Krasniqi për homazhe në Prekaz: Këtu ka lindur liria e Kosovës

Aktuale

Krasniqi për homazhe në Prekaz: Këtu ka lindur liria e Kosovës

Më: 6 mars 2023 Në ora: 09:48
Pamje nga Prekazi

Për nder të 25-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Pas homazheve, Krasniqi tha se sakrifica e familjes së komandantit Adem Jashari, e ka sjellë lirinë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ai u shpreh se sakrifica e tyre, i ka dhënë drejtim luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UÇK).

“Shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës dhe e qytetarëve tanë. Andaj si çdo shqiptar e konsiderojmë obligim për të ardhur në Prekazin e lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafundmë për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për të cilët tha se ndjehet mungesa e tyre.

“Padyshim që në ditë të shënuara si kjo, ne në këto vitet e fundit e ndjejmë shumë mungesën edhe të themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre të cilët janë të privuar nga liria dhe po mbahen larg nesh, andaj në ditë të tilla besojmë që çdo shqiptar para se gjithash duhet ta kujtojë dhe ta vlerësojë në mënyrën më të veçantë këtë sakrificë të familjes Jashari, por po ashtu edhe jetën që e ka dhënë secili dëshmor i luftës çlirimtare të UÇK-së”, tha Krasniqi.

Gjatë ditës, Prekazin do ta vizitojnë edhe partitë e tjera opozitare si dhe krerët e institucioneve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat