Presidentja Osmani dënon vrasjen e gruas shtatzënë: Një tjetër krim makabër e çnjerëzor

Aktuale

Presidentja Osmani dënon vrasjen e gruas shtatzënë: Një tjetër krim makabër e çnjerëzor

Nga: M.Haziri Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 21:12
Presidentja, Vjosa Osmani

Kosova është tronditur orë më parë me vrasjen e gruas 35 vjeçare në QKUK.

Gruaja e cila ishte shtatzënë në muajin e fundit, u vra para spitalit të Gjinekologjisë.

E në lidhje me këtë ka reaguar edhe presidentja, Vjosa Osmani.

Ajo u shpreh se sonte vajton një Kosovë e tëre pasi u shuan dy jetë, përcjell “Bota sot”.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”, shkruan presidentja.

Ndër të tjera ajo shton “borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI”.

Postimi i plotë

Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër "burrë" që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës.

Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë!

Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë. Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë.

Asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne. Përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat