Vrasja te Gjinekologjia: Fjalët e fundit që gruaja shtatzëne ia tha dorasit para se ai ta qëllonte

Aktuale

Vrasja te Gjinekologjia: Fjalët e fundit që gruaja shtatzëne ia tha dorasit para se ai ta qëllonte

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 20:22
Foto nga vendi i ngjarjes

Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht para Klinikës së Gjinekologjisë, rreth orës 18:00 ndodhi një vrasje e rëndë që e tronditi opinionin.

Sipas burimeve të medias, një grua 35-vjeçare që kishte shkuar për ta lindur foshnjën e saj në Klinikën e Gjinekologjisë, u qëllua me dy plumba nga ish-bashkëshorti i saj.

Vrasja e saj ndodhi pikërisht në oborrin e kësaj klinike ku ka pasur edhe kalimtarë rasti.

Klani ka rënë në kontakt me një dëshmitare e cila i ka dëgjuar fjalët e fundit të viktimës para se ajo të vritej.

“Po, më duket se ka qenë shtatzënë sepse ka bërtitur: ‘pasha këtë fëmijë që kam me lind sonte’”.

“Ai veç e ka nxjerrë alltinë prej xhepit dhe e ka qëlluar dy herë”, ka shtuar dëshmitarja.

Menjëherë pas raportimeve për vrasjen e gruas shtatzënë, media e ka kontaktuar Policinë e Kosovës e cila ia ka konfirmuar vrasjen.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35-vjeçare”.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë zyrtarja e për Informim e Policisë, Flora Ahmeti.

Më vonë, lajmin se viktima u qëllua për vdekje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë e konfirmoi edhe vetë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat