Syla i AAK-së i reagon Petkoviqit: Na trego datën, të pres unë me 100 bashkëluftëtarë

Aktuale

Syla i AAK-së i reagon Petkoviqit: Na trego datën, të pres unë me 100 bashkëluftëtarë

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 13:03
Gazmend Syla dhe Petar Petkoviq

Sekretari Organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla ka thënë se është i gatshëm që bashkë me 100 bashkëluftëtarë të tij të përballet me ushtrinë serbe.

Në një kundërpërgjigje ndaj një deklarate të Petar Petkoviqit, drejtorit të ashtuquajtur të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se për “ne ish-luftëtarët e UÇK-së është obligim e detyrë me ra në fushën e nderit duke e mbrojt atdheun”.

“Krejt çka të mbetet Petkoviq veç me na tregu datën, të presim në kufi me 100 bashkëluftetarë të Pejës të cilët i përfaqësoj”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë të gatshëm të shkojnë në luftë.

“Numri besoj mjafton se edhe në luftë kështu kemi qenë me numra, po ju jeni frikacak. Për ne ish luftëtarët e UÇK-së është obligim e detyrë me ra në fushën e nderit duke e mbrojtë Atdheun. Kurrë ma të gatshëm nuk na keni gjetë, se edhe ashtu nuk bëjmë ndonjë jetë luksi”, ka deklaruar Syla. “Çdo ditë po luftojmë me jetën”.

Paraprakisht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Në pjesën veriore të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ka pasur disa incidente ditëve të fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat