BE-ja thotë se emërimi i Nenad Rashiqit ministër për Komunitete është anti-kushtetuese

Aktuale

BE-ja thotë se emërimi i Nenad Rashiqit ministër për Komunitete është anti-kushtetuese

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 14:49
Zëdhënësi i BE'së, Peter Stano

I pyetur rreth vlerësimeve se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me emërimin e Nenad Rashiqit Ministër për Komunitete dhe Kthim, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se  “emërimi i Rashiqit në këtë pozitë nuk i plotëson kriteret kushtetuese”.

“Leximi ynë paraprak është se emërimi nuk i plotëson kriteret kushtetuese – por kjo i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ta përcaktojë”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano në një konferencë për media.

Stano shtoi se respektimi i Kushtetutës së Kosovës është pjesë kyçe e sundimit të ligjit dhe se Brukseli pret që Kosova t’u përmbahet këtyre parimeve.

“BE i bën thirrje Kosovës që të sigurojë që të gjithë hapat e nevojshëm procedural gjatë emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë të  respektohen plotësisht. Kjo është edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh situatën tashmë të brishtë të sigurisë në terren,” tha Stano.

Zëdhënësi i Brukselit shtoi se çdo veprim që do të çonte në rritje të tensioneve duhet të shmanget dhe u bëri thirrje palëve që urgjentisht të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në të gjitha institucionet e Kosovës, në përputhje me marrëveshjet detyruese për dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat