Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së prezanton një pjesëtar të ri në ekip, dëgjohet dëshmitari i tretë

Aktuale

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së prezanton një pjesëtar të ri në ekip, dëgjohet dëshmitari i tretë

Më: 20 prill 2023 Në ora: 06:48 Përditësuar në ora: 11:54 më 20.04.2023
Pamje nga Haga

Seanca në Hagë po zhvillohet e mbyllur

Në seancë të mbyllur për publikun ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e përcjellë këtë proces përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë.

Para se dëshmitari të arrijë në gjykatore, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të lëshojë një urdhër me gojë, për komentet lidhur me pyetjet që dje gjykatësit i kanë bërë dëshmitarit në fund të seancës.

Përmes këtij urdhri, ai ka theksuar se turpi gjykues e ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

Por, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, avokat Gregory Kehoe, ka kërkuar leje që të përfundojnë parashtrimin e tyre dhe më pas të kërkohen argumentet e trupi gjykues.

Kehoe: Do të donim të përfundonim parashtrimin pastaj të kërkonim argumentet e turpit gjykues

“Do të kërkonim leje që të përfundonim parashtrimin tonë pastaj të kërkonim argumentet me gojë të gjykatës, para se të merret ndonjë vendim, kjo është një çështje që i përfshinë të gjithë dëshmitarët por sidomos dëshmitarët ‘viva voce, besoj që kemi goxha dëshmitarë ‘viva voqe që do të fillojnë seancën e radhës dhe kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të gjitha ekipet e mbrojtjes dhe do të donim të kishim mundësi të dorëzonim një kërkesë të përbashkët për trupin gjykues dhe pastaj të nxirrni urdhrin me gojë lidhur me këtë", ka thënë Kehoe.

Megjithatë, kryegjykatësi, Charles L. Smith ka thënë se thënë se trupi gjykues i ka dëgjuar parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit dhe Selimit dje, sa i takon pyetjeve të bëra nga trupi gjykues për dëshmitarin e dytë të ZPS-së.

Smith: Nuk është e përshtatshme për gjykatësit që të shohin deklarata të papranuara të dëshmitarëve

“Nuk është e përshtatshme për gjykatësit që të shohin deklarata të papranuara të dëshmitarëve për të nxjerrë pista të reja hetimi. Gjykata e Apelit të Kosovës ka konstatuar që një dokument që është diskutuar me dëshmitarin nga trupi gjykues, nuk ishte autentik dhe mbrojtja do të ketë drejtën të rifillojë pyetjet e veta bazuar në pyetjet që janë drejtuar dëshmitarit, deklaratat e mëparshme të dëshmitarit që shërbejnë dhe janë edhe baza e pyetjeve nga trupi gjykues ishin edhe në listën e prezantimeve për këtë dëshmitar”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se trupi gjykues kur bënë pyetje nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin.

Smith: Trupi gjykues nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve, kur u bën pyetje dëshmitarëve

“Trupi gjykues i bëri pyetje dëshmitarit dje lidhur me pjesë të transkriptove të intervistave që dëshmitari i kishte dhënë ZPS-së dhe që ZPS i kishte përfshirë në prezantimet e veta dhe që janë përdorur disa herë nga ekipet e mbrojtjes kur bënë kundërpyetjet veta. Për më tej, i paraqet apo i bënë pyetje dëshmitarit lidhur me një dokument që ishte i përfshirë në listën e prezantime të ZPS-së. Po ashtu, mbrojtja bëri të qartë njoftimin e vet sa i takon relevancës së këtyre dokumenteve apo provave të dëshmitarëve në fjalë dhe e dini se këto dokumente mund të diskutoheshin nga dëshmitari. Asnjë cenim nuk u shkaktua lidhur me këto pyetje. Trupi gjykues nuk kufizohet kur u bën pyetje dëshmitarëve vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin. Fushëveprimi i pyetjeve gjyqësore është i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm në një fushë të caktuar, sipas rregullës 127 3, gjykatësi në do fazë mund t’i drejtojë pyetje dëshmitarit”, ka thënë Smith.

Smith ka thënë se palët nuk duhet të supozojnë se trupi gjykues ka bërë ndonjë paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se turpi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit.

Smith: Palët të mos supozojnë se turpi gjykues ka bërë ndonjë paragjykim apo cenim

“Trupi gjykues kërkon në përputhje me rregullën 137 (2) të vlerësohen lirisht të gjitha provat që janë dorëzuar paraprakisht për të përcaktuar pranueshmërinë dhe rëndësinë e tyre në përfundim të gjykimit. Palët kujtohen të mos supozojnë se trupi gjykues ka bërë një paragjykim apo ka cenuar vendime të ardhshme në lidhje me këto. Sa i takon autenticitetit, turi gjykues duhet, sipas rregullës 138, të sigurojë që çdo provë e pranuar të jetë autentike. Paragrafi 47 i urdhrit mbi zhvillimin e procesit gjyqësor parashikon që palët mund ta kundërshtojnë një provë materiale, ta bëjnë këtë kundërshtim të qartë në momentin kur kjo provë kërkohet që të pranohet si provë. Trupi gjykues do të vlerësojë dhe do të vendosë lidhur me çdo kundërshtim të paraqitur nga mbrojtja për çdo dokument që dorëzohet në bazë të autenticitetit dhe këtë do ta bëjë në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe se trupi gjykues duhet të funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, Kodi i procedurës penale në Kosovë përcakton që krahas provave të propozuara nga palët dhe palët e dëmtuara, trupi gjykues ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të nevojshme dhe të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

Smith: Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës

“Trupi gjykues rikujton se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Trupi gjykues duhet të gjykojë dhe funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe burimeve të tjera që janë përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji. Trupi gjykues nuk ka juri, ata janë të mbështetur në fakt dhe në ligj dhe janë gjykatës profesionistë që në mënyrë që të dalin me konstatimet e duhura mund të ndërmarrin të gjitha hapat që gjykohen të nevojshme për të zbuluar të vërtetën, për të bërë këtë turpi gjykues në bazë të nenit 40(9) pika 6 e ligjit, urdhëron nxjerrjen e dëshmive krahas atyre që janë mbledhur paraprakisht apo janë prezantuar para trupit gjykues nga palët”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të këtij urdhri, prokurorja Silvia D’Ascoli ka kërkuar që të merret vendim lidhur me një kërkesë të cilën ka theksuar se e kanë përcjellur përmes postës elektronike, por këtu seanca ka vijuar me redaktime dhe pastaj e mbyllur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin W04421 është dëshmitari i tretë i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Përveç një pjesë të shkurtë të dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi në Speciale, dëgjohet dëshmitari i tretë

Në Hagë po vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Sot dëshminë e jep dëshmitari i radhës, i cili është numër katër.

Aktualisht seanca po vazhdon e mbyllur.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së prezanton një pjesëtar të ri në ekip

Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ka prezantuar Jordan Behman, anëtar të ri si pjesë e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.

Kehoe ka thënë se kjo është hera e parë e Behman që po paraqitet në seancë gjyqësore.

“Dua të prezantoj një nga kolegët e mi që është hera e parë që vjen, është Jordan Behman. Meqë na keni thënë t’ju njoftojmë persona të rinj, duhet t’i prezantojmë përpara trupit gjykues”, deklaroi ai.

Biografia e Behman ende nuk është bërë publike në uebfaqen e Gjykatës Speciale.

Vazhdon seanca në rastin gjyqësor `Thaçi dhe të tjerët`

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon gjyqi në rastin “Thaçi dhe të tjerët. Sot do të jetë seanca e fundit për këtë javë.

Edhe sot dëshmon dëshmitari i dytë i Prokurorisë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit doli para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Edhe të mërkurën, seanca thuajse tërë kohën ishte e mbyllur për publikun dhe me përmbajtje të redaktuar.

Në pak minuta sa ishte e hapur, avokat i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka propozuar dy prova të reja. Ai propozoi një video e cila i është treguar dëshmitarit gjatë seancës private, si dhe dy paragrafë të lexuar nga letra e komandantit Crossland, lidhur me situatat nga Rahovec. Dëshminë e tij, ky dëshmitar do ta vazhdojë edhe të enjten.

 Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në javën e kaluar filloi procesi i paraqitjes së provave nga ana e Zyrës së Prokurorisë Speciale, respektivisht me dëgjimin e dëshmitarëve.

Ndryshe aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021. Më 23 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej Panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale. Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejt të krimeve, viktimave dhe vendodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022. Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

“Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat