Deputeti nga radhët e LVV, Mefail Bajqinovci përmes një postimi në Facebook ka shkruar në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të vendit.
Bajqinovci tha që përfaqësuesit e BE-së kanë zgjedhur të heshtin karshi provokimeve të vazhdueshme të serbisë nda policisë së Kosovës, përcjell “Bota sot”.
“Kjo sjellje me dy standarde të ndryshme për të njëjtën çështje e Brukselit është e paparanueshme”, shtoi tutje deputeti.
Postimi i plotë
Përfaqësuesit e BE-së, zgjodhen heshtjen kur u drejtuan bomba e zjarr të armëve të gjata ndaj policisë së Kosovës në komunat veriore nga ana e bandave, të sponsorizuara nga kreu shtetëror i Republikës së Serbisë, megjithatë, ata nuk heshtën kur u sulmuan patrollat e EULEX-it në veri.
Kjo sjellje me dy standarde të ndryshme për të njëjtën çështje e Brukselit është e paparanueshme. Ajo madje mund të nxisë ende më shumë tensione në veri.
Kjo nuk është as politikë e neutralitetit sepse nuk ka neutralitet kur ndeshen në një anë një polici e një shteti demokratik, e ndërtuar dhe e stërvitur edhe nga burimet e shteteve të BE-së dhe në anën tjetër, bandat që nxisin, sponsorizojnë e eksportojnë kriminalitet ndërkufitar.
Kosova është e përcaktuar për paqe, siguri dhe zhvillim të mirëfillt demokratik dhe ky përcaktim domosdo kalon kah luftimi i pakompromis i bandave e grupeve të organizuara kriminale.
Ne këtë do ta bëjmë gjithnjë e më shumë sepse kriminaliteti rrezikon sigurinë e paqen në vendin tonë e ndaj njerëzve që jetojnë në Kosovë pa dallim, e poashtu rrezikon edhe paqen e sigurinë në rajon e në vet Evropën.