Vrasja në Prizren, “Kobra” del para Gjykatës - deklarohet avokati i tij

Aktuale

Vrasja në Prizren, “Kobra” del para Gjykatës - deklarohet avokati i tij

Më: 4 janar 2023 Në ora: 10:43 Përditësuar në ora: 12:45 më 04.01.2023
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra”

“Kobra”: Vëllai im nuk ishte në vendngjarje momentin kritik, erdhi pasi dikush i kishte thënë se më kanë vrarë

Në seancën paraprake në Gjykatën Themelore në Prizren, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”, i cili dyshohet për vrasjen e së martës në Prizren, tha se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin kritik, por erdhi më pas, ngase dikush i kishte thënë se e kanë vrarë atë (Hoxhën).

Ai tha se pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Nexhat Elshani, ndërsa theksoi se i pandehuri Enver Amrallahu në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por i njëjti ka ardhë pasi është informuar nga dikush lidhur me ngjarjen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha  i dyshuari Hoxha.

Hoxha tha se Armallahu ka ardhë pasi kishte marrë informacione se ai (“Kobra”) është vrarë.Seanca është duke vazhduar me deklarimet e palëve të tjera.

Ndryshe, sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar, 1.5 të Kodit Penal. 

Prokuroria kërkon paraburgim për “Kobrën” dhe pesë të tjerët

Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhën, i njohur si “Kobra” dhe pesë të tjerët, të dyshuar për vrasjen e V.C, të martën në Prizren.

Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se duke marrë parasysh veprat penale që dyshohen se janë kryer, vepra penale e vrasjes së rëndë është e rrezikshmërisë së madhe me dënueshmëri të lartë, kjo tregon rrezikun e ikjes së të dyshuarit nga territori i Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies nga procedura penale.

Sipas prokurorisë, Dibran Hoxhaj me të pandehurit e tjerë – të punësuar në lokalin e tij tregojnë rrezikun se të njëjtit mund të ikin me qëllim të shmangies nga procedura. Pika 1.2.2, meqë sapo kanë filluar hetimet dhe në vijim pritet marrja në pyetje të pandehurve, dëshmitarëve V.D dhe E.K dhe dëshmitarëve eventual që mund të rrjedhin nga procedura e hetimeve, nisur nga fakti se personat të dyshuar si Dibran Hoxha dhe të dyshuarit tjerë janë në raporte të afërta në mes vete, se i pandehuri Dibran është pronar i lokalit ku ka filluar përleshja dhe të pandehurit tjerë janë punëtorë të të pandehurit Dibran dhe këto raporte mes tyre tregojnë rrezikun për të ndikuar në njëri-tjetrin në dëshmitarë apo edhe në asgjësimini fshehjen apo ndryshimin e ndonjë prove të rëndësisë për veprat penale në fjalë.

Gjithashtu, në kërkesë thuhet se mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, karakteristikat personale të të pandehurit Dibran Hoxha, sjelljet e tij të mëparshme të njohura për organet e drejtësisë, tregon rrezikun e përsëritjes së sërishme të veprimeve të njëjta apo të ngjashme të pandehurve. – pas analizimit të shkresave të lëndës dhe masave të parapara për sigurinë e pranisë të pandehurit, bazuar në nenin 187, para. 1 nënparag. 1.3 të KPPK-së, pas shqyrtimit në tërësi të shkresave të lëndës,

Në fund të kërkesës thuhet se Prokuroria ka ardhur në përfundim se në këtë fazë të procedurës masat tjera alternative janë të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë të pandehurve, andaj me qëllim që procedura e hetimeve të zhvillohet pa pengesa, konsideroj se është e domosdoshme që ndaj të pandehurve të caktohet paraburgimi me qëllim të zhvillimit normal dhe pa pengesa të procedurës penale.

Vrasja në Prizren, “Kobra” del para Gjykatës - deklarohet avokati i tij

Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” së bashku me pesë personat e tjerë do të paraqiten në Gjykatën Themelore të Prizrenit sot në orën 10:30 për caktimin e masës së sigurisë. Lajmin ka bërë të ditur avokati i tij, Nexhat Elshani.

Elshani tha se është përshpejtuar procesi dhe se senaca pritet të mbahet rreth orës 11:00.

“Është përshpejtuar, në 10:30 do të mbahet senaca. Por deri në 11:00 nuk janë kushtet që të mbahet” – tha ai.

Kujtojmë se, mëngjesin e së martës në Prizren, pas një përleshje të nisur në lokalin e natës “Kobra City”, nga të shtënat me armë zjarri një person mbeti i vrarë, kurse një tjetër është plagosur, të dy shtetas të Shqipërisë.  

Aty një 31 vjeçar ka mbetur i vrarë e një tjetër i plagosur. Sipas prokurorisë konflikti,  nisi lidhur me pagesën e faturës së shpenzimeve, shkruan Insajderi.

Vrasja e 31 vjeçarit kukësian qe dyshohet se u krye nga “Kobra” – krejt çfarë dihet deri tani

Ditën e djeshme, avokati i tij, Nexhat Elshani tha se “Kobra” është i pafajshëm.

Sipas tij Kobra u mbrojt në heshtje. I pyetur se a është fajtor “Kobra” për vrasjen ai tha se përderisa ai nuk pranon fajësinë edhe avokati mendon njëjt si ai që është i pafajshëm.

Vlen të theksohet se, lokali i natës “Kobra City” në Prizren, ku mëngjesin e djeshëm nisi një përleshje e cila përfundoi me një të vdekur e një të plagosur, është mbyllur nga Drejtoria e Inspektoratit.

Kujtim Gashi, Jesmir Badallaj, Burim Mazreku, Enver Amrllahi, Arben Vezaj janë njerëzit e afërt të Diban Hoxhajt, të cilët u ndaluan dje nga Policia e Kosovës, pasi dyshohen për pjesëmarrjen në rrahje gjatë një konflikti në lokalin e natës “Kobra City”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat