“Zero tolerancë ndaj dhunës” nga bandat serbe në veri të Kosovës!

Aktuale

“Zero tolerancë ndaj dhunës” nga bandat serbe në veri të Kosovës!

Nga: Idriz Morina Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 16:02
Pamje nga sulmet edhe me bomba të serbëve në veri, ndaj komisioneve zgjedhore

“Zero tolerancë ndaj dhunës”, është mesazhi kryesor që diplomatët perëndimorë e kanë dhënë së fundi për ngjarjet e djeshme në veri, të cilat çuan në mbylljen e zyrave të KQZ-së, në disa qytete në atë pjesë.

Sulmet padyshim se u kryen nga bandat kriminale, tashmë disa javë të gatshme për dhunë, të orkestruara dhe të kontrolluara nga Serbia.

Por, sulmet me bomba, fillimisht tymosëse dhe gjatë orëve të mbrëmjes me bomba vrasëse, prodhim jugosllav, janë një alarm i vërtetë për sigurinë brenda shtetit.

Qeveria dhe Presidenca i kanë dënuar aktet e mbrëmshme duke u zotuar për sundim të rendit dhe ligjit. Por, ndërkohë opozita nuk ka qenë shumë e qartë, dhe veçanërisht AAK-ja, mezi ka pritur që ta fajësojë kryeministrin Albin Kurti. Vetëm LDK-ja ka kërkuar sundim të rendit dhe demokracisë, duke i kërkuar institucioneve bashkëveprim me miqtë ndërkombëtar.

Image
Pamje nga shpërthimi në veri

“Dialog me autorët e akteve terroriste?”

Megjithëse, ne do të donim të shihnim reagime më të përcaktuara nga ndërkombëtarët, por ata për shkak të sjelljes diplomatike, nuk shkojnë përtej kufirit të Kosovës, duke e parë si një problem të brendshëm. Ndoshta ende nuk e shohin si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Serbisë, ose për shkak të qëndrimeve të ndara në Perëndim, për zgjidhjen që e mendojnë për veriun, qoftë për shkak të planit të quajtur franko-gjerman.

Qeveria e Kosovës duket më e vendosur, që t’i shkojë deri në fund procesit zgjedhor, të shpallur për 18 dhjetor, por jo edhe pa informacione shtesë.

Këtë e ka konfirmuar deri më tash zëdhënësi i saj Përparim Kryeziu.

“Pengimi apo pamundësimi i tyre (zgjedhjeve) është sulm ndaj demokracisë”. “Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri”, ka shkruar ai në FB. Por, megjithatë ai ka thënë njësoj si Presidenca se po i presin raportet e sigurisë për të marrë një vendim rreth zgjedhjeve, apo nëse duhet shtyrë ato.

Këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti, duke parë disa nga reagimet e diplomatëve që bënin thirrje për dialog, i është kundërpërgjigjur me anë të pyetjeve sugjestive, se nëse është i mundur një dialog për zbatim të ligjit apo edhe më keq, me ata që kryejnë akte terroriste.

“Dialog pa sundim të ligjit? Dialog me autorët e akteve terroriste? Si?”, ka shkruar Fëllënza Podrimja.

Por, ambasadori amerikan në Kosovës Jefry Hovenier, ka qenë i qartë, duke theksuar se pas ngjarjeve të djeshme nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve.

Ai nuk ka folur, nëse këto zhvillime dëshmuan edhe mungesën e vullnetit të shumicës për zgjedhje apo thjesht për shkak se SHBA-ja ka informacione të besueshme se çfarë po përgatit Serbia, që të ndodhë.

Bazuar në opinionin e ambasadorit Hovenier, mbajtja e zgjedhjeve duket një hap i vështirësuar.

Ndërsa, ambasadori gjerman Jörn Rohde ishte më lucid në kundërshtimin j ndaj dhunës së përdorur nga serbët.

“Mirë që PK-ja në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.

Image
Policia duke kontrolluar mbrëmë pas shpërthimeve

A mund të luajë ndonjë rol FSK-ja?!

Bazuar në rrjedhën e deritashme të ngjarjeve nuk është se ka një rrezik aq të lartë, sa të përfshihet që tani ushtria e Kosovës.

Por, provokimet e tilla janë vërtetë një alarm që FSK-ja, nuk duhet të jetë e heshtur apo e pazonja për të bërë punën e saj.

Ato që quhen ndalesa, duken më shumë se i takonin një karakteri të vullnetshëm të drejtuesve të institucioneve, për konfirmim varësie ndaj autoritetit të jashtëm, përkatësisht pranisë ndërkombëtare.

Deri më tash është e qartë që ekziston vetëm një letër e dërguar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, tek komandanti i NATO-s Rasmunsen, në vitin 2013.

Sipas kësaj shkrese, e cila nuk është një trakt ndërkombëtar, rezulton se thjesht Qeveria e Kosovës e merr përsipër, që të mos e dërgojë FSK-në në veri, pa u dakorduar me KFOR-in.

Në këtë rast, Qeveria e tashme e Kosovës apo Presidenca, mund t’i shkruajnë një letër NATO-s, nëpërmjet së cilës ia shpjegojnë arsyet pse FSK-ja mund dhe duhet të dërgohet në veri, sipas vlerësimeve të situatës nga institucionet e sigurisë.

Edhe ky hap, pra e drejta e dërgimit të ushtrisë, FSK-së në veri, është e lidhur ngushtë me të drejtën kushtetuese të vendit.

FSK-ja, mendoj se duhet të çlirohet nga kjo pengesë, dhe si shtyllë kryesore e sigurisë së Kosovës, duhet që të dal nga izolimi apo barriera, që nuk e lejon të vendoset në veri.

Image
Inspektime policore gjatë natës pas sulmeve me bomba nga bandat serbe
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat