​Tahiri: Iniciativa për draft-statutin e Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

Aktuale

​Tahiri: Iniciativa për draft-statutin e Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

Më: 22 prill 2023 Në ora: 12:14
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të diskutohet me Serbinë. Ai thekson se çdo iniciativë që Qeveria e Kosovës e ndërmerr në këtë drejtim duhet të jetë në përputhje me rendin Kushtetues të Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin në vitin 2015.

Tahiri akuzon kryeministrin Kurti se fshehurazi dhe në mënyrë tërësisht jo transparente po punon në zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.

Tahiri: Çdo iniciativë që merret për Asociacionin duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues

“Draft-statutin e Asociacionit nuk kemi nevojë me diskutu me shtete të tjera. Duhet të respektohet në përpikëri vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Ne e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që duhet të respektohet. Çdo iniciativë që ndërmerret duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues tonin”, thotë ai.

Sipas tij, Kurti e solli një marrëveshje me Serbinë që nuk ka njohje reciproke.

Tahiri: Kurti jo transparent për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë

“Sa i përket angazhimit të kryeministrit në dialog e karakterizon një jo transparencë jashtëzakonisht e madhe. Ju e dini se si kemi arritur tek marrëveshja e Ohrit, neve kur na është prezantuar drafti që e kemi diskutuar në një debat parlamentar, kryeministri na ka thënë se ky është drafti dhe këtë e kemi merre ose lere. Kemi ardhur në një pozicion që ne si opozitë asnjë kontribut të vetëm nuk kemi mundur me bërë për atë marrëveshje. Ajo ka qenë produkt i negocimit të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq dhe ndërmjetësit evropian, pra nuk ka pikë prej qiellit. Plani franko-gjerman nuk ka qenë diçka që është diskutuar para dy viteve, por është produkt i negocimit të tij shumë jo transparente si në raport me shoqërinë po ashtu edhe me Kuvendin”, shton Tahiri.

Në anën tjetër, Tahiri, nënvizon nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, megjithëse akuzon Kurtin se e ka sjell veriun e vendit në gjendje të mjerueshme.

Tahiri: Zgjedhjet në veri duhet të mbahen

“Respektim i rendit kushtetues në atë pjesë të territorit të Kosovës. Nuk mundet të mbetet një pjesë e territorit të Kosovës pa komuna, drejtues të komunave, prokuror, gjyqtar dhe një numër shumë të kufizuar të policëve. Këtë gjendje të mjerë në atë pjesë të territorit të Kosovës e ka sjell Qeveria Kurti. Kjo gjendje nuk duhet të tolerohet, zgjedhjet duhet të mbahen dhe njerëzve duhet t’iu ofrohet siguri e mjaftueshme që t’i zgjedhin drejtuesit e komunave të tyre”, thekson Tahiri.

Krahas kësaj, Tahiri flet edhe për shtyrjen e vazhdueshme të seancave të Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.

Ai përgjegjësinë për vonesat e miratimit të projektligjeve ia adreson vetëm mazhorancës, pasi thotë se opozita nuk mund t’ia bëjë numrat pushtetit.

Tahiri: Këta njerëz janë të paaftë

“Përgjegjësia jonë në radhë të parë është me vënë në pah paaftësinë e këtyre njerëzve dhe padijeninë e tyre, të cilët nuk janë të gatshëm me përmbush as mandatin deputetit, ministrit dhe as kryeministrit. Këta njerëz nuk po arrijnë me përmbushë as afër apo më mirë me thënë as nuk kanë filluar fare me implementu një projekt apo program të tyre që i kanë fituar zgjedhjet dhe kanë ardh në pushtet...Si Kuvend ju e dini se deri në fillim të këtij viti gjitha marrëveshjet ndërkombëtare i kemi votuar, pasi pa prezencën e opozitës ato nuk mund të kalojnë. Mirëpo prapë se prapë në asnjë rrethanë nuk kemi hasur në një bashkëpunim apo më mirë me thënë në çështjet që të kemi përkrahje nga ata. Ju e dini psh në Ligjin e buxhetit ju e dini se në asnjë amendament i vetëm nuk ka kaluar nga opozita kur është kaluar buxheti. Këtu vetëm bashkëpunim mazhoranca nuk ofron”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat