Përplasje të forta në Kuvend, pushteti i kundërpërgjigjet Qunit dhe Haradinajt

Aktuale

Përplasje të forta në Kuvend, pushteti i kundërpërgjigjet Qunit dhe Haradinajt

Nga: Bota sot Më: 4 maj 2023 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 17:18 më 04.05.2023
Ramush Haradinaj

S’ka kuorum, përfundon seanca

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje përfundoi seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Pas deklarimeve të opozitës se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend, derisa nuk ka zhbllokim të mjeteve vetanake të komunave dhe në mungesë të numrave nga mazhoranca ishte i pamundur shqyrtimi i projektligjeve që kanë qenë në rend të ditës.

Kjo bëri që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të mbyllë seancën e sotme, derisa tha se për vazhdimin e saj deputetët do të njoftohen me kohë.

Sot, Kuvendi përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare nuk shqyrtoi asnjë projektligj apo marrëveshje ndërkombëtare

Opozita kushtëzon votimin në Kuvend, kërkon të zhbllokohen mjetet vetanake të komunave

Partitë opozitare e kanë kushtëzuar votimin në Kuvendin e Kosovës, me siç thanë zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave. Në seancën e Kuvendit, opozitarët theksuan se nuk do të votojnë as marrëveshjen ndërkombëtare, përfshirë edhe atë me ambasadën e Francës në Prishtinë për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master, e cila është në rend të ditës të seancës së sotme.

Por, në reagimin e tij, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kundërshtoi pretendimet e opozitës, derisa tha se nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve për komunat.

Murati dha një propozim, që LDK-ja të iniciojë kërkesën që ai të korrigjojë gabimin, siç tha, i cili ka ardhur pas insistimit të tyre që në kuadër të Ligjit të Buxhetit të përfshihet edhe amendamenti ku vendosen kufizime ligjore për thesarin në ekzekutimin e mjeteve.

Murati: As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave

“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi është një amendament i Grupit Parlamentar të LDK-së, për të cilin kam sqaruar se nëse kërkohet nga ju që unë të korrigjoj si ministër atë gabim që e keni bërë ju, unë e bëjë. Por duhet të vij kërkesa nga ju”, tha ai.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ai amendament ka pasur qëllim vetëm largimin e mundësisë që qeveria të marrë të hyrat vetanake të komunave dhe jo të bllokojë ato.

Gashi: Ministri Murati po përdorë gjuhë të padinjitetshme

“GP i LDK-së ka bërë amendament i cili e heq nga ligji marrjen e të hyrave vetanake të komunave dhe dërgimin e tyre në fondin. Ky ministër e ka shkaktuar atë problem dhe po mendon që duke u sjell me këtë gjuhë të padinjitetshme dhe panevojshme kujton se mundet në çdo seancë me dal me fol, por e vërteta është se t’i ke dashur me marr të hyra vetanake të komunave që t’i menaxhosh prej qeverisë, kjo nuk mundet me ndodh”, deklaroi Gashi.

Kritik ndaj ministrit Murati lidhur me këtë çështje u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Kjo qasje po e dëmton konsensusin politik për marrëveshjet ndërkombëtare

“A jeni duke parë se çka po bën ministri i Financave. A e kemi mbështetur një amendament për ndryshimin e ligjit të buxhetit me të vetmit qëllim që të hyrat vetanake të komunave t’i kthehen. Ky ka qenë qëllimi...Kjo qasje po e dëmton në esencë konsensusin politik për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të tjera”, deklaroi ai.

Në debat u përfshi edhe shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila dha një propozim që të ketë një kërkesë nga opozita ndaj qeverisë që të ndryshohet amendamenti i propozuar në kuadër të Ligjit për buxhetit, rrjedhimisht të hiqet kufizimi ligjor për thesarin në bartjen e mjeteve ndaj komunave.

Kusari-Lila: Të ketë kërkesë nga LDK-ja që të hiqet kufizimi ligjor për thesarin

Njëjtë do të mbështesim kërkesën e tyre nëse ata e bëjnë për ministrin e Financave që të sjell plotësim-ndryshimin në amendamentin e propozuar, në mënyrë që të hiqet kufizimi ligjor që aktualisht e ka thesari për ekzekutimin e mëtutjeshme të këtyre mjeteve. Këmbëngulja, barrikadimi në pozicione ose shtyrja në bllokadë të mëtutjeshme për marrëveshje ndërkombëtare nuk i bënë nder askujt”, tha ajo.

Pas këtij ngërçi të krijuar dhe mungesën e kuorumit për ta hedhur në votim marrëveshjen ndërkombëtare, deputetët e Kuvendit shkuan në pauzë deri në orën 15:30.

“Turp ministër”, “inate politike”, Murati e Bajrami përplasen për mjetet e komunave

Ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi të enjten se të hyrat vetanake skadojnë në fund të vitit.

Sipas tij, ato që nuk janë të vitit paraprak, njësoj si ministrisë së Financave, skadojnë të hyrat në momentin kur arrihet mesnata e 31 dhjetorit.

“Ligji e përcakton që përtej këtij afati, mund të barten të hyrat vetanake të vitit 2022, jo viteve të tjera. Edhe komuna edhe çdo organizatë buxhetore e ka obligim me ekzekutu buxhetin që e ka të ndarë”, tha ai.

Ai shtoi se çdo projekt ekzekutohet dhe kështu nuk ka asnjë pengesë. Murati akuzoi opozitën se po i pengon marrëveshjet ndërkombëtare duke mos i votuar, vetë për “inate politike”.

“Sa i përket bllokadave që po i bëni për inate politike, s’është hera e parë që për inate politike po t’i bllokuar marrëveshjet ndërkombëtare, keni votuar kundër edhe herët e kaluara. Ky është vetëm një pretekst. Ndoshta mund të jetë inati për Komunën e Prishtinës”, tha ai.

Për këto deklarata, Hykmete Bajrami nga LDK-ja u shpreh e befasuar. Deputetja opozitare u shpreh se deklaratat e Muratit nuk janë të vërteta.

“Edhe ju e dini që nuk janë të vërteta. Ka bllokata, 28.8 milionë ju po refuzoni për një komunë t’i alokoni. Ky është inati juaj, dilni dhe tregoni se do t’i zhbllokoni mjetet. Sa i përket investimeve kapitale, Komuna e Prishtinës ka qenë e para që ka ardhur e para në zyrën tuaj dhe ka kërkuar zgjedhje për çështjen e indeksimit të kontratave për inflacion, por a e dini kur e keni adresuar atë çështje, me një ligj që nuk besoj se po zbatohet, në fund të vitit 2022”, u shpreh Bajrami.

Ajo i bëri thirrje Muratit që të dalë e thotë se do t’i zhbllokojë ato mjete. Theksoi se Muratit duhet t’i vijë turp për këtë situatë.

“Nuk keni asnjë pikë argument dhe dilni këtu t’i akuzoni komunat që i keni bllokuar nga niveli qendror, për t’i ekzekutuar. E keni bllokuar OSHP-në për rreth 11 muaj dhe po i akuzon komunat që nuk i kanë ekzekutuar investimet kapitale. Me të vërtetë duhet me iu ardh turp ministër”, shtoi Bajrami.

​Murati-LDK-së: S’keni të drejtë morale dhe profesionale të flisni për personat e zhdukur

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati ka vazhduar debatin me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur me nënshkrimin e deklaratës për personat e zhdukur me Serbinë, më 2 maj në Bruksel.

Murati ka akuzuar deputetët e LDK-së se nuk kanë të drejtë morale dhe as profesionale të flasin për personat e zhdukur, pasi në zotimet e Washingtonit në vitin 2020 nuk kanë shikuar termet për persona të zhdukur me dhunë apo forcë, por sipas tij, vetëm janë zotuar të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur.

Murati: S’keni të drejtë morale dhe as profesionale të flisni për të zhdukurit

“Në Uashington çka ka nënshkruar qeveria Hoti, ‘Të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të zhdukur. Më poshtë thotë se do t’i koordinojnë këto përpjekje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës’. As emri shtetit nuk figuron në marrëveshje dhe kjo nuk është në Bruksel, por Uashington, së paku emrin e shtetit është dashur me përmend kur flitet për gjëra të tilla. S’po hy hiç në teknikalitete, a keni qenë ju deputet Selmanaj në atë kohë se çka po nënshkruani, a e keni pa se çfarë po shkruan në atë tekst. S’keni të drejtë morale, madje as profesionale për me fol për këto tema”, ka thënë ai.

Mirëpo, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj është shprehur kritik ndaj ministrit Murati, derisa i ka thënë se ai edhe tri jetë t’i ketë nuk mundet të arrijë sukseset që janë arritur në ish-qeverinë Hoti.

Selmanaj: Ti djalë i mirë edhe tri jetë me i pasë s’mundesh me mbërri çka kemi mbërri ne

“Në marrëveshjen e Uashingtonit, ti djalë i mirë që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë, jo në villën e Titos në Ohër, jemi marrë vesh për zotime. Këtu kemi nënshkruar marrëveshje me Serbinë, ku e ke amnistuar Serbinë, e ke barazu në mënyrë institucionale përgjegjësinë për të zhdukurit që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, po ashtu ia ke heq mundësinë që njerëzit me pasë të drejtë me kërku kompensim. Këto janë dëmet e mëdha që iu kanë bërë këtij vendi. Unë po iu them edhe tri jetë me pas ti nuk ki me mbërri nëntë muaj sa kemi arritur ne me dërgu Kosovën në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ka publikuar të martën (2 maj) Deklaratën për të Zhdukurit për të cilën janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Aty deklarohet angazhimi i palëve për zbardhjen e personave të pagjetur nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Në këtë deklaratë është e cekur se përfshihen edhe personat e zhdukur me forcë, një term ky për të cilin pala kosovare ka insistuar që të përfshihet me patjetër në deklaratë.

Me këtë deklaratë, të dy vendet janë pajtuar për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.

Nga ana e Serbisë veçanërisht ka pasur mungesë bashkëpunimi, sipas autoriteteve të Kosovës, duke mos ofruar të dhëna rreth varrezave masive që ekzistojnë në Serbi.

Aktualisht në Kosovë janë 1643 persona fati i të cilëve ende nuk dihet.

Zhbllokimi i mjeteve vetanake të komunave, Kusari-LDK-së: Inicone kërkesën, do ta mbështesim

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, i ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës që të iniciojë kërkesë për plotësim-ndryshimin e t Ligjit për Buxhetin, që të zhbllokohen mjetet vetanake të komunave.

Kusari-Lila ka thënë se VV-ja do ta mbështesë këtë kërkesë, që të procedohet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Prandaj i bëj thirrje në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Lidhjes Demokratike të Kosovës që të iniciojë kërkesën që ne do ta mbështesim dhe natyrisht në procedurë të shpejtë të bëjmë plotësim ndryshimin e projektligjit pasi ta sjellë Ministri, në mënyrë që të zhbllokohen mjetet e komumave por edhe që të procedojmë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Kusari-Lila.

Deklarata e Kusari-Lilës erdhi pasi LDK’ja bëri me dije se s’do të votojë për asnjë pikë të rendit të ditës, pa dalë Ministri Hekuran Murati dhe të zotohet që do t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave.

“Si Grup Parlamentar e kemi marrë një vendim politik i cili është i njohur tani. Arsyeja është që deri sa Ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave, ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të ditës. Nëse Ministri del dhe zotohet se dio t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës, ne do të votojmë për”, ka thënë Dumoshi.

LDK e kushtëzon Qeverinë për votimin e projektligjeve: Zhbllokojini mjetet vetanake të komunave ose s’votojmë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se s’do të votojë për asnjë pikë të rendit të ditës, derisa Ministri i Financave, Hekuran Murati, të dalë dhe të zotohet se do t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave.

Për këtë vendim ka njoftuar deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.

“Si Grup Parlamentar e kemi marrë një vendim politik i cili është i njohur tani. Arsyeja është që deri sa Ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave, ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të ditës. Nëse Ministri del dhe zotohet se dio t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës, ne do të votojmë për”, ka thënë Dumoshi.

Dumoshit i është përgjgjur Ministri Hekuran Murati, i cili ka thënë se duhet të bëhet kërkesa nga LDK-ja që ai “ta korrigjojë gabimin”.

“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi ka qenë një amandamentim te grupit parlamentar të juaj, për të cilin unë e kam sqaru që nëse kërkohet, sepse amandamenti që keni ba ju është gabim, që nëse kërkohet nga Grupi Parlamentar i LDK’së që unë si Ministër ta korrigjoj atë gabim që e keni ba ju, unë e bëj. Mirëpo, duhet të vijë kërkesa nga ju”, ka thënë Murati

Bahrim Shabani zgjidhet nënkryetar i kuvendit

Bahrim Shabani është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë.

Ai ka marrë të gjitha 73 votat e deputetëve të kuvendit që kanë marrë pjesë në votim.

Grupi parlamentar i subjekteve pakicë ka propozuar që Shabani ta mbajë këtë pozitë deri më 22 prill 2024.

E që më pastaj të propozohet emir tjetër.

Shpërthejnë të qeshurat në Kuvend, Konjufca e ngatërron ministrin Vitia me Bekim Haxhiun

Pas debatit të ashpër të pozitës me qeverinë rreth deklaratës së personave të pagjetur, për relaksim të atmosferës është përkujdesur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky i fundit, duke iu e ftuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për ta marrë fjalën ia ka ngatërruar mbiemrin me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Tash një çështje të re, ashtu siç përshihet në rregullore ka të drejt ta ngrisë ministri i Shëndetësisë, për temën e shëndetësisë u fol më herët. Urdhëro, z. Haxhi, zoti Arben Vitia”, ka thënë Konjufca.

Kjo ka shkaktuar të qeshur të deputët, të cilët kanë pretenduar se Konjufca mbiemrin e ministrit ia ka ngatërruar me atë të deputetit të PDK-së.

Për t`i kundërshtuar pretendimet e opozitës, Konjufca ka thënë se e ka “përzi” me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.

“Mos paragjykoni, bre. Me Albulenën e përziva, që, çka ka lidhje”, ka thënë Konjufca, duke shtuar edhe më shumë të qeshurat e deputetëve.

Më pas, Konjufca e ka pranuar ngatërrimin.

“Po këta veç tu i bo pyetje njeri-tjetrit po rrinë”, është shprehur Konjufca.

Kjo i ka pëlqyer edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili qeshte në foltore derisa kryeparlamentari polemizonte me deputetët.

Selmanaj-Muratit: Djalë i mirë, edhe tri jetë m’i pasë s’mund me mbërri çka kemi arritur ne

Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka pasur përplasje mes ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, lidhur me çështjen e të zhdukurve gjatë luftës së fundit në vend dhe mënyrës se si është trajtuar kjo temë nga Qeveritë e kaluara.

Ka qenë ministri Murati ai i cili ka thënë se Qeveria paraprake, e udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së, ka nënshkruar marrëveshje në Washington, ku nuk përmendet as emri i shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka të drejtë morale të flasë për këtë çështje.

“Për t’ia rikujtuar në Washington çka ka nënshkruar Qeveria Hoti, është: të dyja palët zotohen të përshpejtojnë përpjekjet që të lokalizojnë dhe identifikojnë mbetjet e personave të humbur. Më poshtë thotë: do t’i koordinojmë këto përpjekje mes Beogradit dhe Prishtinës. Domethënë as emri i shtetit nuk figuron në marrëveshje. Së paku emrin e shtetit është dashtë ta përmendni. A keni qenë ju i nderuar deputeti Selmanaj në atë kohë, a i keni lexuar çfarë po nënshkruani, a e keni pa çka po shkruan në atë tekst. Ju lutem, nuk keni të drejtë morale e as profesionale për të folur për këto tema”, ka theksuar Murati.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur deputeti Selmanaj, i cili ka thënë se ministri Murati nuk mund të arrijë atë që ka arritur partia e tij në Shtëpinë e Bardhë, edhe sikur t’i ketë tri jetë.

“Unë po provoj të diskutoj së paku me njerëzit që na shikojnë sepse vërtete nuk ia vlen me nivelin e tij. Në marrëveshjen e Washingtonit ti djalë i mirë, edhe tri jetë mi pas ti s’ke me mund me e mbërri çfarë kemi arritur në Shtëpi të Bardhë”, ka thënë ai.

Murati i përgjigjet Haradinajt: Rritja e pagave vitin e ardhshëm – ky do të jetë koeficienti

Ministri i Financave Hekuran Murati, i është përgjigjur kërkesës së kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave.

Murati tha se kjo parashihet me Ligjin e Pagave, ku koeficienti i pagave për vitin e ardhshëm do të jetë 110.

“Sa i përket çështjeve të pagave, inflacioni vitin e kaluar ka qenë 11.6 për qind dhe jemi vendin më të ulët sa i përket inflacionit në rajon, përjashto Shqipërinë, kurse buxheti për paga ka rritje në nivelin 16 për qind dhe normalisht është paraparë që vitin e ardhshëm të rritet koeficienti i pagave në 110 euro”, u shpreh Murati.

Ministri Murati tha se është e pavërtetë se ka rritje të shpenzimeve të luksit pasi është bëri një klasifikim tjetër i shërbimeve dhe se shpenzimet për udhëtime nuk mund të llogariten me vitin e pandemisë.

“Kjo është e pavërtetë, shpenzimet për mëditje dhe udhëtime zyrtare janë përgjysmu, mirëpo pse janë rrit shpenzimet për mallra dhe shërbime, ka të bëjë për rritjen e shpenzimit për rezervën shtetërorë, ka mirë klasifikim të keq klasifikimeve të mëparshme, ka shpenzime siç është municione apo furnizime të tjera”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat