Derisa numri i viktimave nga tërmeti në Turqi vjen duke u rritur - aktualisht mbi 5 mijë - institucionet e Kosovës konfirmojnë se, tash për tash, në mesin e tyre nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti, mëngjesin e 6 shkurtit.
“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thanë nga MPJD-ja, pa dhënë më shumë detaje.
Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me ndonjë anëtar të këtyre familjeve.
REL-i foli një ditë më herët me sekretarin e Federatës së Mundjes së Kosovës, Genci Fazlia, i cili bashkë me një ekip mundësish ndodheshin në qytetin Kahramanmarash të Turqisë, kur u godit nga tërmeti.
“Të gjitha objektet përreth nesh u shkatërruan, vetëm objekti jonë mbeti në këmbë, ai hoteli ku ishim ne të vendosur. Kemi qenë në rrezik. Rrëzoheshin objektet. Dy ndërtesa nga 20 kate u rrëzuan afër nesh këtu”.
“Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa dikur u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi dhe u desh të largohemi”, tha Fazlia.
Ekipi i mundjes i Kosovës, i drejtuar nga trajneri Ziber Xhoni, mundësit Fatlum Beka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni, si dhe sekretari i Federatës së Mundjes, Genci Fazlia, ndodheshin në Turqi për të marrë pjesë në turneun “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.
Fazlia konfirmoi për REL-in se ata, aktualisht, ndodhen në Stamboll dhe se presin që mbrëmjen e 7 shkurtit të udhëtojnë me avion drejt Shkupit të Maqedonisë së Veriut.
Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.
Ambasada e Kosovës në Turqi, ndërkaq, hapi dy numra emergjentë për qytetarët e Kosovës, në rast se u duhet ndihmë:
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91
Asnjë viktimë nga Shqipëria
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri konfirmoi se nga të dhënat e deritanishme, nuk ka asnjë shqiptar të lënduar apo të vdekur nga tërmeti që goditi Turqinë, por edhe zona të Sirisë.
“Ambasada jonë në Turqi ka kontaktuar disa familje shqiptare, përmes autoriteteve turke, dhe ka konfirmuar se janë shëndosh e mirë”, thanë për REL-in nga kjo ministri.
Ambasadori i Shqipërisë në Ankara, Kastriot Robo, tha se prania e shqiptarëve në zonat që u goditën nga tërmeti, është e limituar, krahasuar me rajonet e tjera të Turqisë.
Asnjë shtetas i Serbisë në mesin e viktimave në Turqi
Ambasadori i Serbisë në shtetin e Turqisë, Zoran Markoviq, konfirmoi për Radio Televizionin e Serbisë se 20 shtetas të këtij vendi kanë qenë në rajonin e goditur nga tërmeti në Turqi.
Ai tha se nuk ka informacione për ndonjë shtetas serb të vdekur apo të lënduar.
“Sa u përket qytetarëve tanë, ne nuk kemi asnjë informacion, as zyrtar dhe as jozyrtar, që dikush të ketë vdekur apo të ketë qenë në mesin e të lënduarve. Jemi në kontakt me qytetarët tanë që ndodhen në zonën e Gaziantepit. Nuk ka shumë, por me secilin prej tyre jemi në kontakt personal”, tha Markoviq.
Dy të lënduar nga Maqedonia e Veriut
Ministria e Punëve të Jashtme е Maqedonisë së Veriut bëri të ditur se nëntë shtetas të këtij vendi ndodheshin në zonën e goditur nga tërmeti në Turqi - dy prej të cilëve u lënduan.
Bëhet fjalë për një mësimdhënës dhe tetë nxënës të shkollave të mesme të Gostivarit, të cilët po qëndronin atje në kuadër të një programi mësimor.
Dy nxënës u lënduan - njëri prej tyre lehtë, ndërsa tjetri iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik, si pasojë e një frakture.
Ministria e Jashtme tha se i gjithë grupi pritet të kthehet në Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, në Turqi nuk ka qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që janë në rrezik ose që kanë nevojë për ndihmë.
Një shtetas i Bosnje e Hercegovinës nën rrënoja, dy kroatë të lënduar
Një shtetas i Bosnje e Hercegovinës dyshohet se është zënë nga rrënojat e njërit prej shumë objekteve të rrëzuara nga tërmeti në qytetin Mallatja të Turqisë.
Kështu tha për mediat konsulli i Bosnje e Hercegovinës në Stamboll, Sinisha Mihailloviq. Ai tha se nuk ka informacione për shtetas të tjerë të këtij vendi që mund të jenë lënduar ose të kenë vdekur nga tërmeti.
Autoritetet e Kroacisë, në anën tjetër, konfirmuan se dy qytetarë kroatë janë lënduar si pasojë e tërmetit.
Ministri për Punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane i Kroacisë, Gordan Gërlliq, tha se të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.
Në Mal të Zi, autoritetet konfirmuan se asnjë qytetar i tyre nuk ka pësuar nga tërmeti.
Tërmeti që goditi Turqinë, kishte fuqi prej 7.8 shkallësh të Rihterit.
Ai ndodhi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit dhe epiqendra ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në dhjetë qytetet më të prekura: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Mallatja, Shanlvurfa, Adana, Dijarbaker dhe Kilis. Gjendje e jashtëzakonshme do të jetë gjatë tre muajve të ardhshëm.
Tërmeti shkaktoi dëme të shumta, si në njerëz ashtu edhe materiale, edhe në Siri. Të prekurit atje raportohet se po përballen me më shumë vështirësi për shkak të mungesës së ndihmës adekuate./REL