LIVE: Tensionet në veri/ Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës - Në Zveçan ka ende grupe protestuese

Aktuale

LIVE: Tensionet në veri/ Lëndohet një zyrtar i Policisë së Kosovës - Në Zveçan ka ende grupe protestuese

Më: 31 maj 2023 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 23:03 më 31.05.2023
Pamje nga veriu i Kosovës

Serbët lokalë obligohen të protestojnë në Zveçan

Rreth 100 serbë janë mbledhur në mbrëmjen e së mërkurës në Zveçan, në afërsi të ndërtesës komunale, ku është duke u protestuar për të tretën ditë me radhë.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për masë paraburgimi prej një muaji për dy të arrestuarit në këtë komunë, gazetarët e Radios Evropa e Lirë, kanë mësuar se qytetarët e institucioneve publike, janë të obliguar që të protestojnë prej sonte, me orare të ndryshme.

Dy të arrestuarit, dyshohet se kane qenë pjesë e përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në atë komunë, më 29 maj.

Lista Serbe i ka identifikuar dy të arrestuarit si Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq.

Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

Lista Serbe e ka konsideruar vendimin për paraburgim si të paligjshëm dhe dy personat si të pafajshëm.

Në Zveçan ka ende grupe protestuese

Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se në këtë qytet shihen ende disa grupe protestuese.

Zhvillimet në veri janë duke marrë vëmendjen e shumë mediave ndërkombëtare.

Të mërkurën në Zveçan janë parë edhe gazetarë të mediave nga Italia dhe Franca.

Vetura e Policisë së Kosovës sulmohet me gurë në Zveçan

Një veturë e Policisë së Kosovës është sulmuar me gurë nga persona të maskuar në komunën e Zveçanit.

Siç raportohet Policia e Kosovës ka menduar se mund të arrijë me veturë në objektin e komunës.

Por, tashmë vetura e policisë është larguar.

Gazetari Sylejman Sylejmani, po qëndron aty, nga ku ka dërguar pamjet ku shihen persona të maskuar duke vrapuar dhe duke gjuajtur me gurë.

Kjo tregon vazhdimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe sfidat me të cilat po përballen forcat e rendit dhe ligjit kohëve të fundit.

Po ashtu, Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të mërkurën në Zveçan është dëmtuar një automjet i saj zyrtar.

Sipas Policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 14:00, derisa njësia policore ka qenë duke patrulluar afër objektit të komunës në Zveçan.

Sipas saj, sulmi dyshohet të jetë kryer nga një grup i personave, të cilët kanë gjuajtur me mjete të forta.

Nuk ka raportime për të lënduar, derisa Policia ka thënë se rasti është duke u hetuar.

Nis takimi i përfaqësuesve të Listës Serbe me KFOR-in në Zveçan

Në Komunën e Zveçanit  sapo ka filluar një takim i dytë për ditën e sotme mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe përfaqësueseve të Njësitit të KFOR-it.

Takimi është duke u bërë në një ambient brenda perimetrit, i cili po ruhet nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

Ekipi i medias i cili është në vendin e ngjarjes ka bërë të ditur se minuta më parë është sulmuar edhe një veturë e Policisë së Kosovës, e cila është futur mes turmës së protestueseve, më pas e njëjta është sulmuar nga protestuesit serb të cilët janë pjesëmarrës në protestë.

Këtë veprim, Lista e Serbe e ka cilësuar provokim, duke arsyetuar kështu veprimet e protestueseve serb.

Gjithashtu, në ditën e katër të tensioneve ka pasur sërish sulme ndaj mediave.

Aktualisht, situata është e qetë në këtë komunë, derisa ende nuk është lajmëruar se kur do të përfundojë protesta.

Në Leposaviq vandalizohet vetura e Syri.net

Disa protestues serbë në Leposaviq kanë shpuar gomat e veturës së ekipit të Syri.net.

Situata e cila po përshkallëzohet nga çasti në çast, po rrezikon punonjësit medialë të cilët po raportojnë nga veriu.

“Ky është sulmi i katërt gjatë ditës së sotme, në drejtim të ekipeve të mediave, të cilët po raportojnë për situatën në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

AGK-ja, shpreh shqetësim për kushtet e punës së gazetarëve të cilët po raportojnë nga ajo zonë.

Njëherësh, u bën thirrje gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve të ekipeve, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë raportimit. 

Fillon sërish tubimi i protestuesve në Zveçan, vendoset tendë afër KFOR-it

Kanë filluar të mblidhen sërish protestuesit në Komunës e Zveçanit.

Në këtë tubim tashmë protestuesve iu është bashkangjitur edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari i subjektit, Igor Simiq.

Ekipi i medias i cili po qëndron në vendin e ngjarjes ka bërë të ditur se tashmë është vendosur një tendë afër pengesave të KFOR-it.

Ndryshe sot është dita e katër që protestojnë serbët në veri.

Përfundon protesta në Zveçan, serbët i shpërndan edhe shiu

Protestuesit serbë në komunën e Zveçanit janë shpërndarë rreth orës 16:00.

Shpërndarja erdhi pasi krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq patën me disa pjesëtarë të KFOR-it.

Pjesëtarët e KFOR-it i thanë Rakiqit e Simiqit se ushtarët e tyre kanë larguar plumba nga jelekët e tyre.

Tutje, një nga pjesëtarët e KFOR-it i tha Rakiqit se situata e së hënës nuk do të lejojnë që të përsëritet.

KFOR-i- Listes Serbe në Zveçan: “Ju na rrezikuat të hënën, nuk e harrojmë atë dite”

Përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët janë prezent gjatë terë kohës në protestën që po mbahet nga e hëna në Zveçan, kanë negociuar me pjesëtarët e KFOR-it.

Këta të fundit i thanë serbëve se ju kemi kërkuar të hënën që ta kontrolloni turmën e juaj dhe të respektoni, për hirë të komunikimit, por ju nuk na lejuat të ecnim lirshëm mua e as kolegët e mi.

“Ju na keni rrezikuar, të hënën kur jam kthyer te automjeti im ka qenë i shkatërruar.

Nuk mund ta harrojmë atë ditë sepse mund të përsëritet. Unë nuk mund të harrojë atë që keni bërë të hënën”, ka thënë përfaqësuesi i KFOR-it gjatë bisedës me ata të Listës Serbe.

Përfundon protesta në Zubin Potok

Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok ka konfirmuar përfundimin e protestës së serbëve lokalë në këtë komunë.

Protestuesit kanë qenë para objektit të komunës prej orëve të hershme të mëngjesit.

Ndërkohë, në Zveçan, për shkak të shiut të madh, protestuesit janë larguar nga rruga, por protesta nuk është shpallur e përfunduar.

Rakiq i kërkon KFOR-it të vendosë forca në rrugët e Zveçanit

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka kërkuar nga KFOR-i që të vendosë forcat e tij në rrugët e Zveçanit, në mënyrë që “Policia e Kosovës të mos afrohet dhe të ngrejë tensione”.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat