Policia konfirmon: Vetura në Zveçan u godit me mjete të forta, nuk ka të lënduar
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një veturë e tyre është sulmuar me mjete të forta në pasditen e sotme në Zveçan
“Me datën 31.05.2023 rreth ores 14:20, derisa njësia policore ka qenë duke patrulluar afër objektit të komunës në Zveqan, nga një grup i personave të dyshuar është sulmuar me mjete të forta gurë dhe me këtë rast kanë dëmtuar automjetin zyrtar”, ka thënë për teve1.info zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.
Kelani tutje ka shtuar se nuk ka të lënduar teksa rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim apo asgjësim prone”.
“Nuk raportohet për të lënduar përderisa rasti është duke u hetuar. Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet hetimore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, me autorizim të të cilit është inciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim apo asgjësim prone””, ka thënë Kelani tutje.
Sulmohen gazetarët në Zveçan, goditet fizikisht gazetari i RTV21
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se gazetarët që janë duke raportuar nga Zveçani janë sulmuar nga protestuesit lokalë.
Sipas AGK-së, gazetarët janë sulmuar pasi kanë tentuar të filmojnë momentin e sulmit ndaj veturës së Policisë së Kosovës.
“Në një video dërguar AGK-së, shihet se protestuesit urdhërojnë që të mos xhirohet, kështu duke i shkuar nga prapa e pastaj sulmuar në bark, gazetarin e RTV 21, Burim Zariqin, njëherësh anëtarin e Bordit të AGK-së”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Tutje, AGK u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve që po raportojnë nga veriu që të kenë kujdes të shtuar.
“AGK-ja, njëherësh ju bën thirrje organeve kompetente, që të marrin masa për t’i siguruar gazetarët që gjenden në këto komuna”, thuhet në reagim.
Zvogëlohet numri i protestuesve në Leposaviq
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Leposaviq raporton se ka nisur të zvogëlohet numri i protestuesve serbë në këtë komunë.
Protestuesit janë mbledhur para objektit të komunës, prej orës 07:00.
Situata aktuale është e qetë.
Thyhen xhamat e veturës së Policisë në Zveçan
Xhamat e një veture të Policisë së Kosovës u thyen para pak çastesh në Zveçan.
Një automjet që ishte duke qarkulluar nga objekti i komunës së Zveçanit, në drejtim të Mitrovicës, te udhëkryqi, theu xhamat e një veture të Policisë së Kosovës, raporton KosovaPress
Automjeti që sulmoi veturën e Policisë, iku nga vendi i ngjarjes.
Ndryshe, tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Serbi me simbole çetnike provokon ushtarët e KFOR’it në Zveçan
Në komunën e Zveçanit ku po zhvillohet protestë nga ana e serbëve, situata po vazhdon të jetë e qetë.
Ekipi i medias i cili po qëndron në këtë komunë raporton se një serb ka provokuar ushtarët e KFOR’it.
Në fotografi personi në fjalë shihet teksa e mbanë një flamur të Serbisë, ndërsa në kokë ka të vendosur një kapele me simbole çetnike.
“Pse e keni mbyllur rrugën”, ka qenë pyetja nga ai drejtuar ushtarëve të KFOR’it duke bërtitur. Këta të fundit nuk kanë reaguar.
Policia e Kosovës jep detajet e fundit rreth situatës në veri, ka një kërkesë për qytetarët atje
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë të re rreth situatës në veri të vendit.
Policia mes tjerash fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, edhe sot po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe po kryen detyrat e saja të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe institucionet relevante, po vazhdon me angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, sigurimin e lirisë së lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, ku edhe sot po vazhdojnë protestat.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim dhe fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Serbët vendosin flamurin gjigant edhe në Zubin Potok
Protestuesit serbë kanë vendosur një flamur gjigant të shtetit të tyre edhe në Komunën e Zubin Potokut në Republikën e Kosovës.
Në këtë komunë, protestuesit serbë e vendosën flamurin në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare, raporton KosovaPress.
Ata po protestojnë qysh prej orëve të mëngjesit, në kundërshtim të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Protestuesit serbë kanë përdorur edhe fëmijët e tyre në protestën e sotme në Zubin Potok.
Ata vërehet se ndjehen të sigurt pranë policëve shqiptarë, pasi që njëri nga ta e afron një fëmijë krejt pranë kordonit të Policisë së Kosovës.
Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë arrin në garnizonin e Rashkës
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, arriti në garnizonin e Rashkës, afër kufirit me Kosovën, ku është vendosur një pjesë e ushtrisë së Serbisë.
Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi njoftoi se Vuçeviq do të diskutojë për situatën aktuale të sigurisë me oficerë të lartë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ushtria serbe është në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake që nga 26 maji.
Vuçiq e mori këtë vendim pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Ish-kryetari i Zveçanit: Nuk ka struktura kriminale në protesta
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, u tha gazetarëve se në mesin e protestuesve serbë atje “nuk ka struktura të organizuara, nuk ka banda të organizuara kriminale, pjesëtarë të të ashtuquajturit grup Wagner, apo të rinj që - siç thotë Prishtina, duan të djegin çdo gjë që nuk është serbe”.
“Këtu janë qytetarët e Komunës sonë të Zveçanit, vëllezërit nga Mitrovica e Veriut”, tha Milloviq, pas akuzave të autoriteteve të Kosovës se “strukturat e organizuara kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, janë përgjegjëse për trazirat në veri.
Ai tha se këto protesta nuk janë kundër KFOR-it dhe se i vjen keq për, siç tha, “konfliktin e imponuar” dhe “për atë që ndodhi”.
Milloviq tha se protesta po zhvillohet kundër “pushtimit brutal të objektit të Komunës së Zveçanit”.
"A e ka ditur KFOR-i? A ka ndihmuar? Ne po kërkojmë përgjigje për këtë. Kërkesat e vetme janë që njësitet speciale me tuba të gjatë të largohen dhe të largohen nga ndërtesa e Komunës së Zveçanit".
Sipas tij, kryetarët shqiptarë janë “të papranueshëm dhe jo të mirëpritur”.
Sot më shumë protestues serbë në Zubin Potok, provokojnë me këngë nacionaliste
Edhe sot po vazhdon protesta në pjesën veriore të vendit.
Në Komunën e Zubin Potokut ka një numër më të madh të protestueseve në krahasim me ditën e djeshme. Ndërkaq, për dallim nga ditët tjera, sot nuk shihet ndonjë protestues me maska, raporton KosovaPress.
Pranë objektit ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa pak më tej ka pjesëtarë të KFOR-it.
Protestuesit vazhdojnë të provokojnë me këngë nacionaliste.
Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.