“Ndodh që Ministri Murati s’ma hap telefonin”, kryetari i Gjilanit sqaron deklaratën: U keqkuptua

Aktuale

“Ndodh që Ministri Murati s’ma hap telefonin”, kryetari i Gjilanit sqaron deklaratën: U keqkuptua

Më: 15 maj 2023 Në ora: 20:15
Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka dashur që ta korrigjojë një deklaratë të tijën dhënë gjatë ditës, e cila tha se u keqkuptua.

Më herët Hyseni deklaroi se ka raste kur Ministri i Financave, Hekuran Murati, nuk ia hap telefonin dhe se kanë shumë probleme e telashe.

“Ndodh që nuk na e hap telefonin edhe neve, nuk është komunikimi i atillë edhe çfarë mund të pretendohet. Nuk jemi në një linjë të komunikimit për 24 orë, mund të themi kështu. Kemi shumë probleme dhe shumë telashe”, tha Hyseni pas takimit të kryeministrit Kurti me kryetarët e komunave.

Mirëpo, i njëjti ka reaguar duke thënë se deklarata e tij u keqkuptua, dhe mori një konotacion negative.

Ajo çka ka dashur të thojë, shkruan Hyseni, është t’i hedh poshtë proklamimet se qeveria i jep prioritet vetëm komunave që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, kategori të cilës i përket ai.

“Po e shoh që shumë portale duan t’i japin tjetër konotacion deklaratës sime në lidhje me komunikimin me Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Për ta bërë të qartë raportet e mia me të janë shumë të mira. Ndërkaq deklarata ime e sotme ishte në raport me proklamimin se ministria/qeveria i jep prioritet vetëm komunave që qeverisen nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, gjë që është e pavërtetë”, shkroi Hyseni në Facebook.

“Pra, qeverisja aktuale nuk prioritizon në baza partiake, rrjedhimisht nuk mund të jem përjashtim as unë si Kryetar i Komunës së Gjilanit veç pse jam nga VV”, shkroi tutje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat