​Themelohet kolegjiumi për diasporë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës

Aktuale

​Themelohet kolegjiumi për diasporë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 18:39
AKK

Në takimin me Zyrtarët Komunalë për Diasporë është themeluar Kolegjiumi për Diasporë në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës e ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i AKK-së, tha se duhet të fuqizohet roli i diasporës andaj themelimi i Kolegjiumit të Diasporës do të jetë i rëndësishëm, pasi që ky kolegjium do të jetë bartës i shumë proceseve, i promovimit të aktiviteteve të ndryshme.

Sipas tij, është e nevojshme të bëhet një strategji e përbashkët e planit vjetor të aktiviteteve, të cilat mund të mbështeten financiarisht nga MPJD-ja. Po ashtu Ibrahimi elaboroi punën dhe angazhimin e Asociacionit të Komunave me theks rolit të strukturave të tij dhe të Kolegjiumeve tjera.

Ndërsa Sylë Ukshini, drejtor i Departamentit për Diasporë në MPJD, theksoi se ky takim vjen edhe si nevojë e përmbushjes se detyrimeve qe rrjedhin nga Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet MPJD-së dhe AKK-së, të firmosur më 1 korrik 2022 ndërmjet zëvendëskryeministres Donika Gervalla dhe kryetarit të AKK-së Agim Aliu.

Ukshini shtoi se intenca e këtij memorandumi është koordinimi më i mirë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal në çështjen e organizimeve për diasporën tonë dhe nevoja e krijimit të një agjende me përmbajtësore në këtë drejtim.

Në diskutimet e tyre, zyrtarët komunalë për diasporë mirëpriten këtë ide dhe nevojën për një koordinim për çështjet e diasporës sonë dhe atë jo vetëm gjatë periudhës verore.

Ata theksuan po ashtu që një pjesë e madhe e tyre kanë edhe pozita tjera, por që tashmë janë të ngarkuar edhe me këtë detyrë si punë shtesë, andaj kërkuan që kjo çështje të ngrihet në nivel më të lartë.

Përfaqësuesit komunalë diskutuan për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me diasporën, ku dhanë ide e u shkëmbyen përvoja e modele të ndryshme pune.

Të pranishmit u dakorduan që në takimin e radhës të bëhet edhe zgjedhja e organeve drejtuese të Kolegjiumit për Diasporë ndërkohë të përgatitet një listë e planeve dhe programeve të mundshëm për vitin 2023 dhe të bëhet një draft strategji e Kolegjiumit të Diasporës në bashkëpunim me MPJD-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat