Kush është Kai Ambos – Gjyqtari i Speciales që la të hapur lirimin e Thaçit dhe kërkoi uljen e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Aktuale

Kush është Kai Ambos – Gjyqtari i Speciales që la të hapur lirimin e Thaçit dhe kërkoi uljen e dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 16:23
Kai Ambos, i rrethuar me të kuqe

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Hagë ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt u dha. Atyre iu hoqën nga 3 muaj dënim, duke bërë që nga 4 vjet e gjysmë, ata të dënohen me 4 vjet e 3 muaj burgim. Megjthatë, jo të gjithë gjyqtarët u pajtuan me këtë vendim.

Është gjyqtari Kai Ambos, pjesë e këtij paneli, që kërkoi ulje edhe më të madhe të dënimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt. Ambos në qëndrimin e tij të ndarë, ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të shpallen të pafajshëm edhe për një pikë të aktakuzës.

Ambos kërkoi që Gucati e Haradinaj të dënohen me vetëm 4 vjet, e jo 4 vjet e 3 muaj siç vendosi trupi gjykues. Por, meqë ishte i vetëm në këtë qëndrim, dy anëtaret e tjera e mbivotuan.“Gjyqtari Ambos pajtohet me pikat 1,3,5 dhe 6. Gjykatësi Ambos nuk pajtohet me shumicën lidhur me interpretimin e vendimit të fajshëm të Kodit Penal të Kosovës. Mbi këtë bazë ai do të kishte shpallur të pafajshëm lidhur me pikën 1, dhe do ta kishte ulur dënimin në 4 vjet”, tha kryetarja e trupit gjykues gjatë shpalljes së vendimit.

Edhe në disa pika tjera të konstatimeve të trupit gjykues, Ambos gjithashtu kishte pasur qëndrim ndryshe duke mos u pajtuar.

Ambos dhe rasti Thaçi

Megjithatë, Kai Ambos nuk është emër i panjohur për opinionin në Kosovë. Ai ishte kthyer në një gjyqtar të pëlqyer pasi ishte një nga të vetmit që kishte lënë të hapur mundësinë e lirimit të Hashim Thaçit nga paraburgimi.

Ambos në një prej parashtresave të tij, kishte specifikuar se nëse një shtet i tretë jep garanci për zbatimin e arrestit shtëpiak, atëherë lirimi i Thaçit duhet të shqyrtohet seriozisht.

“Një shtet i tretë që mund të marrë (pranojë) dhe, nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar ose të akuzuar. Shteti mund të paraqes një ofertë të rëndësishme, ndoshta vendimtare brenda kornizës së lirimit me kusht. Ndërsa kjo ofertë ishte tepër e paqartë, siç thuhet me të drejtë në vendim dhe, në çdo rast, do të kërkohej një zotim i shprehur nga shteti i tretë, një ofertë e tillë mund të ishte më e saktë dhe konkrete në rastet e ardhshme dhe, në vijim, logjika i Panelit për këtë vendim mund të jetë një argument i fortë në favor të lirimit me kusht. Sigurisht, vendimi konkret është gjithmonë specifik për secilin rast dhe oferta e Shtetit të Tretë nuk garanton kurrsesi se do të jepet lirimi me kusht. Këtu, përsëri, unë thjesht dua të rris ndërgjegjësimin, domethënë që një ofertë e tillë, nëse bëhet konkretisht dhe mbështetet me garanci, përfshirë nga Shteti i Tretë përkatës, mund të zhvendosë ekuilibrin në favor të lirimit me kusht dhe për këtë arsye duhet të konsiderohet seriozisht nga Gjyqtari gjykues ose Kolegji kompetent”, thuhej në parashtrimin e Kai Ambos.

Megjithatë, edhe në këtë rast Ambos ishte i vetëm. Ai u mbivotua nga anëtarët e tjerë të trupit gjykues, dhe Thaçit e të tjerëve iu refuzuan kërkesat për lirim nga paraburgimi.Madje, në Kosovë ishte diskutuar me të madhe fakti që Ambos, në ankesat e tjera nuk ishte caktuar në trupat gjykues të Gjykatës së Apelit. Për disa herë me radhe, Kai Ambos, nuk ishte pjesë e paneleve.

Mirëpo, kryetarja e Gjykatës Speciale e kishte mohuar kategorikisht që largimi i Ambosit, kishte të bënte me qëndrimin rreth lirimit të Thaçit.

“Pikë së pari ne jemi gjykatë që bazohet në sundimin e ligjit. Në ligj thuhet se gjyqtarët do të emërohen dhe mbikëqyren sipas nenit 62 të Ligjit dhe Kushtetutës. Gjyqtarët emërohen përmes një procesi shumë të rreptë të filtrimit. Para një paneli të pavarur që përbëhet nga tre anëtarë, dy gjyqtarë ndërkombëtarë me reputacion të lartë dhe ekspertizë të madhe, dhe një juristi të njohur. Buxhetimi, mbikëqyrja, vendi rregullohen me Ligjin”, deklaronte kryetarja e Gjykatës Speciale.

Gjyqtari Kai Ambos është nga Gjermania, dhe disa herë është nderuar edhe me mirënjohje atje.

Dënimi i Gucatit dhe Haradinajt

Gjykata e Apelit në Hagë ka vendosur që t’ua ulë për nga 3 muaj dënimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Ata do të qëndrojnë në burg 4 vjet e 3 muaj burgim, për dallim nga 4 vjet e gjysmë sa ishin të dënuar në shkallën e parë.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues të apelit, Michele Picard.

Ajo ka deklaruar se pothuajse në të gjitha arsyetimet e shkallës së parë së gjykatës, ka pasur bazë dhe argumente, duke rrëzuar kështu ankesat e avokatëve të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Me 9 vjet burgim ishin dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Hagës muaj më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat