MPJD deklarohet për shqiptarët nga Kosova, që gjendeshin në Turqi në kohën e tërmetit

Aktuale

MPJD deklarohet për shqiptarët nga Kosova, që gjendeshin në Turqi në kohën e tërmetit

Më: 9 shkurt 2023 Në ora: 12:07
Pasojat nga tërmeti në Turqi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë detaje për gjendjen e kosovarëve tri ditë pas tërmetit në Turqi. MPJD thotë se Ambasada e Kosovës atje që prej mëngjesit të 6 shkurtit ka vënë kontakte me autoritetet vendore turke.

MPJD ka deklaruar se fillimisht ka pasur informata për një familje nga Kosova që gjendet në qytetin e Gaziantepit, e cila ka qenë e shqetësuar nga tërmeti por nuk ka pasur lëndime trupore.

Ata kanë blerë bileta të autobusit e më pas janë kthyer në Kosovë.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, qysh në mëngjesin e datës 6 shkurt (E hënë), ka filluar kontaktet me autoritetet vendore turke për të hulumtuar për shtetasit tanë që mund të jenë në zonat e prekura nga tërmeti. Fillimisht ka arritur informata se një familje nga Kosova gjendet në qytetin Gaziantep (vatër e tërmetit). Ambasada ka kontaktuar direkt me familjen dhe ka mësuar se gjendja e tyre shëndetësore ishte e mirë, por se ishin të shqetësuar nga tërmeti. Në bisedë me Ambasadën e Kosovës, ata kanë treguar se shtëpia ku kanë banuar është dëmtuar, dhe se gjatë ditës autoritetet vendore i kanë evakuuar ata në një sallë sportive. Në një bisedë të dytë më kryefamiljarin, ambasada u njoftua se ata tashmë kanë blerë bileta të autobusit për udhëtim nga qyteti i Gaziantepit për në Kosovë.”

MJPD ka dhënë detaje edhe për grupin e Federatës së Mundjes së Kosovës që kanë qenë në Turqi në kohën e tërmetit tragjik.

“Ditën e njëjtë, Ambasada e Kosovës në Ankara, ka marrë informata se një delegacion i Federatës së Mundjes së Kosovës, ka qenë në qytetin Kahramanmarash me datat 4 dhe 5 shkurt si pjesëmarrës në turneun ndërkombëtar të mundjes. Sipas një anëtari të këtij delegacioni, e gjithë skuadra ka shpëtuar pa pasoja edhe pse në afërsi të hotelit ku kanë qëndruar ata, ka pasur lëkundje toke dhe ndërtesa të rrënuara. Me vetiniciativë, nga qyteti Kahramanmarash ata kanë udhëtuar në qytetin Kajseri duke u larguar nga zona e prekur nga tërmeti. Në mbrëmjen e vonë të datës 6 shkurt, ata kanë udhëtuar me autobus për në Stamboll, për të parë që aty mundësitë e vazhdimit të kthimit në Kosovë.”

MJPD ka njoftuar se ambasada e Kosovës në Ankara është kontaktuar mbrëmjen e 6 shkurtit për një qytetare të Kosovës që jeton në Gjermani, por që ka qenë në Kahramanmarash në kohën e tërmetit.

“Në orët e mbrëmjes të datës 6 shkurt, Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është kontaktuar nga një familjare e një qytetareje të Kosovës që jeton në Gjermani, por që në momentin e tërmetit ka qenë për vizitë në qytetin Kahramanmarash, se ajo dëshiron të kthehet në Kosovë. Gjendja shëndetësore e saj ka qenë e mirë dhe pas kontaktit me ambasadën ajo ka blerë biletën dhe është kthyer ne Gjermani”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD ka dhënë detaje edhe për një rast tjetër.

“Ndërsa të martën (7 shkurt) në numrat emergjent që Ambasada dhe Konsullata e Kosovës në Turqi, kanë vendosur në dispozicion për qytetarët, janë kontaktuar nga një nënë që bashkë me vajzën e saj 4 vjeçare duan të kthehen në Kosovë, por që dokumentet e udhëtimit i kanë humbur nën rrënoja. Ambasada e Kosovës në Ankara është në kontakt me shtetasen në fjalë, e cila ka theksuar se është mirë me shëndet, dhe në bashkërendim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për fletudhëtime për të dhe vajzën e saj.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat