Gazetari Marin Mema reagon pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive: Vëllait nuk i kthehet shpina për asnjë arsye!

Aktuale

Gazetari Marin Mema reagon pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive: Vëllait nuk i kthehet shpina për asnjë arsye!

Nga: M.L. Më: 14 qershor 2023 Në ora: 11:50
Marin Mema

Gazetari Marin Mema ka reaguar pas zhvillimeve të djeshme, kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama anuloi njëanshëm mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që ishte paraparë të mbahej sot në qytetin e Gjakovës.

Mema në një postim në Facebook ka shkruar se sot shqiptarët problemin më të madh e kanë me veten e tyre e jo me të tjerët.

Ai shprehet se kurrkush nuk mundet ta ndajë Kosovën prej Shqipërisë e as Shqipërinë prej Kosove!

“Në familje problemet thuhen në sy e po në sy, bashkë gjenden zgjidhjet. Vëllait nuk i kthehet shpina për asnjë arsye! Në ditë të vështira duhet të jemi bashkë. Mitrovica nuk mund të ndahet e po kështu asnjë copëz e trojeve shqiptare nuk mundet më të ketë këtë fat!”, shkruan Mema.

Sipas gazetarit çdo draft duhet diskutuar fillimisht ndërmjet shqiptarëve.

Postimi i plotë:

Ne nuk mundet të jemi mbi palët! Ne jemi shqiptarë si shqiptarët e Kosovës. Jemi një gjak, një histori, një traditë, një trashëgimi, një kulturë 🇦🇱.

Sot, problemin më të madh ne e kemi me veten dhe jo me të tjerët. Me të vështirë e kemi të ulemi me njeri - tjetrin brenda familjes, (të flasim, diskutojmë, debatojmë po qe e nevojshme, por pa i nxjerrë problemet në “pazar”) se me të tjerët. Në fund të ditës populli ka një shprehje “I yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”.

Ka gjëra më të rëndësishme se pushteti, fuqia, mëndjemadhësia, politika, fryrja e krekosja, mëria e inatet personale; dhe kjo është çështja shqiptare! Çështja shqiptare është më e rëndësishme se çdo individ, se çdo pushtet!

Kurrkush nuk mundet ta ndajë Kosovën prej Shqipërisë e as Shqipërinë prej Kosove! Sa të kem frymë do punoj për Shqipëri e Kosovë! Sa të kem frymë sepse e ndjej atë gjak patriotësh, dëshmorësh, nënash e fëmijësh që sot nuk jetojnë më dhe që e kanë ngjyer tokën e Kosovës me gjak lirie!

Në familje problemet thuhen në sy e po në sy, bashkë gjenden zgjidhjet. Vëllait nuk i kthehet shpina për asnjë arsye! Në ditë të vështira duhet të jemi bashkë. Mitrovica nuk mund të ndahet e po kështu asnjë copëz e trojeve shqiptare nuk mundet më të ketë këtë fat! Shqipëria nuk mund të vendoset në pozitë sikur është mbi palët, sepse ne nuk mund të jemi mbi palët. Ne jemi shqiptarë! Jemi shqiptarë si shqiptarët e Kosovës. Çdo draft duhet diskutuar më parë mes nesh! Vetëm kështu kemi një zë! Mbi palët të qëndrojnë të tjerët, ne nuk mundemi. Jemi një gjak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat