Tahiri rrëfen si e kundërshtoi Komisionerin e BE-së në akuzat për krim të organizuar

Aktuale

Tahiri rrëfen si e kundërshtoi Komisionerin e BE-së në akuzat për krim të organizuar

Më: 28 mars 2023 Në ora: 22:24
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, flet për krim të organizuar, së pari duhet ta shoh veten, pasi sipas tij, korrupsioni fillon nga Qeveria.

“Në rendin e parë kur flet dikush, në këtë rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kur flet për krim të organizuar, së pari duhet ta shikojë vetën. Si ministre e drejtësisë çka ka bërë. Përveç se secilin ligj që e ka sjellë ajo Qeveri, i ka dalë kundërkundërshtues”, u shpreh Tahiri.

Madje, ish-zëvendëskryeministri i Kosovës tregoi se si e ka kundërshtuar komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi në një takim ku prezent ishte edhe kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti si dhe zëvendëkryeministri Driton Selmanaj.

“Ishim në një takim me komisionarin Varhelyi, ai erdhi për herë të parë në Kosovë. Ishim prezentë disa nga ne. Kur e mori Varhelyi fjalën, gjatë gjithë takimit ka folur për krim të organizuar. Dikur, e ndala dhe e pyeta a e di ku ka ardhur. Isha në takim unë, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj dhe disa ministra tjerë. I thash që ky zotëria është profesor, unë jam ligjërues, ndërsa tjetri është jurist, ne që nuk kemi keqpërdorur kurrë asgjë në jetën tonë. E ti në tavolinën tonë po na akuzon për krim të organizuar. Mandej, thash se në qoftë se në Kosovë paska krim të organizuar, atëherë shefi i krimit të organizuar është Qeveria, sepse krimin e organizon Qeveria”, deklaroi Tahiri.

Ndër të tjerash, Tahiri i bëri një kërkesë Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për akuzat e saj ndaj gjyqësorit.

“Në qoftë se unë e kisha pasur një qëndrim ndaj Albulena Haxhiut, do kishte me qenë kjo: Albulenë, ndali sulmet ndaj gjyqësorit, po e dëmton veten, Qeverinë ku punon, e për ma zi edhe Kosovën. Kjo do kishte me qenë kërkesa ime për Albulenën, në momentin kur e shoh do i them edhe personalisht”, shtoi tutje Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat