Opozita e quan Muratin abuzues me buxhetin, ministri krenohet me punën e tij

Aktuale

Opozita e quan Muratin abuzues me buxhetin, ministri krenohet me punën e tij

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 16:55
Hekuran Murati

Mes përplasjeve e akuzave ndërmjet opozitës dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati është shqyrtuar Raporti vjetor financiar për Buxhetin e për vitin 2022 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ky raport e paraqet një menaxhim katastrofal dhe abuzim të buxhetit. Murati kritika mori edhe nga bashkë-partiaku i tij, Eman Rrahamni, deputet i Vetëvendosjes.

"Është mirë që po diskutohet ky raport sot, sepse është raporti ku më së miri shihet kredibiliteti i politikave të Qeverisë. Jam i bindur se raporti i buxhetit e tregon një menaxhim katastrofal, në tri aspekte e them këtë. E para nëse e krahasojmë më qeveritë paraprake, është përkeqësuar struktura e shpenzimeve, 41% e buxhetit shkon në subvencione dhe transfere, ndërsa ka qenë rreth 32 për qind. 16 % në investime kapitale kanë rënë, kanë qenë 23 për qind. Keni hy në pjesën e dytë të mandatit dhe nuk shihet në bazë të progresit realizimi i projekteve kapitale, nëse përafërsisht do të arrini t'i realizoni premtimet. 41% e buxhetit shkon në subvencione, një ekonomist me dije elementare e ka të qartë që me këtë nuk ka zhvillim këtu, ka mbijetesë, kjo nuk ka të ardhme”, theksoi ai.

Mes tjerash ish-ministri i Financave, Hoti, ka adresuar kritika edhe për ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Sipas tij ai në vend se të merret me zhvillimin e bujqësisë, po merret me ndalimin e duhanit.

"Ministri Peci, në vend se të merret ku po shkojnë subvencionet, si po zhvillohet bujqësia, ai merret me ligjin e duhanit, është mirë me ja ndërrua edhe titullin "ministri për ndalim të duhanit". Tek investimet kapitale as gjë nuk keni bërë, rreth 500 milionë euro i mungojnë ekonomisë si shkak i mos punës së qeverisë...Jeni tall me buxhet. Mëditje për udhëtim jashtë vendit janë rritur... Kujt ia ke dhënë subvencionet. Qindra miliona euro nuk i keni vendos në raport. KOSTI-it i keni dhënë hua, kur kthen këto. Të hyrat vetanake të komunave kaos i ke bërë krejt. A din si e përshkruaj menaxhimin e buxhetit sikur ajo shprehja gjatë komunizmit, “qeveria gjatë kohës se komunizmit ta thyente këmben dhe ta jepte një shkop për t’u mbajtur” kështu i ke menaxhua financat publike", tha Hoti.

Ndërsa, ministri i Financave, Hekuran Murati, i është përgjigjur Hotit duke thënë se komunat që udhëhiqen nga partia e LDK-së janë më të dobëtat në realizimin e projekteve.

Sa i përket investimeve kapitale, ai theksoi se nuk është e vërtet që ka rënie të investimeve.

"Kur thuhet se janë stopuar investimet kapitale, nuk është e vërtet, sepse si ministri u kemi bërë thirrje që punimet të përshpejtohen. Nëse e shohim në nivelin lokal e kemi komunën e Prishtinës dhe Fushë Kosovës që udhëhiqen nga ju, që janë më të dobëtit në realizimin e projekteve. Është për herë të parë që ndërmarrjet publike kanë më pak punëtore, në këtë rast Telekomi, ku çdo vit keni shtuar punëtorë, për herë të parë kjo është ndryshuar. I përmendët shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, shihni vitet e kaluar dhe patjetër që kur i krahasoni me vitin kur ka qenë pandemia, prej mbi 11 milion euro kjo ka rënë në 5.2 milion euro, ju lutemi mos bënë propaganda të tilla. Ju nuk keni ble armatim", tha Murati.

Sërish pas këtij prezantimi, pati përplasje mes deputetit, Hoti dhe ministri Murati.

Hoti ministrin e Financave e quajti "mashtrues", sepse sipas tij mënyra si po arsehet ministri nuk është e drejtë.

"Mos fol kot se reagoj ndryshe, kush e ka bërë FSK-në, nuk mund të flasësh kështu. Kur them ku kanë shkuar avanset shihe çfarë flet ky mashtrues. Ky mashtruesi tash e arsyeton vendimi për subvencionim për energji, këtë nuk e keni paraqit në raport. Qysh mu arsyetua ku 41% të buxheti e keni dërguar në subvencione, kur doni me bërë Zvicër ose Kroaci qe keni premtua. Shenjë si ke lënë në ekonomi, i ke blloku të hyrat vetanake të komunave. Pse nuk po i qon në bilanc bankarë. Qysh me të kuptua kur krizën më të madhe nuk i rrit pagat. 80 mijë punëtorëve u janë zvogëluar pagat", është kundërpërgjigjur Hoti.

Madje përplase pati edhe me bashkë partiakët e tij, deputeti nga LVV, Eman Rrahmani, i cili akuzoi ministrin Murati për fjalë të pavërteta.

Gjithë debati erdhi pas pyetjes së deputetit, Ferat Shala në lidhje me numrin e këshilltarëve politik.

Për këtë, ministri Murati tha se këshilltar politik ka më pak se secili ministër që kishte në qeveritë paraprake.

"Këshilltarë politik ka më pak se secili ministër para meje. E tërë qeveria ka më pak sesa deputetet që kanë asistent", tha Murati.

Këtu, deputeti Eman Rrahmani ka hedhur akuza kundrejt fjalëve të ministrit Murati. Sipas tij, ministri i Financave vazhdimisht ka sulme drejt deputetëve, me ç'rast ka kërkuar edhe arsye të këtyre sulmeve ndaj tyre.

“Sa asistentë kanë deputetët, thuaje, pasi ka më pak. Mos fol të pavërteta se nuk kanë marrë gjithë deputetët. Nuk mund të flasësh të pavërteta, edhe nëse i marrim të gjithë, ju sërish më shumë se deputetët që kanë. Sa këshilltar janë gjithë komplet nëse jep kësi vlerësime. Ku e ke problemin me deputetë, pse duhesh t'i sulmosh sa herë vjen në komision. Sa është numri?", ka pyetur Rrahmani.

Murati tha se nuk e ka ndonjë problem, derisa tregoi për numrin e këshilltarëve.

"Një ministër i ka gjashtë këshilltarë, 15 ministri bëjnë 90 këshilltarë", tha Murati.

Edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala ka shprehur pakënaqësi lidhur me punën e qeverisë.

Shala shprehi shqetësimin e tij se rezerva shtetërore është bartë jashtë Kosovës.

"Është shqetësuese, rezerva shtetërore është bartë jashtë Kosovës, këto nuk paraqiten në raport”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj tha se ministrat e qeverisë Kurti kanë ardhur sa për t’u dukur dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë.

"E kuptoj se ju duhet me çdo kusht të mbroni edhe atë që është keq menaxhuar, ju kuptoj se sot jeni para një prezantimi që edhe ju nuk jeni të kënaqur. Isha ndih keq nëse vetëm 15 për qind të investimeve kapitale është shpenzueshmeria e parasë publike. Nëse këtë e bëni që të mburreni, nuk kam fjalë. Ajo që mund të them, më të vërtet ministrat kanë ardhur sa për t’u dukur, dhe jo që të merren me menaxhim të mirëfilltë dhe të realizojnë kërkesat e qytetarëve... Mburreni për rritje ekonomike, e sot jemi me trend 3.5 për qind. Nuk është larguar as TVSh në produktet bazë", tha Lekaj.

Pas gjithë akuzave të opozitës ndaj qeverisë për keqmenaxhimin e parasë publike, Ministri Murati vazhdon të mburret me punën e realizuar.

Murati tha se ky raport është vlerësuar si ndër më të mirat nga institucionet ndërkombëtare.

"Ky raport edhe viti i kaluar fiskal është vlerësuar si ndër më të mirët, marrë parasysh rrethanat dhe krizat që jemi përballë. Këtë nuk e them unë e thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar, BE në raportin e tyre, e thotë banka botërore dhe BERZH. Të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë peshë dhe kredibilitet sa i përket kësaj çështje e tregojnë se qeveria ka menaxhuar , më së miri në rajon krizën e inflacionit dhe krizën energjetike", tha Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat