Kurti kujton heroin Luan Haradinaj: Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit e Rexhep Selimit

Aktuale

Kurti kujton heroin Luan Haradinaj: Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit e Rexhep Selimit

Më: 6 maj 2023 Në ora: 16:57
Ramushi dhe Luan Haradinaj

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka kujtuar jetën dhe vepren patriotike të heroit Luan Haradinaj, në 26 vjetorin e rënies së tij.

Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Luani, u angazhua për çështjen kombëtare edhe para formimit të vetë UÇK-së. Kurti përmendi se si Ai me shokë mbajti kontakte me Adem Jasharin e Rexhep Selimin në Drenicë. E me Zahir Pajazitin e Ilir Konushefcin në Llap.

Shkrimi i plotë:

“Ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së. Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj! I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin. Ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap.

Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri. Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur. I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së.

Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat