“Siguria në rrugë”, maturantët nisin garat me biçikleta

Aktuale

“Siguria në rrugë”, maturantët nisin garat me biçikleta

Më: 30 maj 2023 Në ora: 12:59
Akademia “Tempulli”

Akademia “Tempulli” po organizon edicionin e tetë të revistës shkollore “Siguria në rrugë 2023”. Në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, maturantë të shumë shkollave në Kosovë kanë marrë pjesë në aktivitetin e garave me biçikleta.

Pjesëmarrës në këto aktivitete për 10 vjet, u tha se kanë qenë më shumë se 10 mijë nxënës. Ndërkaq nga Komuna e Prishtinës janë zotuar se po punojnë në sigurinë e shtigjeve për biçikleta.

Drejtori i akademisë "Tempulli", Muhamed Krasniqi tha se këtë vit bëhen një dekadë prej kur kanë nisur këto aktivitete për sigurinë në rrugë. Si të tilla, ai ka shtuar se tashmë kanë marrë karakter edukativ dhe arsimor.

"Dikur në vitin 2013 filluar edicionin e parë të revistës shkollore “Siguria në Rrugë”. Dhe sot mbushëm 10 vjet të këtyre aktiviteteve jashtë-mësimore, por edhe mësimore, nëpër nivele të ndryshme të shkollave në mbarë Kosovën. Ministria e Arsimit është bashkëpunues në vazhdimësi në të gjitha këto aktivitete, për shkak se ka bërë përzgjedhjen e shkollave në të gjitha aktivitetet. Deri më tash përmes këtyre aktiviteteve kanë kaluar më se 10 mijë nxënës, një armatë e tërë e nxënësve dhe qindra shkolla kanë marrë pjesë në këto aktivitete. Është edicioni i tetë me radhë. Sot do të garojnë maturantët nga shkollat përfaqësuese të Republikës së Kosovës, për të fituar njërin nga shpërblimet që janë, biçikleta për vendin e parë, dytë dhe të tretë”, ka thënë Krasniqi.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka theksuar se janë duke punuar për zgjerimin e shtigjeve për biçikletat.

"Kemi zgjeruar shtigjet e biçikletave, jemi duke punuar në rritjen e sigurisë në to. Sigurisht që ka nevojë më të madhe dhe këtu ku jemi tash në shesh, kemi nevojë për ndryshimet e fundit të cilat i nevojiten këtij sheshi që të bëhet tamam shesh. Jemi në procedura finale të përfundimit të projektimit të këtij sheshi që të jetë edhe më i sigurt, por që për ne mbetet prioritet zvogëlimi i numrit të makinave. Me këtë rast edhe përdorimi sa më i madh i biçikletave. Kam kuptuar që diku rreth gjashtë mijë teste janë bërë, ndonëse nuk jemi edhe shumë të kënaqur me rezultatet, ata që e kanë kaluar mendoj që është mirë për ta përmendur që kemi hapësirë dhe nevojë për përmirësim edhe me Drejtorinë e Arsimit në Prishtinë”, ka shtuar ajo.

Nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi theksoi se mbështesin çdo aktivitet, me qëllim të uljes së rasteve të aksidenteve në rrugë.

“Si çdo aktivitet tjetër, Policia e Kosovës edhe aktivitete të kësaj radhe do i mbështesë pothuajse në të gjitha komunat, përfshirë edhe kryeqytetin me pjesën e ligjërimit nëpër institucione apo shkolla. Ku fokus kanë qenë klasat e 12-ta, ku për ne është me rëndësi meqë kjo moshë është mosha ku pothuajse shumica prej tyre do ta kenë fatin që t’i nënshtrohen testit të pjesës teorike apo marrjes së patentë-shoferit. Dhe me këto njohuri të fituara, qoftë nga institucioni shkollor, qoftë nga pjesa e ligjërimit dhe pjesa praktike, këta kandidatë të rinj për patentë-shofer të kenë njohuritë e nevojshme dhe të mjaftueshme që nesër të dalin në rrugë të pavarur dhe të kenë sa më shumë siguri për gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor”, ka përfunduar Rexhepi.

Këto aktivitete po organizohen nga akademia “Tempulli” së bashku me Asociacionin Kosovar të Motorizimit (AMRKS), në mbështetje nga Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Byroja Kosovare e Sigurimit dhe Policia e Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat