​S’ka kuorum, Kuvendi dështon të miratojë strategjinë për energjinë 2022-2031

Aktuale

​S’ka kuorum, Kuvendi dështon të miratojë strategjinë për energjinë 2022-2031

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 07:57 Përditësuar në ora: 17:54 më 22.12.2022
Kuvendi i Kosovës

​S’ka kuorum, Kuvendi dështon të miratojë strategjinë për energjinë 2022-2031

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë strategjinë për energjinë për periudhën 2022-2031.

Vetëm 58 deputetë votuan për, përkundër që prezentë në sallë ishin 73 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri të ditur se nesër në orën 11:00 do të mbahet seanca e re plenare, ku mes tjerash do të hidhet në votim edhe strategjia për energjinë e cila është e hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë shqyrtimit të strategjisë në Kuvend, partitë opozitare e kritikuan atë duke quajtur të mangët.

​Opozita kritikon strategjinë për energji të hartuar nga qeveria

Kuvendi i Kosovës po shqyrton strategjinë për energji për periudhën 2022-2031 për të cilën opozita ka drejtuar kritika.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se strategjia e prezantuar nga qeveria nuk ka plan veprimi.

Shala: Strategjia për energjinë nuk ka plan veprimi

“Kjo strategji nuk ka plan veprimi, kjo strategji nuk e di as kur fillon as mbaron, vetëm e ka emrin 2022-2031 dhe na thua komplet kostoja e kësaj është 3.6 miliardë. Kryeministër, sepse ministri ne financave nuk e de këtu por e ke zëvendësin, pjesëtoi për tetë vjet afat të kësaj strategjie 3.6 miliardë sa po të dalin investime vjetore, dhe a ka kapacitet ky vend, na po e shohim sa e keni realizuar buxhetin, mbi 360 milion deri 380 milion euro kapacitet financiar duhet të ketë vetëm sektori energjetik për të implementuar strategjinë, të arrihen caqe dhe objektivat, e parealizueshme, e paarsyeshme, e pamundshme”, ka thënë Shala.

Ai gjithashtu ka thënë se strategjia bie ndesh me ligjet bazike mjedisore.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deputetja Valentina Bunjaku strategjinë për energjinë e ka quajtur punim të dobët seminari.

Bunjaku: Strategjia për energjinë pa zgjidhje konkrete

“Strategjia e energjisë 2022-2031 nga qeveria e Kosovës është vetëm analizë, vetëm përshkrim, vetëm tekst, pa asgjë konkrete, pa asnjë zgjidhje. Është një punim i dobët seminari, ka përgjithësime, ka teori, ka konstatime, por zgjidhje nuk ka... A ka përgjigje kjo strategji, a do të pranohet projekti i gazit nga amerikanët që dëshiron ta pavarësojë Kosovën, Ballkanin dhe vendet e BE-së nga gazi rus, nuk ka përgjigje, ka ikje nga tema kryesore nga projekti kryesor, nga zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme nga aleati ynë më besnik. Nga strategjia e qeverisë ka teori dhe deklarata të thata”, ka thënë ajo.

Sipas Bunjakut, strategjia ka pretendime për dhjetë vjet, por nuk ka zgjidhje për dimrin aktual dhe qytetarët nuk e dinë ende a do të ketë reduktime.

Ndërsa deputeti Pal Lekaj ka thënë se në këtë strategji mungon pjesa ku duhej të vendosej për krijimin e investimeve në infrastrukturën energjetike dhe pjesa e intervenimit shtetëror në kosto të kredive investuese në këtë sektor.

Lekaj: Me këtë strategji na pret terr i madh për dhjetë vjet

“Kjo qeveri dhe pse kemi pasur gjatë krizë energjetike, pas 22 muajve e sjell strategjinë e energjisë që aspak nuk i përmbush nevojat e qytetarëve, kjo qeveri ka qenë pengesë e gjitha investimeve në këtë sektor, edhe kur ka qenë në opozitë edhe tash që 22 muaj nuk kemi investime në këtë sektor dhe me këtë mund t’ju them qytetarëve se me këtë strategji na pret terr i madh për dhjetë vjet”, ka thënë Lekaj.

​Rizvanolli: Bursa e përbashkët Shqipëri-Kosovë gjatë vitit 2023

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditë, atë të shqyrtimit të Strategjisë së Energjisë të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se nevojitet sektor energjetike më i fortë dhe i pastër, andaj ka kërkuar nga deputetët miratimin e kësaj strategjie.

Rizvanolli ka thënë se Qeveria e Kosovës e përkushtuar të rrisë planifikimin e përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë.

Rizvanolli: Integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet i lartë për shtetin tonë

“Përgatitjet për vendosjen në sistemin për caktimin e çmimit të karbonit do të bëhen deri në vitin 2025, ndërsa emetimi i gazrave nga termocentralet do ta ulin për së paku 32% deri në vitin 2031. Sistemi elektro-energjetik i Kosovës do të integrohet në tregun rajonal dhe atë panevropian në vitin 2030 më së largu, ndërsa pavarësia e tij do të sigurohet gjithnjë e më shumë përmes burimeve të ripërtrishme të energjisë. Integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë funksionalizimi i plotë i bursës shqiptare të energjisë, pra bursës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila pritet të ndodh në vitin 2023’, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se kjo strategji përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Rizvanolli: Energjia për ngrohje gjatë dimrit aktualisht përbën ndër sfidat kyçe të sistemit eletrko-energjetik

“Energjia për ngrohje gjatë dimrit aktualisht përbën ndër sfidat kyçe të sistemit eletrko-energjetik dhe kjo është brenga më e madhe e qytetarëve që i kam takuar anë e mbanë Kosovës gjatë konsultimeve publike. Andaj me kënaqësi ju them se planet janë ambicioze për të rritur numrin e qytetarëve që përfitojnë nga ngrohja qendrore kolektive me çmime të përballueshme dhe atë jo vetëm në Prishtinë e Gjakovë, ku tanimë ka ngrohje qendrore të qytetit. Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti presim rezultatet e studimit të fizibilitetit për ngrohje qendrore të qytetit në tetë komuna të tjera, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjilan, Kastriot apo Obiliq, Mitrovicë, Prizren dhe Zveqan. Po trajnohen mundësitë e përdorimit të burimeve të pastra e të qëndrueshme përfshirë biomasën, ngrohjen gjeotremike, pompat termike solare e të tjera, dhe në bazë të rezultateve do të vendosim për investime në projekte specifike dhe burimet apo teknologjitë që do të përdoren duke reflektuar specifikat e komunave”, ka thënë ajo.

Në sistemet ekzistuese, ajo ka thënë se parashihet zgjerimi i rrjetit dhe dyfishimi i kapacitetetit të kogjenerimit nga KEK nga 140 në 280 megavat termike, si dhe shtimi i së paku 50 megavateve termike të energjisë solare në Prishtinë dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Gjakovë.

Ndërsa, Komisioni për ekonomi, Tregti e Industri, pas shqyrtimit i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e kësaj strategjie.

Shala (PDK) e uron Kurtin për rritjen e pagës, Konjufca i thotë se edhe deputetëve iu është rritur

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, e ka uruar kryeministrin Albin Kurti, pas miratimit të projektligjit për Pagat e Zyrtarëve Publikë.

“Një përshëndetje të veçantë dhe një urim kryeministrit, pasi sapo ia miratuam dy ligje dhe ia kemi ngritur pagën. Urime paga kryeministër, sot ke nejt burrnisht këtu dhe ke fitu mirë. Urime paga!”, tha Shala.

Pas kësaj ndërhyri kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili i tha depuetit se edhe atij iu është ngritur paga.

“Edhe juve deputetëve ju ka rritë paga, përpos nëse nuk e pranoni”, tha Konjufca.

Shala sërish vazhdoi t’i fliste Kurtit.

“Kryeministër, për herë të parë e kemi pa sot që paga t’u ka ngritë dhe mirë e ke prit, mazhoranca t’ka duartrokit“, u shpreh ai.

Haxhiu për Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik: Nuk u përfillën kërkesat e sindikatave dhe organizatave

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka kritikuar Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik që është hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se nuk janë marrë parasysh kërkesat e organizatave dhe sindikatave që marrin paga nga buxheti i shtetit të Kosovës.

“Ky do të duhej të ishte një prej ligjeve më të rëndësishme për punëtorët e administratës, për shërbyesit civilë, për mësimdhënësit, për profesionistët shëndetësorë, për ushtarët, për policët, për zjarrfikësit dhe për të gjithë ata që marrin pagë nga buxheti i Kosovës”.

“Do të duhej të ishte si një lloj ditë feste për ta sepse deputetët, të zgjedhurit e tyre, janë duke e votuar dhe po e përmbushin një detyrë të atyre që me përkushtim dhe me profesionalizëm ushtrojnë funksionet shtetërore”.

“Për fat të keq ky projektligj po vjen në votim duke u shpërfillur të gjitha kërkesat e sindikatave dhe organizate punonjëse që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

​Tahiri: Koeficienti minimal duhet të jetë 121 euro

Në shqyrtimin e dytë të ligjit për pagat në sektorin publik, shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të tregojë koeficientin në të kundërtën tha se ky ligj është mashtrim për zyrtarët publik.

Ai ka thënë se vonesa me ligjin e pagave i ka dëmtuar punëtorët në sektorin publik.

Tahiri: Për me marrë votën tonë, dikush duhet të na thotë se koeficienti minimal është 121 euro

“Për me marrë votën tonë dikush duhet me dalë me na thënë koeficienti minimal kushtimisht është 121 euro, nëse është 121 euro atëherë ka rritje goxha serioze, nëse e bën 105 euro, 110 euro atëherë është problem. Ndërsa më së miri për vlerësimin tim është koeficientin bazë ta merrni 129 euro për shkak se të para shikueshmëria dhe shuma e pagës të zyrtari publik afrohet shumë me kërkesa të cilat janë edhe me moszvogëlizmin e pagave. Sepse ne e kemi problem që dikush mundet me na u kap si e drejtë e njeriut, nëse i zvogëlohet paga shumë që kjo e ndikon drejtpërdrejt. Andaj kërkoj prej juve që dikush të del prej juve të del kryeministri, ose ministri i financave ose zvëvendëskryeministri të na thoni ne kemi planifikuar këtë vit meqenëse kjo punë do të ndodh, si të kalojë ky ligj ju nuk keni qare, obligoheni si qeveri me marrë një vendim me tregu koeficientin, nëse nuk e tregoni, atëherë kjo është një mashtrim, është një torturë që i bëhet secilit zyrtar publik, sepse ai ose ajo në pozitën e caktuar nuk e di sa e ka rrogën”, ka thënë ai.

Seanca po vazhdon me votimin e disa amendamenteve të propozuara nga deputetët. Ndërsa, në fund pritet që projektligji të hedhet në votim.

​Bajrami: Zyrtarët publikë me ligjin e ri s’do të kenë siguri në paga

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se me ligjin për pagat në sektorin publik, nuk është paraparë një koeficient bazë dhe paga e zyrtarëve publik asnjëherë nuk dihet sa do të jetë me datën 1 janar sepse gjithmonë ka me qen subjekt i mendimit të ministrit të Financave apo i një qeverie.

Në emër të LDK-së, Bajrami tha se për këtë ligj nuk dite vlera monetare e koeficientit dhe se sot kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati duke të tregojë se nëse i merr votat, kur do të hyjë në fuqi,

“Ata 83 mijë zyrtarë të cilët me padurim po e presin, disa prej tyre sepse disa dëmtohen në qoftë se marrin referenca dhe nëse bëjnë krahasime me pozitat dhe pagat që i kanë pas paraprakisht, ata që po e presin me padurim duhet ta dinë se sot në këtë Kuvend, 110 deputetët sa jemi në sallë nuk e di saktësisht se kur ky ligj do të hyjë në fuqi....duhet të ketë një koeficient bazë, zyrtarët publik 83 mijë sa janë në sektorin publik, duhet të kenë siguri për pagën e tyre, domethënë paga e zyrtarëve publik me hyrjen në fuqi të këtij ligji asnjëherë nuk dihet sa do të jetë me datën 1 janar sepse gjithmonë ka me qen subjekt i mendimit të ministrit të Financave, subjekt i një qeverie e cila ndoshta është në fushatë zgjedhore ka mundësi me u ngrit por nëse përballet me kriza, atëherë ka mundësi edhe me u zbrit“, tha ajo, duke shtuar se asnjë amendament i propozuar nga opozita nuk është votuar.

Ajo shtoi s epa u adresuar këto çështje, LDK nuk do ta votojë këtë projektligj.

​Miratohet në lexim të dytë projektligji për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për zyrtarët publikë.

Ku projektligji ka marrë mbështetjen e deputetëve të pushtetit me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime.

Ndërsa partitë opozita e kanë kundërshtuar atë.

Seanca po vazhdon.

​Miratohet projektligji për zyrtarët publikë

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për zyrtarët publikë.

Projektligji ka marrë mbështetjen e deputetëve të pushtetit me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime.

Ndër ta edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ndërsa partitë opozita e kanë kundërshtuar atë.

​Tahiri: Ligji për zyrtarët publikë e varros meritokracinë në administratën shtetërore

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se projektligji për zyrtarët publik e varros meritokracinë në administratën shtetërore.

Në seancën ku po shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për zyrtarët publik, Tahiri ka shprehur kundërshtimin e AAK-së për miratimin e tij.

Tahiri: Përpara kemi një ligj i cili e varros meritokracinë në administratën shtetërore

“Përpara kemi një ligj i cili na vjen në këtë seancë për shkak se në një moment të caktuar Gjykata Kushtetuese i ka kontestuar disa nene, dhe pas 22 muajve kur kalkulojmë 14 shkurtin, në emër të platformës punësim dhe drejtësi që ka qenë platforma pulitke e programit të Vetëvendosjes na vjen një ligj i cili në thelbin e vet e varros meritokracinë në shërbimin publik, në administratën shtetërore.. Të dashur deputetë, ku ligj besoni në pozitën më të keqe kam e ju vendosë sot juve, e nesër neve, se nuk ka askush nuk i ka 50%, sot jeni ju, nesër do të jemi ne, nesër kushdo që të jetë ministër do të detyrohet që në emër të përshtatshmërisë që është nocion në ligj, të pranojë një emërim politik”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat