KDI: Korrupsioni nuk po ndëshkohet, mosefikasitet të institucioneve të drejtësisë

Aktuale

KDI: Korrupsioni nuk po ndëshkohet, mosefikasitet të institucioneve të drejtësisë

Më: 31 mars 2023 Në ora: 15:36
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një komunikatë për media ka theksuar se sundimi i ligjit në Kosovë vazhdon të minohet nga korrupsioni, që sipas tyre, është i përhapur në të gjitha sferat.

Në komunikatën e lëshuar të premten thuhet se shqetësim serioz mbetet mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë në ndjekjen, gjykimin dhe dënimin e kryerësve të veprave të korrupsionit, siç theksohet në veçanti atyre të nivelit të lartë.

“Gjatë javëve të fundit, gjykatat kanë liruar apo kthyer në rigjykim tri raste të korrupsionit, ndërsa për disa raste të korrupsionit të nivelit të lartë kanë munguar aktgjykimet dënuese. Edhe më rëndues mbetet fenomeni i parashkrimit të rasteve të korrupsionit – pa një epilog gjyqësor, për shkak të zvarritjeve dhe mosadministrimit adekuat të procedurave gjyqësore”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se vetëm gjatë vitit 2022 janë parashkruar dhjetëra raste të korrupsionit, ndërsa paralajmërohet se sivjet dhe viteve në vijim, për shkak të zvarritjeve, mund të parashkruhen edhe shumë të tjera.

“Ndër arsyet kryesore që po i kontribuojnë parashkrimit të rasteve të korrupsionit është mungesa e mekanizmave efektiv të kontrollit dhe llogaridhënies për gjyqtarët dhe prokurorët nga KPK dhe KGJK. Paradoksalisht, vlerësimet vjetore të performancës së këtyre të fundit nuk i reflektojnë zvarritjet apo dështimet në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë subjekt i masave disiplinore për mosperformancë është minimal, e madje disa prej tyre edhe janë avancuar”, thuhet në komunikatë.

Sipas KDI-së një kulturë e tillë e pandëshkueshmërisë ndaj kryerësve së veprave të korrupsionit, por edhe mosefikasiteti i ndjekjes së tyre, janë të papranueshme dhe të rrezikshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Për të luftuar korrupsionin, posaçërisht atë në nivelin e lartë, KDI-ja vlerëson se është kruciale që institucionet e drejtësisë të kenë në fokus: përmirësimin e cilësisë së aktakuzave, veçanërisht në kuptim të provave të përfshira, prioritizimin e trajtimit dhe përmbylljen e rasteve të korrupsionit brenda afateve ligjore, zbatimin e politikave të ashpra ndëshkimore ndaj kryerësve të veprave të korrupsionit, si dhe shqiptimin e dënimeve plotësuese nga gjykatat për personat e dënuar për korrupsion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat