​Flasin nga AUV për gjobat ndaj shkelësve të Ligjit të duhanit dhe inspektimin e Kuvendit

Aktuale

​Flasin nga AUV për gjobat ndaj shkelësve të Ligjit të duhanit dhe inspektimin e Kuvendit

Më: 30 maj 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Në prag të Ditës Botërore pa Duhan, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) janë deklaruar për aktivitetet e tyre inspektuese dhe numrin e gjobave ndaj shkelësve të Ligjit të duhanit.

Prej muajit mars të këtij viti e deri më tani, AUV ka shqiptuar rreth 500 gjoba për persona fizik dhe juridik për shkeljen e Ligjit të duhanit.

Përveç gjobave, kjo agjenci ka inspektuar edhe disa institucione publike, ku kontrollit nuk i ka shpëtuar as institucioni më i lartë ligjvënës në vend, Kuvendi i Kosovës.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi ka deklaruar për KosovaPress se për shkeljen e Ligjit të duhanit janë gjobitur të gjithë ata që nuk e kanë respektuar, përfshirë edhe institucionet publike.

Ndërkaq, sa i përket Kuvendit e institucioneve tjera publike, Thaçi ka theksuar se nuk është vetëm AUV që e monitoron zbatimit e këtij ligji, por sipas tij edhe vet administratat e institucioneve, udhëheqësi institucional, dhe agjencitë tjera si dhe policia, janë të obliguara ta monitorojnë, pasi obligohen me ligj.

Ai bënë apel të gjithë qytetarëve që të ndryshohet kultura e sjelljes së duhanpirësve dhe të respektohet ligji, pasi sipas tij është në të mirën e qytetarëve.

“Prej kohës kur është riaktivizuar çështja e zbatimit të Ligjit të duhanit deri tani janë rreth 500 gjoba të shqiptuara nga ana e inspektoratit sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe janë më mijëra inspektime dhe monitorime të cilat janë kryer në terren, shtatë ditë të javës, deri në orët e vona të natës, atëherë kur punon gastronomia...Ne po bëjmë apel që të ndryshojë kultura e sjelljes së duhanpirësve, në ambiente ku është e ndaluar me ligj, mos të konsumohet duhani, sepse në këtë formë cenohet shëndeti dhe jeta e atij që nuk e konsumon duhanin”, ka theksuar Thaçi.

Gjatë vitit 2022 kryeparlamentari Glauk Konjufca u kishte tërhequr vërejtjen deputetëve për pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura në Kuvend: “Veç edhe një herë pihet duhani në bufe, do ta ftoj inspektoratin”.

Ani se nuk tregoi se çfarë gjobe mori Kuvendi, Thaçi theksoi se në periudhën e fundit është inspektuar edhe bufeja e Kuvendit, Qeverisë, bufetë e ministrive të tjera, aty ku ka pasur shkelje të ligjit, ku sipas zëdhënësit Thaçi secila është gjobitur.

Thaçi tha se ligji për duhanin po respektohet për te gjitha institucionet, publike dhe private.

Madje, Thaçi ka shtuar se një nga hapësirat që ka shërbyer si bufe për ministritë e vendosura në objektin e “Ish-Rilindjes” në Prishtinë, është mbyllur për shkak të shkeljes së Ligjit për kontrollin e duhanit.

“Ne i kemi gjobitur disa bufe të institucioneve publike, në disa raste edhe kemi vepruar me mbyllje, në rastet kur kanë qenë përsëritës, por punonjësit dhe zyrtarët tjerë që punojnë brenda institucioneve duhet të inspektohen nga Inspektorati i Punës dhe nga vet udhëheqësit ata janë përgjegjësit e menaxhimit apo hapësirave ku ata drejtojnë institucionet dhe kanë të drejtë të shqiptimit të gjobave për punonjësit e tyre...Është inspektuar edhe bufeja e Kuvendit, Qeverisë, janë inspektuar edhe bufetë e ministrive të tjera, aty ku ka pas shkelje, secila është gjobitur. Në një rast kemi vepruar edhe me mbyllje, siç bëhet fjalë për bufenë e së ish ministrisë së administratës publike”, tha Thaçi.

Thaçi derisa tha se pika kritike e kontrollit për ligjin e duhanit janë lokalet e gastronomisë, bëri apel gjithë qytetarëve ta respektojnë ligjin dhe të ndryshojë kultura që duhani të mos pihet në ambientet e mbyllura.

“Pika kritike e kontrollit për ligjin e duhanit janë lokalet e gastronomisë, është një kulturë që duhet të ndryshojë, që njerëzit kur dalin me pi kafe shpeshherë kuptohet se po dalin të konsumojnë duhan dhe kjo kultura që ne nuk po konsumojmë më në shtëpitë dhe ambientet tona private duhet të kalojë edhe në atë që edhe në lokalet e gastronomisë nuk duhet të konsumohet duhani në ambientet e mbyllura, sepse është shumë i dëmshëm për shëndetin e njeriut, për këtë arsyeje është nxjerrë edhe ligji”, tha Thaçi.

Mes tjera, Thaçi tha se sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve.

“Ne fatkeqësisht kemi pas numër të kufizuar të inspektoreve...Njëherë kemi pas vetëm 12 inspektor në nivel të Kosovës dhe këta 12 i kemi pas për kontrollin e sigurisë ushqimore, më pas në vitin 2022 i kemi transferuar inspektorët komunal në agjenci, dhe kjo sërish nuk ka nënkuptuar se jemi rritë, për shkak se ata janë duke kryer të njëjtën punë që kanë kryer për komunën... Sigurisht se ka nevojë për inspektor, dhe jo vetëm sanitar, por është një histori e gjatë që po kërkojmë inspektorë dhe presim angazhimin e inspektorëve të rinj”, thotë ai.

Ndërkohë, Thaçi ka shtuar se krahasim me ditët e para, qytetarët janë vetëdijesuar në respektimin e ligjit.

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën Botërore pa Duhan.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij kontribuojnë në rreth 12% të të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës.

Përdorimi i duhanit është shkaku i dytë kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare, pas presionit të lartë të gjakut.

Në mbarë botën, përdorimi i duhanit vret më shumë se 7 milionë njerëz çdo vit, nga të cilat rreth 900 mijë janë joduhanpirës që vdesin nga thithja pasive e tymit të duhanit.

Dita Botërore pa Duhan synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi ndikimin që ka përdorimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të tij në shëndetin kardiovaskular si dhe të inkurajojë vendet të forcojnë zbatimin e masave të Konventës Kuadër të OBSH-së për kontrollin e duhanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat