Hoti kërkon që Kuvendi sa më parë ta shqyrtojë projektligjin për Trustin, përsërit propozimet për Qeverinë

Aktuale

Hoti kërkon që Kuvendi sa më parë ta shqyrtojë projektligjin për Trustin, përsërit propozimet për Qeverinë

Nga: N.E. Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 15:27
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusit Pensional.

Sipas, Hotit, kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por zgjidhje e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve.

Ai ka përsëritur propozimet e tyre për që Qeveria t’i dalë në ndihmë qytetarëve.

“Sot, Komisioni për Buxhet e miratoi projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional, i cili është iniciativë e mbi 21 mijë qytetarëve. Kuvendi i Kosovës duhet që sa më parë ta shqyrtojë këtë projektligj në seancë plenare.

Sigurisht se kjo nuk është zgjidhja e duhur për tejkalimin e krizës ekonomike nga inflacioni, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve për të përballuar më lehtë krizën pasi kanë munguar masat substanciale nga Qeveria. Masat e ndërmarra kanë qenë të kufizuara kryesisht në skemat sociale dhe pensionale”.

“Siç kemi propozuar vazhdimisht, Qeveria ka pasur dy mundësi në dispozicion për tu dalë në ndihmë qytetarëve përmes: (1) rritjes së pagave së paku sa është norma e inflacionit dhe rritjes së pagës minimale në sektorin privat ose (2) uljes së TVSH-së nga 18% në 8% dhe heqjes së përkohshme të akcizës”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20 për qind për shkak të rritjes së çmimeve.

“Të dyja këto masa kanë qenë plotësisht të realizueshme, sepse të hyrat buxhetore janë rritur me mbi 20% për shkak të rritjes së çmimeve.

Në vend që mjetet buxhetore të shpenzohen duke i rritur pagat dhe duke i realizuar projektet kapitale, sot në buxhetin e shtetit janë grumbulluar rreth 700 milionë euro që po i zhvlerëson inflacioni.

Këta qeveritarë as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e buxhetit në rritje të pagave e në projekte kaptiale, e as nuk i ulin tatimet dhe akcizat për t’ua lënë në dispozicion qytetarëve ato mjete.

Përderisa nuk i përfillen propozimet tona si opozitë për ndihmë ndaj qytetarëve, në seancë plenare projektligji për tërheqjen e mjeteve të Trustit Pensional duhet të votohet”, ka shkruar tutje, Hoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat