Petkoviq në Deçan, merr pjesë në liturgjinë e mesnatës së pashkëve

Aktuale

Petkoviq në Deçan, merr pjesë në liturgjinë e mesnatës së pashkëve

Më: 16 prill 2023 Në ora: 09:08
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq mori pjesë në liturgjinë e mesnatës në Manastirin e Deçanit me rastin e pashkëve ortodokse.

Ai shoqërohej nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe figura të tjera të kësaj partie. Njoftimi u bë nga vet Lista Serbe por pa dhënë shumë detaje.

Edhe Manastiri i Deçanit konfirmoi se Petkoviq mori pjesë në shërbesë bashkë me disa përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Sipas tyre, rreth 300 besimtarë nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi morën pjesë në shërbesën e mesnatës.

“Në shërbesë morën pjesë edhe z. Petar Petkoviq, drejtori i ‘zyrës për Kosovën’ të Qeverisë së Serbisë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, përfaqësues politikë serbë nga Kosova, si dhe përfaqësues të KFOR-it. Pas Liturgjisë së Shenjtë, shijuam mëngjesin e Pashkëve në tryezën e mbushur plot të manastirit”, shkroi Manastiri i Deçanit.

Fatkeqësisht në të kaluarën pjesëmarrja e figurave të Beogradit në ceremoni fetare është shoqëruar me fjalor të papranueshëm duke nxitur përçarje mes serbëve dhe të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

Kjo ka bërë që në të kaluarën disa prej tyre, përfshirë edhe Petkoviqit, t’i ndalohet hyrja në vendin tonë.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës kësaj radhe nuk ka njoftuar nëse ia ka lejuar hyrjen në Kosovë, “drejtorit” Petkoviq.

Gjithsesi, Petkoviq nuk ka qenë zyrtari i vetëm nga qeveria serbe që ka qëndruar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, pasi edhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq ka qëndruar në Graçanicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat