe diasporë në përmbushje të detyrimeve kushtuese dhe kombëtare”, tha Presidenti, duke shtuar se “me ata nuk na bashkon vetëm gjuha dhe historia e përbashkët, por edhe aspirata kombëtare e Integrimit Europian dhe vlerat që ne ndajmë e dëshmojmë për paqen, bashkëjetesën, mirëkuptimin dhe begatinë.”

“Kemi sakrifikuar si asnjë komb tjetër në rajon, por sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që synon integrimin në BE dhe NATO. Shqipëria mundet dhe duhet të mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim, të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme; bashkëudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur e rrugëtimit të saj Euro-Atlantik. Të dashur motra dhe vëllezër, Patriotët e mëdhenj që nderojmë sot janë shembulli më i mirë i bashkimit për interesat kombëtare”, ka theksuar Begaj.

“Me këtë mesazh, unë dua t’i bëj apel sot vetëdijes shqiptare se atdheu dhe kombi kanë nevojë për përkushtimin, përgjegjësinë, shërbimin dhe dashurinë e secilit prej nesh. Nga Vlora e bukur e flamurit, uroj sot të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, Arbëreshët, dhe shqiptarët kudo në botë.”

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. 

​Klinaku: Urojmë festën e 28 Nëntorit gjithë popullit shqiptar

Homazhe te varrezat e Jasharëve në Kompleksin Memorial në Prekaz bënë sot edhe pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve Luftës se UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku me këtë rast uroi popullin shqiptar me rastin e kësaj feste të madhe kombëtare.

Klinaku: Urojmë festën e 28 Nëntorit gjithë popullit shqiptar

Kjo ditë koincidon me ditëlindjen e komandantit Adem Jashari. Po ashtu, dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës në vitin 1997 ku Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj dalin publikisht në emër të UÇK-së, i tregojnë popullit të Kosovës se këtu ka zot dhe këtu do të luftohet për çlirimin e tokave të Shqipërisë. Ashtu siç ishte betimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në emër të OVL-së iu urojme gjithë shqiptarëve, urime kjo ditë po ashtu edhe në emër të bashkëluftëtarëve në Hagë që gjenden prapa grilave në Hagë, iu urojmë po ashtu festën e 28 Nëntorit gjithë popullit shqiptar”, tha ai.

Në ditën e shënimit të 28 nëntorit Ditës se Flamurit dhe ditëlindjes se komandantit legjendar, Adem Jashari, homazhe te kompleksi memorial në Prekaz kanë bërë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislmi bashkë me ministrat, partitë politike e shumë qytetarë.

​Kusari-Lila: Përulje para sakrificës së familjes Jashari, është e pashembullt në kombin tonë

Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në ditën e lindjes se komandantit legjendar, Adem Jashari sot Homazhe në kompleksin

Memorial në Prekaz kanë bërë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë më anëtar të kësaj partie.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se

Kusari-Lila: Përulje para sakrificës së familjes Jashari, është e pashembullt në kombin tonë

Jemi këtu sot në nderim të 28 nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin shqiptar në një peshë të veçantë ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, 110 vjetori i shpalljes të Shqipërisë së pavarur dita e flamurit një ditë që në peshë dhe rëndësi çdoditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet e sa e rëndësishme është të kujtohet se sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre të nuk janë më sot me përulje si çdoherë tjetër për të nderuar një sakrificë e cila është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës me tërë familjen dhe përpjekjeve të vazhdueshme inspirinit dhe mesazhin që sakrifica e familjes Jashari dha pastaj për ushtarët e UÇK”, tha ajo.

Homazhe tek kompleksi memorial në Prekaz ka bërë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bashkë me kabinetin qeveritar.

​Bislimi: Do të punojmë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar të realizohen

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të punojë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari të realizohen.

Bislimi ka bërë homazhe para varrezave të familjes Jashari në Prekaz në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bislimi: Zotohemi që për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e Adem Jasharit të realizohen

Në vendin ku më mirë se gjithkund tjetër në Kosovë të dëshmohet sakrifica jonë në këtë ditë të rëndësishme, ku jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetë-mohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”, tha ai.

Më 28 nëntor shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

​Begaj: Shqipëria do të jetë zëri i Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe do të jetë zëri i saj.

Në ceremoninë e festimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, Begaj tha se kombin shqiptar i bashkon aspiratat euro-atlantike.

Para krerëve institucional të Kosovës, presidenti shqiptar tha se pavarësia e Shqipërisë mbetet vepra më e madhe e kombit shqiptar.

​Tre krerët institucional të Kosovës në ceremoninë e festimit të pavarësisë në Vlorë

Tre krerët institucional të Kosovës po marrin pjesë në ceremoninë e festimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, krye parlamentari, Glauk Konjufca, krahas homologëve të tyre në Shqipëri vendosën kuroran lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit.

Derisa u bë ngritja e flamurit kombëtar, liderët parakaluan nën shoqërinë e gardës ceremoniale në Shqipëri.

Shqipëria sot feston Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit.

Zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit

Ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar e zhvilluar në Vlorë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë ka bërë bashkë krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në qytetin ku më 28 nëntor 1912, Isamil Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u organizua edhe këtë vit ceremonia festive.

Në ceremoni mori pjesë kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Pas ceremonisë, ata vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

​Përfaqësues të institucioneve bëjnë homazhe në Prekaz

Në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka bërë homazhe para kompleksit memorial në Prekaz.

Për të shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar dhe Festës e Flamurit, institucionet në Kosovë kanë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore.

Shqiptarët sot festojnë 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shpallur nga Ismail Qemali më 1912 në Vlorë.

Krerët e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës janë mbledhur sot të Shtëpia e Pavarësisë në Vlorë për të shënuar këtë festë shqiptare.

Gjithashtu të dielën deputetët nga dy kuvendet kanë mbajtur mbledhjen e parë të përbashkët./B.Ibishi 

Kosova nis festën e Flamurit me homazhe te busti i Skënderbeut

Për nder te ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, krerët e shtetit bënë homazhe pranë busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Të pranishëm ishin zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministri Besim Bislimi, ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla, ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i financave, Hekuran Murati.

Nisin ceremonitë shtetërore për Ditën e Flamurit

Kanë filluar ceremonitë festive shtetërore për nder të Ditës së Flamurit.

Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe pranë përmendores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Bazuar në agjendën shtetërore, në orën 10:00, do të bëhen homazhe edhe në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, në komunat e Republikës, janë paraparë të organizohen aktivitete të ndryshme festive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat