Lajmërohet Ilir Deda, komenton marrëveshjen e Ohrit dhe paralajmëron tensione Kosovë-Serbi

Aktuale

Lajmërohet Ilir Deda, komenton marrëveshjen e Ohrit dhe paralajmëron tensione Kosovë-Serbi

Nga: A.Zh Më: 21 mars 2023 Në ora: 06:19
Ilir Deda

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Ilir Deda, ka thënë se do të ketë ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse zbatohet Marrëveshja për Aneksin Zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka paralajmëruar se gjatë rrugës nga konflikti në paqe, do të ketë tensione dhe mosmarrëveshje, përcjell Bota sot.

Në analizën e tij, Deda ka vënë theksin te neni 7 i Marrëveshjes dhe te Deklarata për Personat e Zhdukur, që sipas tij, “duket se ka dakordim për këtë Deklaratë dhe ajo duhet të miratohet”.

Reagimi i plotë i Dedës:

Marrëveshja për Aneksin Zbatues të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është juridiksht e detyrueshme për palët (sipas Konventës së Vjenës). Gjithashtu, inkuadrimi i Marrëveshjes dhe Aneksit Zbatues në kapitullin 35 për Serbinë dhe në Agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim e përforcon ligjshmërinë dhe obligimin për zbatim.

Për më tepër, janë edhe sanksionet ndaj palës që nuk i respekton detyrimet e saj, ndërsa palët do të vlerësohen individualisht në përmbushje të obligimeve, që është hap pozitiv.

Por, për çka tjetër u pajtuan Kosova, Serbia dhe BE-ja?

Aneksi Zbatues le shumë për të dëshiruar, pasi që është shumë i përgjithësuar dhe - përpos dy pikave - nuk shihen obligimet konkrete për zbatim që duhen ndermarrë nga ana e Kosovës dhe e Serbisë.

Tash te obligimet e menjëhershme.

Nën një: Pika 7 e Marrëveshjes ("vetëmenaxhimi i përshtatshëm") do të përmbushet në bazë të Marrëveshjes së Parë të vitit 2013 të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe të 15 modeleve të prezantuara nga BE. Theksi duket se do të jetë te interpretimi i asaj se çka do të thotë "i përshtatshëm". Ndërsa, kjo punë duhet të merr kornizë shpejtë duke e marr parasysh ndërlidhjen me mbajtjen e zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore të Kosovës.

Nën dy: Deklarata për Personat e Zhdukur do të duhej të prodhonte detyrime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Sipas Aneksit të Zbatimit, duket se ka dakordim për këtë Deklaratë dhe ajo duhet të miratohet.

Pikat e tjera duket se ose do të definohen në dialog gjatë javëve të ardhshme, ose do t'i definojë vet BE-ja për Kosovën dhe Serbinë.

Normalizimi i marrëdhënieve nuk është një akt, por proces shumë i vështirë dhe i tej domosdoshëm.

Gjatë rrugëtimit për kapërcim nga gjendja e konfliktit të papërfunduar te gjendja e marrëdhënieve në paqe, detyrimisht që do të ketë tensione dhe mosmarrëveshje, sidomos pasi që është hera e parë në histori që do të ketë ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, ky rrugëtim dhe kapërcim duhet të bëhet dhe të realizohet.

Loja me semantikë është absolutisht e padobishme. Përqendrimi duhet të jetë te substanca dhe kualiteti i obligimeve që dalin nga zbatimi i Marrëveshjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat