Begaj: Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi do të ishte kontributi më i mirë për paqen

Aktuale

Begaj: Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi do të ishte kontributi më i mirë për paqen

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 18:51
Bajram Begaj

Në kuadër të vizitës në Selinë e Shenjtë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin, Pietro Parolin, ku ka thënë se arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit.

Presidenti Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin dhe mbështetjen që Selia e Shenjtë dhe në mënyrë të veçantë Papa Françesku kanë dhënë jo vetëm për rimëkëmbjen shpirtërore të shqiptarëve të besimit katolik, por veçanërisht për lartësimin e historisë dhe të modelit të bashkëjetesës e të harmonisë fetare të shqiptarëve.

Sipas një komunikate, Begaj e njohu gjithashtu Kardinalin Parolin me vokacionin dhe progresin e Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian, angazhimet e saj në kuadër të forcimit të fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023.

Duke u ndalur tek çështja e Kosovës, presidenti Begaj, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira kanonike mes Selisë së Shenjtë dhe komunitetit katolik të Kosovës, si dhe shprehu besimin për angazhimin e mëtejshëm të Shtetit të Vatikanit në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Me gjithë progresin e bërë, paqja dhe siguria në rajon mbeten ende shumë të brishta, ndaj dhe arritja e një marrëveshje, ligjërisht të zbatueshme, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të ishte kontributi më i mirë për paqen, stabilitetin dhe progresin e të gjithë rajonit” – nënvizoi Presidenti Begaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat