Vrasja e shtatzënës, reagon Prokuroria: Kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia

Aktuale

Vrasja e shtatzënës, reagon Prokuroria: Kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia

Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 12:21
Pamje nga vendi i ngjarjes

Prokuroria Themelore e Ferizajt, sot ka dhënë informacione për rrjedhën e ngjarjeve lidhur me rastin mbrëmshëm në Prishtinë, ku është vrarë një grua shtatzënë.

Prokuroria ka njoftuar se me datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S.H, nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer vepër penale "Dhuna në familje" nga neni 248, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas komunikatës, prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe me datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M, dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës. Ndërsa, një ditë më vonë, përkatësisht me datën 10.08.2022, sipas prokurorisë, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.H, për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, me datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023. Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka potencuar se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale.

Ndryshe, mbrëmë një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt, sot ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35 vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat