“Ndale turrin Lumir!”- Kurti e Osmani ‘përplasin’ keq Skender Hysenin me kryetarin e LDK-së

Aktuale

“Ndale turrin Lumir!”- Kurti e Osmani ‘përplasin’ keq Skender Hysenin me kryetarin e LDK-së

Nga: M.L. Më: 24 mars 2023 Në ora: 13:24
Skender Hyseni

Ish anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni i ka reaguar kryetarit të të kësaj partie Lumir Abdixhiku, lidhur me deklaratën e tij për “armiqtë e brendshëm” të LDK-së.

Në një postim në Facebook, Hyseni ka kujtuar distancimin e Abdixhikut ndaj tij dhe deklaratave kritikuese ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Po ashtu, Hyseni e ka quajtur “marrëzi” deklaratën e Abdixhikut që se ai dhe kurti janë bërë bashkë kundër tij dhe LDK-së.

Postimi i plotë:

Ndale turrin Lumir!

Lumir Abdixhiku sërish qenka marrë me “armiqtë e brendshëm” të LDK-së.

O tempora o mores!

Në nëntor, pas një kritike që i kisha bërë politikës konfrontuese e izolacioniste të binomit Kuti-Osmani, Lumir Abdixhiku kishte lëshuar një komunikatë të tipit ekskomunikues komunist kundër meje. Kjo ishte komunikata e Lumir Abdixhikut kundër meje:

“LDK jo vetëm që distancohet nga gjuha e tij, por LDK ka dy vite që është e distancuar nga mendësia e tillë politike. Është për habi, gjithsesi, se si figura pa fuqi politike e partiake sot, zënë hapësira mediale e kontaminojnë diskursin publik”.

Shtrohet pyetja pse ndjente nevojë Lumiri t’i bashkohej korit idiotesk të qarqeve të Albinit e Vjosës kundër meje, në kohën kur unë as që i kisha ba çfardo reference Lumirit, e aq më pak LDK-së! Pse?!

Në një studio televizive mbrëmë, Lumiri paska thënë: “Nuk kam besuar kurrë që Albin Kurti dhe Skender Hyseni do të bëhen bashkë kundër meje (demek kundër Lumirit) dhe LDK-së. Këtë marrëzi të Lumirit nuk do ta ‘nderoja’ me asnjë koment tjetër pos “marrëzi”. Nëse asgjë tjetër, opinioni e di fort mirë qëndrimin tim ndaj Albin Kurtit dhe VV-së dhe politikave shkatërruese të tyre. Ashiqare Lumiri paska problem me sytë dhe me sensin e gjykimit!

Nuk ndjej nevojë unë kurrë të jem kundër Albin Kurtit si person, por jam dhe duket do të jam egërsisht dhe përjetësisht kundër politikave shkatërrimtare të Kurtit.

Aq më pak ndjej nevojë të jam kundër Lumirit. Nuk më bënë përshtypje cili është Lumiri si njeri e person! Por, por si lider i LDK-së po!

Kurti dje, si gjithnjë e futi në grackë liderin e mjerë të LDK-së, e lideri i LDK-së u përpoq t’I përgjigjej: “Ka mbaruar koha kur VV ka pasë ndikim në LDK”, tha ky Lumiri. Nuk besoj se kjo do koment. Por ja që po e komentoj! Ai, pra Lumiri e tha botërisht që kishte një kohë kur VV kishte ndikim në LDK, por tani ajo kohë ka mbaruar!!!

Mua më vjene mirë nëse ka mbaruar ajo kohë, ndonëse me vonesë dhe me pasoja, siç ishte rënja e LDK-së në 12%. E kjo është marrëzia tjetër që e thotë Lumiri qysh ne të vjetërit e LDK-së e paskemi sjellë LDK-në në 12%. Jo, jo! Eshtë saktësisht mendësia e njësisë së VV-së në LDK, të cilës i printe Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku që e kanë sjellë LDK-në në 12%.

Krejt në fund, që ta përmbyll këtë debat me Lumirit, ngase e konsideroj nën dinjitetin tim të merrem me të, Lumir Abdixhikut i them që jam dhe do të jem 100 më LDK se ai! Përpjekja e ti për të më portretuar si njeri kundër LDK-së, vetëm sa shpërfaq mjerimin e tij politik. Përpos që është qesharake, është edhe marrëzi e llojit ë vet!

Skender Hyseni

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat