Debate të ashpra, Haxhiu e Gërvalla ‘përplasen’ me deputetët e PDK-së - Konjufca merr vëmendje me këtë veprim

Aktuale

Debate të ashpra, Haxhiu e Gërvalla ‘përplasen’ me deputetët e PDK-së - Konjufca merr vëmendje me këtë veprim

Më: 6 prill 2023 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 11:54 më 06.04.2023
Kuvendi i Kosovës

Komunikata 59 dhe dëshmia në Hagë, Geci: Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë babain tim

Deputetja e LDK-së, Marigona Geci, vajza e ish-ushtarit të UÇK-së dhe ish-deputetit Gani Geci foli në Kuvendin e Kosovës për nisjen e gjykimit në Hagë ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të luftës.

Ajo tha se nga provat e Prokurorisë në Gjykatën Speciale ka mësuar se autor i komunikatës së njohur nr. 59 të UÇK-së, sipas saj, ishte ish-presidenti Hashim Thaçi.

“Në emër timin dhe në emër të familjes Geci, dua ta falënderoj Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për zbardhjen e komunikatë 59”, tha fillimisht deputetja e LDK-së, duke e cituar më pas në anglisht një deklaratë të Rexhep Selimit.

“Sipas deklaratës së Selimit, përmes një thirrjeje telefonike satelitore, Thaçi ia kishte lexuar tekstin e komunikatës 59 Rexhep Selimit. Kur Selimi e kishte pyetur Thaçin se pse e kishte përfshirë të pavërtetën për Gani Gecin që kishte udhëhequr masakrat serbe, Thaçi ishte përgjigjur: në mënyrë që ta shkatërrojmë plotësisht”, tha ajo.

Geci tha se “Hashim Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë familjen time dhe babain tim”.

“Familjen time nuk ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja e Millosheviqi, jo po e shkatërron Hashim haxhi polari prej Buroje”, tha Geci.

Haxhiu ia kthen Deliu-Kodrës: Ligji për KPK-në lajm i mirë veç për juve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk është lajm i mirë për drejtësinë.

Kështu deklaroi ministrja pasi deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se ky vendim në fakt është lajm i mirë.

“Është lajm i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe për grupet e interesit brenda sistemeve të drejtësisë të cilët ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë. Sa kanë përgjegjësi sistemi i drejtësisë për mosveprim dhe neglizhencë po aq keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndrydhur e shtrydhur sistemin e drejtësisë për interesat e juaja personale”.

“Me qeverinë Kurti nuk do të ndodhë më ashtu sepse sistemi i drejtësisë do të jetë i pavarur dhe transparent, efikas e llogaridhënës, por është lajm i keq edhe për qytetarët ky aktgjykim sepse ju e dini që një nga arsyet kryesore se pse ne si qeveri kemi marr mbështetje të madhe qytetare janë dy zotimet tona, drejtësi dhe punësim. Qytetarët e duan drejtësinë, e duan ligjin, e duan shtetin e së drejtës, aktgjykimi është lajm i keq për qytetarët për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit”, tha ministrja.

Depiu-Kodra e pyet Kurtin: A janë supërkriminel shkelësit e Kushtetutës?

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka pyetur kryeministrin Albin Kurti “nëse shkelësit e Kushtetutës janë superkiminel”.

Deliu-Kodra tha se në një vend normal shkelësit e Kushtetutës nuk do të duhej ta kishin vendin në Qeveri”.

“Do të flas për shpalljen e ligjit për këshillin prokurorial të Kosovës si anti-kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese dhe ky pa dyshim përbën drejtësinë dhe pavarësinë e zyrës së prokurorit të shtetit. Për më tepër konsideroj që hap i mirë për mbrojtjen e rendit kushtetutës përkundër tentativave të Qeverisë për ta shkelur atë”, ka thënë Deliu.

“Një pyetje për kryeministrin. A janë superkriminel shkelësit e Kushtetutës”, pyeti ajo.

Basha: Deputetët e Listës Serbe erdhën i morën mëditjet sa për mos ta humbur mandatin

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka bërë të ditur se deputetët e Listës Serbe sot veç janë nënshkruar për mëditje në kuvend dhe kanë dalë nga seanca.

Sipas Bashës, këtë veprim deputetët e Listës Serbe e kanë bërë veç për t’i  ikur mundësisë për ta humbur mandatin.

“Ata do të ishte e rëndësishme të qëndrojnë këtu për ta dëgjuar gjendjen e vështirë në veri që është duke ndodhur, djegien e veturave, rrahjen dhe torturat e qytetarëve serbë që duan të jenë pjesë e zgjedhjeve legale në Kosovë.

Linçimin ndaj qytetarëve që refuzojnë t’i nënshtrohen dhunës dhe monopolit politik të asaj zone”, është shprehur Basha.

Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës e mbron qytetarin serb ë veri të vendit, më shumë sesa përfaqësuesit e Listës Serbe, që sipas tij, marrin pagë nga Kosova e i shërbejnë Radoiçiqit e Vuçiqit.

Musliu: Shtrenjtimi i rrymës nuk i prek qytetarët në Veri, e veteranët po arrestohen për mospagesë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, foli në Kuvend për shtrenjtimin e rrymës duke theksuar se ky vendim nuk i prekë qytetarët në Veri të vendit. Ajo hodhi kritika në drejtm të Qeverisë se i ka lënë pasdore kategoritë e dala nga lufta, prandaj kërkoi nga ZRRE të lirojë nga pagesa e faturës së rrymës kategoritë e dala nga lufta.

Ajo tha se shtrenjtimi i rrymës është gjë e papranueshme në këtë kohë krize.

“Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë së Kosovës ka marrë vendim për shtrejtimin e rrymës 15%. Rritja tarifore do të jetë për të gjitha kategoritë. Shtrejtimi i rrymës në kohën kur qytetarët po ballafaqohen me luftën e tyre për rezistencë është i papranueshëm dhe i papërballueshëm për qytetarët e vendit. Shtrenjtimi nuk i prek qytyetarët në Veri të Mitrovicës që vazhdojnë të jenë të privilegjuar nga kjo qeveri e vendit tonë”, tha Msuliu.

“Me këtë vendim shkelen të drejtat e qytetarëve të Mitrovicës Jugore. Me këtë shtrejtim bëhet diskriminim në baza etnike është deklaruar edhe KMDLNJ”, tha Musliu në Kuvend.

Ajo kërkoi që ZRRE të lirojë nga pagesa kategoritë e dala nga lufta, pasi siç u shpreh e kanë “të pamundur të jetojnë me 170 euro”.

“Sot kam kërkesë që ka të bëjë me një kategori të ndjeshme dhe të çmuar, siç janë kategoritë e dala nga lufta që nga kjo qeveri janë lënë pasdore në çdo aspekt. Kërkoj nga ZRRE të lirojë nga pagesa e faturës së rrymës kategoritë e dala nga lufta”, tha ajo.

Deputetja Musliu tha se veteranët po prangosen për shkak të mospagesës së rrymës, ndërsa qytetarët serbë nuk e paguajnë asnjë cent për rrymën.

“Është e papranueshme që të shohësh duke u prangosur veteranë e invalidë të UÇK-së në pamundësi për të paguar rrymën, si arrestimi i Besim Musa nga Mitrovica. Në pamundësi të pagesës u prangos…Veteranët si Besimi të prangoset ndërsa jo larg lagjes ku jeton ai janë mijëra qytetarë serbë që nuk paguajnë asnjë cent për rrymën e shpenzuar”, u shpreh ajo.

“A po doni t’ia shtini flakën naj kerri” – Haki Abazi i drejtohet me akuza deputetit të pavarur

Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pas pesë muajsh mungesë.

Të enjten ata kanë zënë ulëset e tyre në Kuvend.

Rikthimi i tyre është përcjellë edhe me debat mes deputetësh. Ka qenë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, që iu drejtua deputetit të regjistruar si i pavarur, Adem Hoxha me akuza se në Kuvend vjen “veç për para”.

Po ashtu Abazi i është drejtuar Hoxhës, i cili ndonëse i regjistruar si i pavarur është pjesë e GP të Listës Serbe, edhe me fjalët se “a po doni t’ia shtini flakën naj kerri”.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Institucionet pa borde e drejtorë, Hoti – Qeverisë: Mbushuni mend

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kritikuar të enjten Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj institucioneve publike të cilat përmes Kushtetutës së Kosovës konsiderohen të pavarura.

Hoti kërkoi nga Qeveria që “të mbushen mend”, sepse thotë se “pasojat po i vuajnë të gjitha, bizneset, qytetarët dhe institucionet“.

“Janë institucionet kyqe që janë pa drejtues të institucioneve përkatës. Ky marifet nuk është pa, unë shpresoj që të mbusheni mend sepse pasojat jemi duke i vuajtur të gjithë, bizneset, qytetarët, institucionet Por është duke u vë në pikëpyetje edhe kredibiliteit institucional për të çuar përpara agjendën e demokratizimit të shoqërisë, ka thënë Hoti.

Ai e ka përmendur Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) që ka mbetur pa guvernator.

“Banka Qendrore e Kosovës ka mbetur pa guvernator. Procesi i zgjedhjes së zëvendës guvernatorëve që sot do të duheshin ta ushtronin detyrën e guvernatorit është bojkotu nga anëtarët e bordit gjatë vitit 2022. Një ditë para se të mbaroj mandati u shkarku edhe një ushtruese e zv-gurvenatorit, për t’i hap rrugë që kryetari bordit ta ushtrojë detyrën e guvernatorit. Kjo nuk është para në 20 vitet e pasluftës së Kosovës“, ka thënë Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës ka kritkuar ekzkeutivin edhe për qasjen ndaj Trustit Pensional.

“Trusti Pensional është pa bord që nga dhjetori i vitit 2022. Pse është bojkotu ky proces dhe çfarë po ndodh tash qindra miliona euro që janë në tregje ndërkombëtare po humbin nuk ka kush t’i tërheq”, ka deklaruar Hoti.

Ka pasur Kritika edhe për presidenten Osmani për mos kryerjen e obligimit të saj për kryeprokurorin.

“Përmes projektligjit kontestues synohet që të vendoset dikush politikisht“, tha ai.

Kritika Hotit u bazua edhe për qasjen e ekzekutivit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), që nuk ka drejtor.

“Thesari vepron pa drejtor, njësia e inteligjencës financiare pa drejtor, komisioni për ndihmë shtetërore ka një vit e më shumë se nuk zgjedhet për shkak se e keni blloku”, ka kritikuar Hoti.

Sipas tij kjo mënyrë e qeverisjes nuk është parë deri më tani në Kosovë.

​Hoxha: Dëshmitarët po vdesin, nuk jemi kujdesur t’i legjitimojmë rrëfimet e luftës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka thënë se nuk është bërë mjaftueshëm për të ruajtur dëshmitë e luftës së fundit në Kosovë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se dëshmitarët po vdesin dhe shumë rrëfime nuk janë legjitimuar si kujtesë kolektive.

Ajo ka përmendur masakrat, dëbimet, dhunimet e vrasjet, që Serbia i ka kryer mbi civilët shqiptarë gjatë luftës së fundit.

“Kjo dhimbje nuk vjetërsohet, por vjetërsohen e zbehen për vit vetëm kujtimet e rrëfimet tona sepse as nuk i kemi ruajtur e as shënjuar mjaftueshëm, sa duhet dhe si duhet. Sepse dëshmitarët e parë po vdesin, ne nuk jemi kujdesur që këto rrëfime t’i legjitimojmë si kujtesë kolektive në një rrëfim që na përfaqëson të gjithëve pa dallim”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka thënë se në vend të kërkimit të drejtësisë si viktima të luftës, po kërkohet drejtësi për çlirimtarët të cilët po gjykohen në Hagë.

“Si për ironi, sot historia jonë duket e rrokullisur dhe e përmbysur, ku në vend se të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi si viktima të luftës së fundit, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë. E ata që dikur marshuan drejt lirisë, të dielën Prishtina ishte e vogël për t’i përqafuar zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova u bë bashkë për historinë e saj, Kosova u bë bashkë për të vërtetën e saj, Kosova duhet të jetë bashkë për të ardhmen e saj, që të mos lejojmë padrejtësi të reja në emër të drejtësisë”, ka thënë Hoxha.

​Batusha: Gjykimi në Hagë nisi në kohën kur kujtohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha derisa në Gjykatën Speciale nisi procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kosovë po kujtohen gjenocidi, masakrat dhe dhunimet nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit.

Batusha në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk ka fshat me popullatë shqiptare, ku nuk ka ndodhur një masakër.

“Është e trishtueshme që ende sot janë 1647 të pagjetur të cilët janë zhdukur me dhunë nga aparatura ushtarake, policore serbe. Shumë nga udhëheqësit aktual të institucioneve serbe dhe ushtarake serbe janë dorasit apo urdhër-dhënësit e masakrave që kanë ndodhur gjatë periudhës 1998-1999. 137 varre janë gjetur në Kosovë, varre masive. Në Serbi janë gjetur me dhjetëra varre masive të shqiptarëve...pas 24 vitesh nga përfundimi i luftës, do të ketë një deklaratë të personave të personave të zhdukur. Pas 24 vitesh është arritur të imponohet adresimi i drejt i përgjegjësisë për të zhdukurit si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare “, tha ai.

Ai ka pyetur në cilën gjykatë do të trajtohet tavolina e nënës Ferdonie e zbrazur.

Sipas tij, lufta e popullit tonë është e pastër dhe çlirimtare.

Lista Serbe rikthehet në Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvendin e Kosovës, pas pesë muajsh mungesë.

Deputetët e rinj të Listës Serbe ishin betuar në mes të nëntorit, para se 9 të kaluarit të dorëhiqeshin, pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse ai mungon 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat