“S’është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë”, Escobar: Asociacioni duhet të bëhet, çështja është nga kjo qeveri apo ajo që vjen

Aktuale

“S’është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë”, Escobar: Asociacioni duhet të bëhet, çështja është nga kjo qeveri apo ajo që vjen

Më: 7 qershor 2023 Në ora: 14:28
I Dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I Dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një konferencë për shtyp në Beograd ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të bëhet nëse Kosova dëshiron të ecë përpara.

Emisari amerikan ka theksuar se Asociacioni duhet të formohet me këtë Qeveri, apo me tjetrën në të ardhmen.

Ai tha se formimi i Asociacionit është obligim ligjor për Qeverinë e Kosovës dhe shtoi se zgjedhjet e reja në veri të Kosovës nuk duhet të presin deri në fund të korrikut.

Escobar e theksoi edhe para gazetarëve në Beograd se çështja e Asociacionit nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por mes kësaj të fundit dhe Kosovës.

“Pra, unë po flas për faktet, Asociacioni është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit Evropian, në kuadër të marrëveshjes së Ohrit. Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimeve euroatlantike, duhet ta përmbushë. Pyetja e vetme është se a do të formohet nga kjo qeveri apo qeveria e ardhshme”, tha Escobar në një konferencë për shtyp në Beograd.

Ai theksoi se marrëveshja e Ohrit është “gjithëpërfshirëse” për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Escobar tha se ai ende mendon se shumica e elementeve të Marrëveshjes së Ohrit mund të përmbushen këtë vit.

“Aty janë shprehur qartë përgjegjësitë e të dyja palëve. Gjithçka mund të bëhet shpejt, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit. Ne mund të kemi gjithçka, shumicën e elementeve,” tha ai.

Escobar ka theksuar se sa i përket zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, “nuk dëshiron të presë deri në fund të korrikut, por se ky është një plan që aktualisht është duke u zhvilluar”.

“Pra, unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është që të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Kjo është diçka ku ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që serbët që marrin pjesë në zgjedhje dhe kthimi në institucione është i mirëseardhur”, tha Escobar.

Në fund, Escobar tha se SHBA-ja është e përkushtuar që “të ndihmojë Serbinë dhe Kosovën në një mënyrë që funksionon për të gjithë” dhe se kjo çon në një plan rajonal që përfitojnë të gjithë që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat