​Ndërtimet pa leje, ministri Aliu përplaset me disa deputetë të LVV-së

Aktuale

​Ndërtimet pa leje, ministri Aliu përplaset me disa deputetë të LVV-së

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 15:57
Liburn Aliu

Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum në vendimmarrje për Projektligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Gjatë shqyrtimit të tij, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka debatuar me disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët e quajtën diskriminues dhe të gabueshëm projektligjin. Mirëpo, ministri Aliu tha se i njëjti është i domosdoshëm, pasi mbi 75 për qind e objekteve në Kosovë janë pa leje. Debati mes mazhorancës iu pëlqeu edhe opozitës, derisa kjo nga LVV u konsiderua si dëshmi për ata që thonë se në Vetëvendosje s’ka demokraci.

Duke prezantuar projektligjin, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, se synimi i tij është vazhdimi i afateve për legalizim deri në vitin 2025.

Aliu: Përmes këtij projektligji synohet vazhdimi i afateve për legalizim

Përmes këtij projektligji synohet vazhdimi i afateve për legalizim dhe ofrimi kohës shtesë për krijimin e programeve qeveritare për trajtimin e ndërtimeve pa leje të përfshira në listën e pritjes. Po ashtu përmes këtij ndryshimi synohet të vazhdohet zbatimi deri në një politikë të re të qeverisë për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Qëllimi i këtij projektligji është ndryshimi dhe plotësimi i ligjit dhe ka qëllim të adresojë këto çështje. Ndryshimi i dispozitave në lidhje me afatin ligjor për aplikim legalizim të ndërtimeve pa leje në mënyrë që të vazhdohet afati për aplikim”, tha ai.

Mirëpo, atij i reagoi deputeti i mazhorancës, Dimal Basha, i cili tha se ky projektligj është i gabueshëm dhe shërben që abuzuesit dhe ata që kanë ndërtuar pa leje të shpërlahen me këtë ligj.

Basha: Abuzuesit shpërlahen me këtë ligj

Duhet të ndryshohet në shumë forma. Në formën që ka ardhur nuk besoj se duhet të votohet nga deputetët e parlamentit. Unë po ndërlidhem tek kategoria e dytë që janë ndërtimet banesore dhe vërejtjet më të mëdha janë këtu. Pyetja është se çka legalizohet për shkak se qytetarët duhet të dinë. Po fillojë tek përkufizimet, ndërtimet e papërfunduara dhe të përfunduara, komplet që kanë filluar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji. Përkufizimi tjetër thotë se ndërtimi i më shumë kateve se që e ka pasur të lejuar. Ta zëmë nëse ka pasur leje për tetë kate, ndërtuesi i ka shtuar edhe katër kate mbi të, atëherë ato katër kate shpërlahen me këtë ligj”, tha ai.

Në anën tjetër, edhe ministri Aliu e konsideroi se Projektligji është i padrejtë dhe diskriminues, por tha se është i domosdoshëm. Ndërkohë, theksoi se ai nuk amniston gjithë ata që kanë bërë vepra penale në aspektin e ndërtimit.

Aliu: Mbi 75 për qind e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje

“Në parim, deputeti Basha ka të drejtë. Ne po flasim këtu për trajtimin e ndërtimin të pa lejeve. Kur themi pa leje ne nënkuptojmë shkeljen, pra dikush ka ndërtuar pa leje dhe ne administrojmë ndërtues pa leje derisa i legalizojmë ata. Ne në një mënyrë bëjnë edhe diskriminim, pasi kur dikush ka ndërtuar me leje dhe ka ndjekur gjitha procedurat, ka paguar taksa dhe ka hekë shumë derisa i ka bërë projektet dhe detajet që ia kërkojnë procedurat, tjetri që ka ndërtuar pa leje përnjëherë i tejkalon me një veprim të vetëm që është legalizimi. A i amnistojmë ligjërisht unë nuk mund të them, por nuk mendoj se krimi mund të administrohet me legalizimin. Por jemi në situatën që 352 mijë objekte në Kosovë janë pa leje, veç Prishtina i ka 46 mijë objekte pa leje. A e dini sa është kjo, mbi 75 për qind të ndërtimeve në komunën e Prishtinës dhe gjithë Kosovën janë ndërtime pa leje”, theksoi ministri Aliu.

Në debat u përfshinë edhe deputetët të tjerë të LVV-së, Haki Abazi dhe Enver Haliti, të cilët mbështetën qëndrimin e kolegut të tyre në Grupin Parlamentar.

Ndërsa, deputeti tjetër i LVV-së, Arbër Rexhaj, tha se ky polarizim i mendimeve mes bashkëpartiakëve është dëshmi për ata që thoshin se s’ka demokraci në LVV.

Rexhaj: Ata që kanë thënë se në LVV s’ka demokraci të brendshme, ja mund të shihni

“Ata të cilët kanë thënë se brenda Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka demokraci të brendshme, ja mund të shihni. Ka koncepte, dallime të cilat shfaqen edhe në publik”, tha ai.

Ky debat i pëlqeu edhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala, i cili tha për herë të parë po sheh një debat konstruktiv të mazhorancës.

Shala: Për herë të parë pash një debat konstruktiv të mazhorancës

“Dëgjova debatin e brendshëm të mazhorancës nga fillimi deri tash. Ndoshta për herë të parë e them publikisht se pash një debat që po mundohet me gjetë një rrugë, së paku ideja është konstruktive. Po më vjen mirë prapë se ministri po ballafaqohet me të vërtetën, realitetin, dukuritë të prekura nga planifikimi”, tha ai.

Meqenëse nuk pati kuorum për të votuar për Projektligjin, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat