Hykmete Bajrami: Kurti dikur thoshte “flemë mbi qymyr”, sot rryma u rrit për 15%

Aktuale

Hykmete Bajrami: Kurti dikur thoshte “flemë mbi qymyr”, sot rryma u rrit për 15%

Më: 30 mars 2023 Në ora: 17:38
Hykmete Bajrami

Deputetja Hykmete Bajrami tha se qytetarët po përballen me shumë sfida, dhe po u vështirësohet jetesa.

“Edhe si qytetarë edhe si opozitë ne po provojmë me ballafaqu zotin Kurti me premtimet që ka ardhë në pushtet, dhe njëra prej premtimeve të shumta që asnjë nuk i ka realizu, ka qenë që do ta lirojë çmimin e energjisë elektrike sepse sipas tij kur ishte ne fushatë, ne paguajmë shumë shtrenjtë duke e marrë faktin që flemë mbi qymyr. Nuk janë bërë ende 12 muaj prej kur Kosova përjeton shtrenjtimin e dytë të energjisë elektrike. Njerëzit janë duke u përballë me çmime të larta dhe mezi po arrijnë që të takojnë muajinme pagat e tyre”, tha Bajrami.

Pavarësisht kësaj, deputetja nuk e përjashton mundësinë se do të marrin vendime tjera si kundërshtim ndaj tarifave të reja.

“Ju po e shihni, asgjë e cila propozohet nga opozita dhe nuk vjen nga pozita, nuk është që merret parasysh. Ne debatin e radhës do e kemi lidhur me punën dy vjeçare e Qeverisë, aty sigurisht që do e potencojmë edhe këtë rëndesë që vjen për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkohë për hapat tjerë nuk e di sepse sigurisht si grup parlamentar por edhe si parti do të marrim vendime”, tha ajo.

Bajrami tha se partia në pushtet asnjë kërkesë që vjen nga opozita nuk po i merr parasysh.

“Ajo çka e kemi vërejtur, rreth dy vite as edhe një propozim i vetëm, jo vetëm i grupit parlamentar të LDK-së, por i asnjë grupi parlamentar opozitar nuk është marrë parasysh. Thjesht nuk merren parasysh propozimet tona, ne kemi pasë propozime konkrete sa i përket çështjes së adresimit të inflacionit”, tha ajo.

Derisa foli për shtrenjtimin e energjisë, deputetja përmendi edhe pagesën që Qeveria e Kosovës bën për komunat në veri.

 “Por edhe një gjë tjetër që duhet me u potencu, tek sektori i energjisë elektrike është çështja e 100 milionë eurove të cilat Qeveria Kurti i ka pagu për qytetarët në veri, edhe ky ka qenë një premtim i cili me ardhjen në pushtet askush më nuk do ta ketë energjinë elektrike pa pagesë, ndërkohë që faturat e 4 komunave në veri prej 6 e 9 milionë sa ka qenë vjetorin e kaluar, kanë arritur në 33 respektivisht në 65 milionë rritje në vitin 2022, domethënë 98 milionë janë paguar në total për 4 komunat veriore”.

Ajo thotë se rryma në komunat veriore po paguhet me taksat e qytetarëve, që sipas saj është diskriminim.

“Komplet subvencionimi e ka kapë shumën prej 92 milionëve për vitin e kaluar domethënë për krejt qytetarët e Kosovës, e 65 prej tyre kanë shku vetëm për komunat veriore. Kjo me të vërtetë është diskriminim nga ana e Qeverisë”, u shpreh Bajrami 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat