I nënshtrohen testit pesë kandidatët e nominuar për një pozitë të gjyqtarit në Kushtetuese

Aktuale

I nënshtrohen testit pesë kandidatët e nominuar për një pozitë të gjyqtarit në Kushtetuese

Më: 19 maj 2023 Në ora: 13:17
Foto ilustrim

Pesë kandidatë janë nominuar për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, nominimet e të cilëve janë shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në këtë gjykatë.

Ramadan Gashi, Hasan Shala, Emrush Kastrati, Bardhi Bokshi dhe Selman Ymeri janë kandidatët të cilët të premten iu nënshtruan testit me shkrim për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Si kandidat i nominuar ka qenë edhe kandidati Përparim Kalo, por ishte diskualifikuar për shkak të problemeve me dokumentacionin për aplikim.

Procesi për zgjedhjen dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, kishte dështuar dy herë radhazi, ndërsa herën e tretë vetëm njëri kandidat kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci, kishte arritur që në raundin e parë të votimit, të marrë 66 vota, të cilat ishin të mjaftueshme për t’iu propozuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për emërimin si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga anëtarët e komisionit të posaçëm, në përbërje Adnan Rrustemi, Driton Selmanaj, Mimoza Kusari-Lila, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Enis Kervan, Albert Zogaj, Naim Qelaj, Agim Ferati, Igor Simiq dhe Gresa Caka-Nimani.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), do ta monitorojë në tërësi procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat