Përfundon takimi i presidentes Osmani me veteranët, ja kërkesat dhe paralajmërimet e tyre

Aktuale

Përfundon takimi i presidentes Osmani me veteranët, ja kërkesat dhe paralajmërimet e tyre

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 13:54 Përditësuar në ora: 16:15 më 18.07.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

OVL UÇK i kërkojnë Osmanit mosdekretim të Ligjit për pagën minimale: Do të bllokojmë edhe Kuvendin

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës OVL e UÇK-së pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani thanë se do të shikojnë të gjitha rrugët ligjore që të parandalojnë hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale.

Kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se do të mbajnë protesta që të bllokojnë punën e parlamentit të Kosovës.

Sipas tij, para presidentes i parashtruan kërkesat e tyre dhe siç tha Jashari presin nga Osmani që mos ta dekretojë ligjin.

“I dini qëndrimet e OVL e UÇK-së..Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë të bllokojmë tutje punët e parlamentit. I thamë çfarë kishim për t’ thënë presidentes dhe i bëmë kërkesë që mos ta nënshkruaj një ligj të tillë i cili i diskriminon veteranët e luftës. Besoj që edhe në përputhje me ligjet për këto kategori ka plotë shkelje dhe ne i thamë që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kompetencat si dhe do të bllokojmë punën e kuvendit. …Këtu u shkel dinjiteti i kësaj kategorie….”, ka thënë Jashari.

Ai po ashtu tha se: “Kërkesa jonë ishte që Osmani mos të dekretojë dhe mos të nënshkruaj ligjin. Presidentja ka kabinetin e saj dhe paanshëm kanë me i pa të gjitha ato. Nëse e nënshkruan një ligj ‘do i vendosësh vetes një notë të keqe’ ”.

Tutje ai potencoi se: “do të vazhdojmë dhe me rrugë ligjore e me protesta për të parandaluar këtë padrejtësi”.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetari të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku bëri të ditur se protesta kundër Ligjit për pagën minimale do të mbahet më 26 korrik.

“E kemi paralajmëruar që më 26 do të kemi protestë atë ditë që do të mbahet seanca”, ka thënë Klinaku.

Nis takimi i Osmanit me veteranët

Ka nisur takimi i presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e OVL UÇK-së.

Në takim po merr pjesë ushtruesi i detyrës së OVL UÇK-së, Faton Klinaku, Xhavit Jashari dhe Fadil Shurdhaj.

Ky takim është kërkuar nga përfaqësuesit e kësaj organizate, pas miratimit të Ligjit për pagën mininale, në të cilën nuk u përfshin veteranët.

Pse presidentja i takon sot veteranët e UÇK-së? Flet Klinaku

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do t’i presë në takim përfaqësuesit e OVL të UÇK-së.

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, tregoi se do të bisedojnë në lidhje me Ligjin për pagën minimale, në të cilën nuk janë përfshirë veteranët.

”Po, do të bisedojmë për Ligjin për pagën minimale”, tha shkurt Klinaku, pa dhënë më shumë detaje.

Nga presidenca është thënë se takimi do të mbahet në orën 14:00.

Kujtojmë, gjatë javës së kaluar u votua ky projektligj në Kuvendin e Kosovës, me shumicë votash.

Në lidhje me këtë kishte dhe një protestë të thirrur nga veteranët dhe disa parti politike gjatë së shtunës së kaluar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat