Hyseni: Grupi i LVV-së brenda LDK-së në krye me Abdixhikun e ka sjellë këtë parti në 13%

Aktuale

Hyseni: Grupi i LVV-së brenda LDK-së në krye me Abdixhikun e ka sjellë këtë parti në 13%

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 00:15
Skënder Hyseni

Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni vlerëson se ka mbetur pak Rugovizëm tashmë në këtë parti.

“Unë e them me keqardhje që ka mbet shumë pak Rugovizëm aty. Shumë pak, tmerrësisht shumë pak, e them me shumë shumë keqardhje. Le të krijohet, janë cikle pse jo, nuk duhet të ketë askush problem me atë. Por nuk mund të thirresh në frymën e LDK-së e të Ibrahim Rugovës në kohën kur nuk ka asgjë të LDK-së së kaluar dhe të Ibrahim Rugovës”, tha ai.

“LDK-ja e kalueme ka çdo gjë dhe çdo arsye për t’u mburrë, asgjë për t’u turpëruar, asgjë, e them me bindje të plotë. Sepse është sjell gjithmonë në pajtim me kërkesat jetike të shtetit dhe të vendit e jo të individëve”, ka deklaruar Hyseni në Tëvë 1.

Tutje Hyseni ka thënë se fajtori që LDK mori vetëm 13 % në zgjedhjet e fundit është “grupi i Vetëvendosjes në LDK”, në të cilin grup e fut edhe kryetarin Lumir Abdixhiku.

“LDK-në në 13 % e ka pru grupi i Vetëvendosjes brenda LDK-së. Pse i lejuam, sepse ka qenë fryma e Rugovës që me u hap ndaj çdokujt dhe ata kanë ardhë në LDK po janë kthy në njësi të Vetëvendosjes. Situatën e nuhatëm por me vonesë, me shumë vonesë. Se jo që s’është nuhatë dhe unë po ju them me bindje që edhe sot LDK-ja udhëhiqet nga grupi, nga ai grup që janë eksponentë, që kanë qenë përkrahës të Vetëvendosjes. Edhe Abdixhiku, ai mbi të gjitha. Kështu që unë nuk hezitoj këtë ta them”, ka deklaruar Hyseni.

Megjithatë sipas tij LDK së fundmi ka nisur të vetkorrigjohet.

“Duket që kohëve të fundit kanë fillu pak të vetkorrigjohen dhe sikur ta shohin vetveten, ta zënë vetveten gabim. Ata e dinë që LDK-në në 13 % e kanë pru pikërisht ata. Absolutisht jo ne të tjerët”, shtoi Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat