Babai i Astrit dhe Arbënor Deharit publikon poezi për djemtë e tij, thotë se humbën jetën në rrethana të errëta

Aktuale

Babai i Astrit dhe Arbënor Deharit publikon poezi për djemtë e tij, thotë se humbën jetën në rrethana të errëta

Më: 20 nëntor 2023 Në ora: 21:01
Arbënor e Astrit Dehari

Avni Dehari, i ka kushtuar një poezi djemve të tij, Astrit dhe Arbnor Deharit, të cilët kanë vdekur gjatë viteve, 2014 dhe 2016.

Dy djemtë thotë Avni Dehari, humbën jetën në rrethana të errëta.

Sipas institucioneve kompetente, Arbënori bëri vetëvrasje duke rënë nga kati i gjashtë i banesës ku jetonte.

Ai ishte aktivist i Vetëvendosjes që nga formimi i saj, si anëtar i Sekretariatit për Media dhe Komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por familjarët dhe ata që kanë njohur Arbënorin asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë version, pasi kanë deklaruar se Arbënori nuk ka patur asnjë arsye për të kryer atë akt.

Edhe vdekja e Astritit, kishte ngjallur shumë pikëpyetje, pasi mënyra e vdekjes së tij ishte konsideruar e mistershme.

Por, Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë me 12 prill, 2022, se në raportin e pranuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, është thënë se analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveçse të vetë atij.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Poezia:

PESHA E DHEMBJES

(Bijve të mi, që humbën jetën në rrethana të errëta:

Arbënori më 2014 dhe Astriti më 2016)

Atdheu dhe alfabeti

Kurorë nderi vunë shkronjën A.

Për hapat drejt agimeve të purpurta,

A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!

E rëndë dhembja,

Sa pesha e Alpeve Shqiptare,

Sa dheu i gjakut tonë!

I thellë hidhërimi,

Sa thellësia e Adriatikut,

E Jonit valëshumë,

E oqeanit pa fund!

Krahëhapur bujaria,

Si fushat e gjera,

Si rrafshnaltat e bjeshkëve,

Si shqiponja jonë e shenjtë

Në qiellin e paanë!

Hijerëndë trimëria,

Si pyjet e dendura!

Si Moti i Madh

Në oqeanin e kujtesës sonë!

E lartë krenaria,

Sa kreshtat e Sharrit,

Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!

Det i trazuar pikëllimi,

Përplot valë ngushëlluese,

Përplot valë freskie

Cep më cep zemërdhembshurës sonë,

Për Ju që hodhët hapin

Me shkronjën e parë të ATDHEUT!

Avni Dehri,

Prishtinë, 11. 9. 2019

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat