Bega: Me koeficientin e ri, paga e presidentes dhe kryeministrit është jashtëzakonisht e ulët

Aktuale

Bega: Me koeficientin e ri, paga e presidentes dhe kryeministrit është jashtëzakonisht e ulët

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 18:26
Erton Bega

Me përcaktimin e koeficientit të ri, paga e presidentes dhe kryeministri të vendit është e ulët. Kështu vlerëson ekonomisti, Erton Bega.

Bega thotë se në Evropë, kryeministri ka pagën shtatë herë më të lartë.

“Pagat e kryeministrit, presidentes në qoftë se nuk duan të hyjnë në konflikt të interesit do të mundej përmes një dispozite kalimtare që rritja në këto paga të ishte në një fazë më të vonshme, ndoshta pas dy mandatave të parlamentit. Unë konsideroj që paga e presidentes të Kosovës, kryeministrit, është përcaktuar jashtëzakonisht e ulët. Nëse i marrim edhe sistemin e vlerave në Evropë, paga e këtyre pozicioneve, sidomos e atij që mban përgjegjësinë për të drejtuar popullin, në këtë rast kryeministri, është shtatë herë më e lartë”, deklaroi ai.

Ai tha se nuk mund të krahasohen përgjegjesitë e presidentes me ato të zjarrfikësve apo mësuesve.

“Sigurisht që duhet të ketë dallim, përgjegjësia e presidentes dhe përgjegjësia e zjarrfikësit, me gjithë respektin për zjarrfikësit, është totalisht e ndryshme, sa ankesat, sa presionet publike i merr presidentja, familja e saj, të afërmit e saj, për shkak të pozicionit të saj, nuk krahasohet me zjarrfikësin apo mësuesin”, shtoi ai.

Sipas vlerës së koeficientit të ri të pagave, nga 5 shkurti 2023, presidentja e vendit do ta ketë pagën 1 mijë e 890 euro, ndërsa kryeministri 1 mijë e 785 euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat